Mesila Doda e cila së fundmi është përfolur në Maqedoni si një person që mund të shpallet “non grata” për shkak të deklaratave të saj mbi pavarësinë e Iliridës, nuk e ndal replikën me politikanët e Maqedonisë.

“Mjaftoi një fjalim i imi që barërat e këqija të shtetit fqinj të ngjalleshin si të marrosur. Të dy bashkë mazhorancë dhe opozitë thanë që kjo është e papranueshme. Ajo, ku kërkova që nëse një qeveri nuk dekretohej, veç nga frika e gjuhës së Nënë Terezës shqiptarët kishin gjithë të drejtën e Zotit të shpallnin referendum për mëvetësinë? E them dhe e ripërsëris sot e gjithë ditën, në një shtet që nuk i do, nuk i vlerëson e nuk i respekton, nën një President që shpall armike gjysmën e popullsisë së vet, ata nuk kanë pse të jetojnë. Jetojmë në vitin 2017 dhe shqiptarët e Iliridës duhet të jetojnë të lirë”,-tha ndër të tjera, Mesila Doda.

Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së shprehet se nuk do të ndalë qëndrimet e saj.

“Nuk do pushoj së thëni që kemi nevojë të ndihemi më afër, që kemi nevojë të jetojmë të bashkuar, por në një shtet të drejtë e modern. Kjo është ëndrra ime dhe në të nuk ka luftë, ka bashkim dhe prosperitet, besim e dashuri. Në të ka vetëm një Atdhe”,-tha Mesila Doda dje në parlament.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com