Ish deputetja e LSI-së, Silva Caka ka reaguar për djegien e fabrikës së këpucëve në Skrapar një ditë më parë duke e cilësuar si një goditje të rëndë për punësimin në zonë. Caka shprehet se fabrika punësonte 250 punonjës që tashmë kanë ngelur pa punë duke goditur edhe më shumë ekonominë  dhe papunësinë në zonë.

Ajo bën thirrje që të institucionet vendore e qendrore, duhet të bashkëpunojnë me administratorin e këtij investimi dhe të bëjnë gjithçka të mundshme, për rimëkëmbjen e Fabrikës dhe rikthimin e saj në gjendje pune, ku ishin punësuar me qindra gra e vajza.

"Dje për shkak të një incidenti në rrjetin elektrik, u dogj e vetmja fabrikë në Skrapar, ajo e këpucëve. Ky investim u realizua në Skrapar 6 vite më parë, falë bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe kjo fabrikë u kthye shumë shpejt në një mundësi reale për zhvillimin e ekonomisë së Skraparit dhe punësimin e qytetarëve, kryesisht të grave dhe vajzave. Fabrika e këpucëve në Skrapar, ka patur një kapacitet prej 250 punonjësish. Në një zonë si Skrapari, ku papunësia është shumë e lartë, shkatërrimi i kësaj Fabrike, është fatalitet i madh. Duke marrë në konsideratë edhe situatën shumë të rëndë të bizneseve për shkak të pandemisë, çështja e papunësisë bëhet akoma më kritike. Prandaj, për të shmangur rritjen e papunësisë dhe varfërisë në Skrapar, por edhe për të ndihmuar gratë dhe vajzat e punësuara në këtë Fabrikë, institucionet vendore e qendrore, duhet të bashkëpunojnë me administratorin e këtij investimi madhor dhe të bëjnë gjithçka të mundshme, për rimëkëmbjen e Fabrikës dhe rikthimin e saj në gjendje pune", shkruan Caka.

Ditën e djeshme në Skrapar u dogj fasoneria e këpucëve "Alba Shoes" për shkak të një shkëndije elektrike duke rrezikuar jetën e punëtorëve që ndodhin brenda, por që fatmirësisht gjithçka u mbyll pa lëndime, por me pasoja të mëdha materiale.