Djegiet e makinave në veri të Kosovës, BE: Shpresojmë të mos ndikojnë në takimin Bislimi-Petkoviç

Djegiet e makinave në veri të Kosovës, BE: Shpresojmë të mos ndikojnë në takimin Bislimi-Petkoviç

Lajçak në takimin me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog, dhe thotë se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit, të cilët do të takohen të martën në Bruksel.

Kështu tha sot gjatë një konference për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të "diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", kanë thënë zyrtarët evropianë.

Stano tha se presin nga të dyja palët "që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete", dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Stano e quajti takimin e nesërm si "shumë të rëndësishëm", ngase siç tha "palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.

Ai tha se marrëveshjet e arritura kishin për qëllim pikërisht largimin nga faza e krizave.

Mbrëmjen e së shtunës janë djegur tri vetura në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dy prej veturave ishin me targa RKS, ndërsa njëra me targa të Beogradit.

Më pas, Policia e Kosovës njoftoi se e kishte arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se, ndër të tjera, ka marrë pjesë në djegien e një veture.

Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si "vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb" dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.

Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë