Në Ditën e Dëshmorëve, nga Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e lidhi sakrificën e të rënëve me fenomenet e shpopullimit dhe shkombëtarizimit që sipas tij, po kryhet nga një ‘çetë uzurpatorësh të cilët nuk e kanë pushtuar Shqipërinë me tanke dhe blinda, por me promovimin e antivlerave.”
Sipas Blushit, Partia e Lirisë ka një ‘detyrë patriotike’ që të mbrojë familjen, shoqërinë dhe kombin shqiptar nga “kjo çetë kuislingësh që po bëjnë gjithçka për të shbërë jo vetëm Shqipërinë por edhe Kombin Shqiptar”
Deklarata e plotë e Tedi Blushit
"5 Maji është një ditë shumë e rëndësishme e kombit tonë. Është jo vetëm një ditë kujtese dhe reflektimi, por së pari mirënjohje dhe nderimin më të thellë para sakrificës më sublime të Qemal Stafës, mijëra Dëshmorëve të rinj e të reja, të cilët dhanë jetën në lule të rinisë për lirinë e Atdheut.
Sakrifica e tyre më sublime, amaneti i Dëshmorëve të Atdheut, është një kushtrim i madh, i përhershëm për të gjithë shqiptarët, për të mbrojtur si sytë e ballit vlerat e lirisë, të kërcënuara sot më shumë se kurrë nga një çetë uzurpatorësh, të cilët nuk e kanë pushtuar Shqipërinë me tanke dhe blinda, por me promovimin e atyre antivlerave të goditjes së familjes, të goditjes së Kombit nëpërmjet shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Ndaj është detyrë patriotike , misioni më i lartë sot për çdo shqiptar, në veçanti për Partinë e Lirisë, e cila ka si simbol të saj pikërisht edhe ngjyrat Kuq e Zi të flamurit kombëtar, por edhe për shkak të emrit që ajo ka, që të bëjë sot çdo sakrificë dhe të paguajë çdo çmim për mbrojtjen e vlerave të lirisë, për mbrojtjen e familjes, shoqërisë dhe kombit Shqiptar nga kjo çetë uzurpatorësh dhe kuislingësh që po bëjnë gjithçka për të shbërë jo vetëm Shqipërinë por edhe Kombin Shqiptar.
Jemi të vendosur të paguajmë çdo çmim dhe të bëjmë çdo sakrificë për të përmbushur amanetin e Dëshmorëve të Atdheut. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!"
Lajmi kryesor:
Dita e Dëshmorëve/ Përkujtohen të rënët e Shqipërisë, Begaj e Rama homazhe te memoriali ‘Nëna Shqipëri’ (VIDEO)










