Emergjenca mjedisore në Fier, tymi toksik 'pushton' qytetin! Report Tv sjell pamjet dhe apelin e qytetarëve: U helmuam këtu! Përplasje politike prej plehrave, Basha: Katastrofë! Subashi: Penguat 2 vite investimin

Emergjenca mjedisore e krijuar në Fier pas zjarrit në fushën e plehrave atje ka krijuar edhe përplasje politike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë në lidhje me djegien e mbetjeve në landfillin e Fierit, ku sot është dita e 4-të që re tymi vijojnë të qëndrojnë pezull mbi qytet. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Me një postim në Twitter, ku ka publikuar disa foto nga situata në landifillin e Fierit, Basha hedh akuza se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, ndërsa thotë se njerëzit po helmohen, që të justifikohen më pas pagesa të majme për inceneratorët.

"Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet, vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median", thotë Basha.

Më tej Basha bën thirrje për protesta, ndërsa thotë se ka ardhur koha për të ngritur zërin.

"Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!", shton kryedemokrati.

Ndërkohë që përmes një postimi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, shkruan se ishte PD ajo bëri gjithçka në Këshillin Bashkiak për të penguar investimin në impiantin e ri, organizuan protesta pa fundit dhe vazhdimin të shpifin. Sipas tij PD po shpif dhe po helmon njerëzit me shpifje.

Zjarri në landfillin e Fierit ra 4 ditë më parë, ndërsa flakët u shuan ditën e djeshme, por problem mbetet fakti se mbetjet e djegura vijojnë të çlirojnë tym. Në zonë po punohet me mjete të tonazhit të rëndë që po bëjnë mbulimin e mbetjeve me dhé, por ndotja ka krijuar një emergjencë mjedisore në Fier.

Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërsa policia vijon hetimet. Kujtojmë se dje në një reagim për mediat, Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka sqaruar se lajmet që e lidhin inceneratorin me situatën er krijuar janë tërësisht të pavërteta, duke sjellë dezinformimin e publikut. Sipas shoqërisë venddepozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A. e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:29
'Mbuluar' nga tymi dhe çdo gjë gri, pamjet dramatike që vijnë nga lagjja Sheq i Madh në Fier ku ndodhet landfilli, banorët braktisin banesat

 

Çdo gri dhe e mbuluar nga tymi, këto janë pamjet dramatike që vijnë nga lagjja Sheq i Madh në Fier, që ndodhet shumë afër landfillit dhe vetëm 3 kilometra larg nga qyteti.

Në një vëzhgim të bërë nga gazetari i "Report Tv", Sokol Dema, shihet teksa banorët kanë braktisur lagjen, të paktën përgjatë orëve të ditës, duke i vënë kyçin dyerve, në mënyrë që të jenë sa më pak të ekspozuar ndaj ndotjes së shkaktuar nga djegia e mbetjeve në landfill.

Megjithatë, në mungesë të një alternative tjetër, ata janë të detyruar të rikthehen nëpër banesa gjatë natës, pasi nuk kanë vend tjetër ku të flenë. Kjo situatë vijon prej 5 ditësh tashmë dhe ende nuk ka një zgjidhje.

Ora 11:48
Situata në Fier, banorët për Report Tv: Po helmohemi këtu, të ishin marrë masat

 

Report Tv po e ndjek nga afër situatën e rëndë të krijuar nga djegia e mbetjeve në Fier dhe po sjell moment pas momente shqetësimet e qytetarëve atje. Disa prej tyre në mikrofonin e gazetarit Sokol Dema apelojnë që të ketë sa më parë një zgjidhje.

"U helmuam këtu. Më pruri katër policë mua, më provokonte sikur e kisha vënë unë zjarrin. Më parë nuk kanë ndodhur.  Të ishin marrë masa më përpara", shprehet një prej banorëve.

'Kjo bëri mirë që ndodhi. Të bëjmë si të bëjmë 10 ditë më tym por të shpëtojnë këto familjet këtu", thotë një tjetër.

Ora 11:27
Luan Baçi në landfillin e mbetjeve në Fier, akuza: Ka aferë korruptive! Qytetarët të bëjnë denoncim në Gjykatë, të kërkojnë dëmshpërblim nga Bashkia

 

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi, i pranishëm në landfillin e Fierit, ku ende del tym nga djegia e mbetjeve, ka hedhur akuza në drejtim të bashkisë për korrupsion. Ai iu drejtua qytetarëve duke i thënë se duhet të bëjnë denoncim dhe të kërkojnë dëmshpërblim nga Bashkia për dëmin shëndetësorë që mund t'i jetë shkaktuar nga ndotja.

"Kemi denoncuar dhe më parë që kjo fushë gjithmonë është ndezur tym e flakë, por ka kaluar gjithmonë heshtur duke abuzuar me pushtetin e pakufuziar që ka bashkua e Fierit dhe pushteti vendor. Ne jemi këtu për të denoncuar këtë aferë korruptive bashkë me inceneratorin që ka thithur 26.5 mln euro dhe nuk është vënë akoma në punë, pavarësisht deklaratës së tyre se është gati që më 25 maj. Këtu duhej të mbajë përgjegjësi bashkia, pse kur inceneratori ka qenë gati që në 25 maj për të filluar punë, pse nuk i është përgjigjur? Ka mbërritur tymi e bloza deri në plazh. Pavarësisht punës që ka vazhduar gjatë këtyre ditëve, situata nuk po merr zgjidhje. Këtu ka aferë korruptive, bashkia dhe inceneratori kanë bashkëpunuar, duke lënë të digjen një pjesë e mirë e mbetjeve urbane dhe pastaj të fillojë bashkëpunimi, pasi këtu do të kishte një sasi të madhe mbetjesh për inceneratorin.

Unë jam këtu për të sensibilizuar qytetarët për të qenë ata që duhet të reagojnë dhe reflektojnë, propozoj që duhet t;i drejtohemi gjykatës për të patur dëmshpërblim nga bahskia për dëmin e shkaktuar në shëndetin e qytetarëve fierakë. Jemi të gatshëm për të ofruar ndihmën tonë. PD ka bërë denoncime, ne presim që SPAK të veprojë, duhet që drejtësia të vihet në vend", tha ai.

 

Ora 10:28
VIDEO/ Edhe pas fikjes së flakëve ende tym nga brendësia e plehrave në Fier! Fadromat vijojnë punën

 

Fadroma në majë të 'kodrave' me mbetje dhe tymi që vijon nga brendësia e plehrave në fushën e grumbullimit të mbetjeve në Fier. Edhe pse mbrëmjen e djeshme u arrit që flakët të fiken, plehrat vijojnë të digjen në brendësi dhe nxjerrin tym të rrezikshëm.  Autoritetet vijojnë punën.

Ora 10:00
Emergjenca mjedisore në Fier, kryebashkiaku Subashi i përgjigjet Bashës: PD bëri gjithçka për të penguar investimin për impiantin e ri

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për deklaratat e tij në lidhje me emergjencën mjedisore e krijuar në fushën e mbetjeve të qytetit.

Subashi shkruan në Facebook se PD bëri gjithçka në Këshillin Bashkiak për të penguar investimin në impiantin e ri, organizuan protesta pa fundit dhe vazhdimin të shpifin.

"Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!! Po si ka mundësi?! Ku e gjen të drejtën morale?! Lulzimi dhe të "tijët" në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70 vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?!

E kanë të kotë! Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70 vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në radhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë.  Fund plehrave në qytet", ka shkruar Subashi.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kënua: 31/07/2021 10:01

    E mo Mirel Mertiri, prej hunde po e terheq shtetin shqiptar.....u kon grepin dhe peshqit e medhenj turren....te lumte.....te keqen e Taçit para teje..

    Përgjigju
  • Trrnaskop Kacija: 30/07/2021 22:24

    Mos u shkoni mbrapa partive por ngrihuni te gjithe ne kembe kapeni Subashin dhe ti kerkoni llogari sepse kur kerkojne votat keta behen sikur jane te derguarit e Perendise pastaj sa marrin votat jo vetem nuk te presin por as qe duan ta dine per popullin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri