Do ngarkohej me drogë në Vlorë
gomonia i ikën Policisë e FA-ve

Do ngarkohej me drogë në Vlorë<br />gomonia i ikën Policisë e FA-ve<br>
VLORE - Një gomone rreth 3 m e gjatë, me dy motorë dhe tre persona në bord, e nisur nga Vlora, është ndjekur në det të hapur për rreth një orë nga Forca Detare shqiptare dhe Forcat e Armatosura. 

Gomonia është konstatuar rreth orës 13:50 që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan, ndërsa në zonën e Karaburunit policia ka gjetur të fshehur rreth 28 kg kanabis, të fshehur midis shkëmbinjve. 

Dyshohet se gomonia do ngarkohej me lëndë narkotike, pasi nga pamjet filmike të policisë në bord duken bidona plastikë dhe pjesa tjetër bosh. Pas konstatimit në det të hapur, policia ka kërkuar ndihmën e FA për kapjen e gomones. Menjëherë operacionit i janë bashkuar anija "Oriku" dhe helikopteri i FA, "Cougar", të cilët kanë ndjekur në ujërat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëvizte me shpejtësi. Policia bën të ditur se pavarësisht ndjekjes, gomonia me tre persona në bord ka humbur gjurmët në drejtim të brigjeve malazeze. 

Ndërkohë, pak ditë më parë, kur numëroheshin orët e fundit të 2017-ës, dy gomone me rreth 2.2 ton kanabis u kapën në brigjet italiane. Madje, njëri prej mjeteve lundruese me rreth 600 kg kanabis u bllokua nga Guardia di Finanza natën e Vitit të Ri. Brenda javës kjo është tentativa e tretë që tentohet të trafikohet drogë me gomone në drejtim të Italisë. 

Njoftimi i policisë:

Delta Forcë, Policia Kufitare dhe D.V.P.Vlorë gjatë kontrollit nga deti dhe toka në zonën e Karaburunit nisur nga informacionet e marra në rrugë operative se mund të ishte fshehur lëndë narkotike me qëllim trafikimi, rreth orës 13.50, kanë konstatuar një mjet lundrues që lëviste me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan.

Menjëherë në ndjekie të mjetit lundrues janë vënë 3 mjete lundruese të Policisë Kufitare dhe të Delta Forcë. Eshtë kërkuar ndihma e anijës "Oriku" dhe e Helikopterit të FA-së. Gjithashtu është njoftuar GdF Durrës e Vlorë si dhe homologët Italianë. Menjëherë është ngritur në fluturim një helikopter "COUGAR" i FA-së, i cili ka ndjekur në ujrat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëviste me shpejtësi duke bërë manovra në det me qëllim ti shmangej ndjekies së helikopterit. 

Nga deti vijonte ndjekja nga anija "Oriku" dhe tre mjete lundrues të Policisë Kufitare dhe Delta Forcë. Në veprim është futur menjëherë edhe GdF-ja në Shqipëri e Itali. Deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonje gji bregdetar, në ujrat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por vijon kërkimi nga ajri nga GdF. Gjithashtu është vënë në ndjekje edhe Policia malazeze. Nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri i FA në bordin e gomones dallohen tre persona dhe disa bidona plastikë, ndërsa pjesa tjetër e bordit ishte bosh.

 

 

 

Dyshohet se gomonia do merrte lëndën narkotike në Sazan me qëllim trafikimin në drejtim të Italisë. Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur "Bristan", midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako. Policia Kufitare, Delta Forcë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë po vijojnë kontrollet në zonë.

 

 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike, do ndryshojë udhëtimin drejt jugut

Hapet sot tuneli i Llogarasë, Rama: Vepër historike, do ndryshojë udhëtimin drejt jugut