Gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit ekspertët nga Tirana eliminuan vatrat aktive toksike në lagjen nr. 9 në Korçë aty ku u dyshua për mbetje të rrezikshme në godinën e ish-trikotazhit. Në të njëjtën kohë është bërë dhe matja e ndotjes së zonës e cila rezulton negative. Gjatë ditës së djeshme pati një zjarr dhe më pas tym vuri në alarm banorët, të cilët lajmëruan policinë.
Edhe pse policia rrethoi zonën gjatë gjithë ditës, është dashur ndërhyrja e ekspertëve nga Tirana për të bërë të mundur eliminimin e vatrave toksike që çlironin në ajër gazra dhe helm që rrezikon shëndetin e banorëve. Pas eliminimit të vatrave, ekspertet matën nivelin e ndotjes së zonës duke dalë në konkluzionin se nuk rrezikohej shëndeti i banorëve.
Ekspertët kanë marrë mostrat dhe janë dërguar në laborator në Tiranë për të nxjerre llojin e lëndës. Puna ka zgjatur deri në 4 të mëngjesit ku një grup prej 12 ekspertesh kimie të Forcave të Armatosura, të pajisur me pajisje të posaçme për të përcaktuar nivelin e ndotjes në vatër ku bëhej djegia dhe jashtë godinës.
Pas përfundimit të punës ekspertët eliminuan vatrat aktive që nuk kanë më rrezik përhapje. Në ditët në vijim do të merren masa për largimin e këtyre lëndëve nga ish godina e trikotazhit në Korçë.
Alarmi u dha fillimisht nga 10 familje që banojnë afër ish godinës së trikotazhit në Korçë, e cila ka dalë jashtë funksionin që prej 1990. Banorët denoncuan në media se kjo situatë e aktivizimit të vatrave të zjarrit në këtë godinë ishte e përsëritur, por kjo nuk do të ndodh më me ndërhyrjen e ekspertëve nga Tirana.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për rastin e djegies së lëndëve kimike në ish repartin e trikotazhit në Korçë, ku tha se u evidentuar dy vatra dhe u bë shuaja e tyre dhe pastrimi i lëndëve kimike,
"Pas zjarrit të rënë pasditen e së shtunës në ish-depot e Trikotazhit në Korçë, u kërkua ndërhyrja e Forcave të Armatosura për shkak të djegies së lëndëve kimike dhe ndotjen e zonës përreth. Një grup nga kompania e Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë të Forcës Tokësore shkoi në vendngjarje ku bëri matjet me aparatura të posaçme të zbulimit kimik, duke evidentuar 2 vatra të ndryshme brenda godinës, të cilat kishin shkaktuar reaksionin kimik. Pasi analizuan të gjithë faktorët, specialistët e kompanisë së Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë i neutralizuan të dyja vatrat që shkaktonin ndotjen. Pasi neutralizimit të vatrave, specialistët monitoruan vatrat për rreth 2 orë në pritje se mos riaktivizoheshin sërish, gjë e cila nuk ndodhi", shkruan Ministria e Mbrojtjes.