Zbardhet dëshmia e biznesmenit Tanush Mëhillaj dhe djalit të tij, Bertil Mëhillaj, pas djegies së katër mjeteve betoniere në orët e para të mëngjesit të së premtes. Të dy deklaruan para hetuesve se nuk kanë dyshime ndaj asnjë personi dhe se nuk kanë pasur konflikte apo probleme me askënd.

Sipas burimeve, Mehilli dhe djali i tij kanë pohuar se mjetet kanë qenë të amortizuara dhe nuk përjashtojnë mundësinë që zjarri të ketë qenë aksidental. Megjithatë, ata kanë theksuar se shkaku i saktë do të përcaktohet nga hetimet dhe ekspertiza e organeve kompetente.

“Nuk kam dyshime te asnjë person. Mendoj se mund të ketë qenë aksidentale, pasi mjetet janë të vjetra. Megjithatë, nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm, këtë do ta zbardhë grupi hetimor dhe organet kompetente”, mësohet të kenë deklaruar Tanush Mehilli dhe djali i tij, Bertil Mehillaj.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po analizohen provat e mbledhura.

Zjarri ra rreth orës 02:30 të premten, ndërsa betonierët ishin të parkuara në ambientet e jashtme te firmës së ndërtimit “Mhillaj SHPK” në Dukat të Vlorës. Flakët u konstatuan nga roja e kantierit, i cili njoftoi pronarin Tanush Mëhillaj dhe zjarrfikëset por pa arritur t’i shpëtojnë. Hetuesit po verifikojnë nëse zjarri lidhet me konflikte të mundshme të ndërtuesit.