Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, që ishte planifikuar të zhvillohej ditën e nesërme, është shtyrë. Me një njoftim për mediat, Gjykata Kushtetuese bën me dije se është caktuar data 1 shkurt për zhvillimin e kësaj seance dhe se shkak për shtyrjen është bërë infektimi me COVID i relatorit të çështjes, Përparim Kalos.

"Çështja me kërkues Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe objekt: “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”, e planifikuar për t’u zhvilluar në seancën plenare publike të datës 18.01.2022, ora 10:00, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është shtyrë për në datën 01.02.2022, ora 10:00, për arsye se relatori i çështjes ka rezultuar pozitiv me COVID-19", njofton Gjykata Kushtetuese.

Më 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë votoi në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit.

Shkarkimin e presidentit Meta, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta.