Do integrohen në BE shqiptarët e maqedonët, apo gara mes Macron e Le Pen?!

Do integrohen në BE shqiptarët e maqedonët, apo gara mes Macron e Le Pen?!

Foto ilustruese

Dhe pastaj ankohen pse Salvini në Itali sulmon me çfarë ka në dorë politikën evropiane për emigrantët! Ose që Orban në Hungari ngre gardhe me tela me gjemba kundër muslimanëve apo shkel me këmbë liritë themelore demokratike! Ose që Marin Le Pen betohet se sapo të mundë rivalin Macron në zgjedhjet presidenciale do ta nxjerrë Francën nga Bashkimi Evropian! Ankohen gjithashtu edhe për acarimin e shteteve të varfëra të kontinentit përballë nacionalizmit absurd të vaksinave, ku Brukseli jep para në letër, por jo vaksina për vendet e mbetura jashtë gardhit të 27-ëve.

Evropianët ankohen për imazhin që vetë e kanë ndërtuar edhe me sjellje si kjo e pak orëve më parë, ku pasi ju mbushën mendjen maqedonëve se janë shqiptarët ata që i pengojnë drejt hapjes së negociatave, tani kthehen e i thonë Tiranës se i ka plotësuar të gjitha kushtet (si me magji, brenda natës), porse mes Shkupit dhe Sofjes ka një krizë, që i mban edhe ata (shqiptarët) jashtë gardhit!

Rrëzimi më i fundit dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në dyert e BE, ka formën e një fiaskoje klasikisht evropiane. Të një dështimi që ka të gjitha ngjyrat, nuancat dhe aromën e një politike të mirëfilltë prej Europe të Bashkuar. Ku trajta kryesore që shquhet, është se nuk ka fare politikë, por vetëm hilera!

Evropianët po i gjejnë në çdo stinë dhe sezon politik që vjen, nga një diçiturë të veçantë mungesës së vullnetit të tyre për të vijuar procesin e zgjerimit të Unionit në të vetmin rajon të kontinentit që ka mbetur si vrimë e zezë në hartë: Ballkanit Perëndimor. Sjellja ndaj dy vendeve që aspirojnë më shumë se shumë prej shteteve tashmë anëtare, që të anëtarësohen në BE, është jo vetëm një akt i pastër hipokrizie dhe paburrërie, por edhe një provë e prekshme se politika evropiane vijon të mbetet një lëkurë leopardi që nuk ka Zot ta përcaktojë, ta shquajë apo ta përmbledhë në një koncept të vetëm e të qëndrueshëm. Ndjeshmëritë negative të francezëve e holandezëve, vullneti i pamarrë parasysh i vendeve anëtare të Jugut, skepticizmi i ftohtë e pasiv i skandinavëve dhe bujtësit e rinj problematikë të ish-Lindjes komuniste – janë që të gjithë një konglomerat që po provojnë se janë të paaftë të bien dakord qoftë edhe për gjërat më të parëndësishme.

Pasi tingëllon paradoksale, por është krejt e parëndësishme në aspektin konkret dhe utilitar të Unionit të sotëm, që të nisë procesi i negociatave me dy vende që të dyja bashkë nuk i kalojnë pesë milion banorët!

Të hapësh negociatat nuk do të thotë asgjë në funksion të distancës që ke nga dera e pranimit të plotë në Bashkimin Evropian. BE ka shembuj konkretë, në praktikën e saj, të negociatave të hapura me shtete që presin me dekada për t’u anëtarësuar, e nuk ja arrijnë kësaj gjëje.

Hipokrizia që Brukesli po përdor me Tiranën dhe Shkupin, janë jo vetëm një dëshmi i apatisë dhe pafuqisë së BE për të vepruar konform fuqisë së saj reale ekonomike e financiare, por edhe një akt gjithnjë e më i padrejtë i mbajtjes larg me zor të një rajoni, pa të cilin Evropa e Bashkuar është e paplotë dhe e pakryer si projekt.

Për të mos folur për fenomenin e mbushjes së vaakumit të lënë nga vendet e perëndimore, nga fuqi të tjera më të largëta si Rusia e Kina, për të cilin BE është krejt e kthjellët dhe e ndërgjegjshme, ashut si amerikanët.

Duke e mbajtur me dhunë përtej shiritit rrethues të oborrit evropian Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, BE vetëm sa po e bën edhe më të pabesueshme dhe relative ofertën e saj për këtë pjesë të kontinentit. Dhe në raste të tilla, është provuar mëse një herë që vendet e lëna në këtë pozitë pezullie janë shumë të ekspozuara ndaj të gjitha të këqiave e sëmundjeve që demokracitë e vogla, të dobëta dhe të korruptuara, mbajnë mbi shpinë për vite e dekada me rradhë.

Nga një Këshill në tjetrin, procesi i hapjes së derës për vendet e Ballkanit Perëndimor, po bëhet gjithnjë e më shterpë dhe i vështirë për t’u ndjekur e besuar. Pasi po bëhet një proces që ka të bëjë gjithnjë e më pak me atë që ndodh brenda vendeve aplikuese, e gjithnjë e më shumë me zhvillimet e brendshme të vendeve anëtare. E në një rast të tillë edhe meritat, edhe përgjegjësitë, edhe angazhimet e humbasin peshën dhe rëndësinë. Shqipëria e Maqedonia duhen pranuar në BE nëse kanë përmbushur standartet, jo nëse Macron dhe Le Pen afrohen në sondazhet mes tyre për zgjedhjet franceze. Ky lloj teatri ka kohë që duhet të kishte mbaruar, por mesa duket edhe kjo është një sëmundje shoqëruese e Unionit për të cilën s’ka shërim.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore