Prokuroria e Posaçme lexoi konkluzionet përfundimtare për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega.

Për Islamaj, prokurori Bledar Maksuti kërkoi 3 vite burg me kushtin që të konvertohet në 4 vite shërbim prove. Ndërsa për Gegën, u kërkua dënim me 1 vit burg me kushtin që të konvertohet në 2 vite shërbim prove.

Islamaj dyshohet se ka kryer veprën penale “korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gega për korrupsion aktiv.

Bëhet fjalë për një tender, për të cilin ish nënkryetarja e Bashkisë Tropojë, e komanduar drejtuese, kishte kërkuar nga ndërtuesi Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë shtëpisë së motrës, urë që nuk ishte parashikuar në tender. Për këtë thotë SPAK, ajo ka ndërhyrë tek ndërtuesi, dhe ka angazhuar në ndihmë të tij edhe teknikun e mirëmbajtës së rrugëve në bashki.

Ura megjithatë, nuk është ndërtuar, gjë që i ka vënë në siklet deputetët e PD-së përballë avokatit mbrojtës, kur janë pyetur se pse e bënë kallëzimin për një fakt që nuk është kryer. Bardhi, Hoti, Mziu  dhe Nallbati thanë se kjo nuk ishte detyrë e tyre, por e Prokurorisë së Posaçme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë