Kryeministri Edi Rama ka pritur në takim në ambientet e Kryeministrisë këngëtarin e njohur amerikan, Kanye West, i cili do të performojë mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga takimi me Kanye West, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja.
Shefi i Qeverisë i ka treguar reperit amerikan ambientet e brendshme të Kryeministrisë dhe pikturat që ndodhen atje. Nga pamjet duket se Rama i ka dhuruar West librin 'The Albanian Files', i redaktuar nga Anneke Abhelakh. Libri përmban nga një kapitull për secilën nga 60 studiot ndërkombëtare të arkitekturës që po punojnë në Shqipëri.
Disa ditë më parë, një grup protestuesish dorëzuan në SPAK librin “The Albanian Files”, pasi sipas tyre, libri është përmbledhje e krimeve të kryera nga kryeministri Rama. Së shpejti, për të do të ketë edhe kallëzim penal, bëri me dije grupi organizator. Më herët shefi i qeverisë, ka thënë se libri nuk është botim i kontrolluar prej tij, por projekt editorial i pavarur.
Rama e ka shoqëruar postimin në rrjetet sociale më këngë të Kanye West, si dhe me 5 yje sipër videos, duke ironizuar kështu sulmet online të kryera nga disa prej organizatorëve të protestave në Tiranë, kundër bizneseve, për uljen e vlerësimeve të tyre.
Lajmi kryesor:
Në prag të koncertit të Kanye West, fansat e artistit mblidhen në 'Eagle Stadium'! Të rinjtë e huaj: Shqipëria është mahnitëse (Pamje me Dron)










