Tubimi i Metës thirrur më 2 mars për të krijuar një 'besëlidhje' me qytetarët sipas tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe luftuar 'grushtin e shtetit' ka reaguar edhe aktori Neritan Licaj, i cili njihet dhe si simbol i protestës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke thënë se do të jetë aty.

Ky mesazh ka 'ngrohur' presidentin Meta, i cili duket se ka marrë edhe më shumë zemër për të bërë të fortin dhe pamposhturin duke iu drejtuar Ramës e mazhorancës se "hiqen si tigra, por në fakt janë minj përpara popullit dhe drejtësisë'.

Meta ka bërë sërish thirrje që qytetarët dhe aktorët të dalin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit' për të marrë në dorë fatet e kombit dhe demokracisë dhe të luftojnë kundër puçistëve dhe  tradhtarëve.

'Faleminderit i dashur Neritan! Ju pres me shumë kënaqësi, jo vetëm ju personalisht, por të gjithë artistët heronj dhe patriotë, në 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse organizata mafioze rrëmben në mënyrë anti-kushtetuse Gjykatën Kushtetuese ata do zhdukin, jo vetëm teatrin, por çdo trashëgimi kulturore e kombëtare për llogari të disa oligarkëve dhe organizatës ndërkombëtare. Ndaj është detyra ime si President i Republikës t'i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar të hapë sytë mirë në këto momente deçizive për fatet e kombit dhe demokracisë. Shqiptarët  e bashkuar rreth Kushtetutës dhe Flamurit Kombëtar do të fitojnë! Të rivendosim plotësisht rendin kushtetues dhe demokratik siç e ka shprehur vullnetin e tij populli shqiptar me Referendum në 22 nëntor 1998. Ndaj ta kthejmë 2 marsin në një referendum madhështor të triumfit të sovranit ndaj puçistëve dhe tradhtarëve kudo qofshin. Presidenti i njeh prej kohësh, por tani fytyrat e tyre hipokrite po i zbulojnë të gjithë shqiptarët. Bëjnë si tigra për të frikësuar njerëzit e thjeshtë, por janë vetëm minj përpara popullit shqiptar dhe drejtësisë që do të vijë. U zgjata pak, por ju dhe shumë artistë të tjerë keni vite në protestë për teatrin dhe meritoni mirënjohjen e çdo shqiptari. 

Ndaj ata do të vinë, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese që dhunohen çdo ditë, por dhe në mirënjohje të protestës tuaj legjendare përballë bandës që nuk njeh Kushtetutë, ligj, konventë ndërkombëtare dhe atdhe', shkruan Meta.