Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar për herë të parë projektin e ri  ku do të kalojë segmenti alternativ që do të ndërtohet pas shembjes dramatike të rrugës Librazhd-Pogradec.

Në videon e ARRSH me vijë jeshile mund të shihni se si do të ndërtohet segmenti 1.3 km përkrah hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, që do të rikthejë qarkullimin. Ky segment kalon pjesën e erozionit dhe ruan një pjerrësi të përshtatshme dhe të sigurt për kalimin e mjeteve.

Tre ndër masat kryesore të Këshillit Teknik të ARRSH të datës 23 shkurt ishin: devijimi i rrjedhës së lumit që mos të godiste më hekurudhën; demontimi i urës së dëmtuar; dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur deri në krijimin e një skarpate natyrale që do të mundësojë ndërhyrjen me mjetet e shpimit.

Gjithashtu, është vendosur të vijojnë investigimet dhe studimet e thelluara gjeologjike për të parë çfarë ndodh me nëntokën.

Për të kuptuar çfarë ndodhi në Dragostunjë, në segmentin e koridorit të VIII Librazhd–Prrenjas, ARRSH simuloi planin e rrëshqitjes përmes një video.

Studimet e njëpasnjëshme dhe pamjet e marra nga ajri çdo ditë vërtetuan që rrëshkitja nisi nga poshtë, siç shihet në video, ndërkohë që në prerje tërthore sipas fotos në material.