Porti i Durrësit po përgatitet për fluksin e verës me masa të reja për turistët dhe bizneset, ndërsa administrata doganore paralajmëron kontrolle më të forta dhe më pak pritje në hyrje-dalje. Gjatë një inspektimi në terminalin e pasagjerëve, Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantuan masat që do të zbatohen për sezonin turistik, mes tyre edhe pajisja e doganierëve me kamera trupi.

Ministri Malaj tha se turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare dhe se institucionet duhet të garantojnë lëvizje sa më të shpejtë për qytetarët dhe turistët që hyjnë apo dalin nga vendi.

“Është e rëndësishme që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me stafin e saj, të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të facilitojnë hyrjen e daljen e turistëve. Përpos mikpritjes dhe krijimit dhe facilitimit të shpejtë të lëvizjes së hyrjeve dhe të daljeve në portin e Durrësit, do duhet që të merren masa edhe në pjesën e sigurisë portuale për sa i përket hyrjes dhe daljes së mallrave të paligjshëm”, u shpreh Malaj.

Një nga risitë që pritet të zbatohet këtë sezon është pajisja e punonjësve të doganës me kamera trupi. Sipas Bejës, pajisjet do të transmetojnë audio dhe video drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe synojnë të rrisin transparencën dhe komunikimin korrekt me qytetarët dhe bizneset.

“Besoj shumë shpejt, brenda këtij sezoni, punonjësit e doganës, veçanërisht portit Durrës, do jenë të pajisur me kamerat trupi. Kamerat e trupit do bëjnë të mundur që të transmetojnë të dhënat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, qoftë pamjet video, qoftë pamjet audio, dhe do të sigurojnë një ndërveprim më të kujdesshëm të personelit të administratës doganore me çdo qytetar ose çdo biznes që i lidh puna me ta”, tha z. Beja.

Dogana e Durrësit synon që gjatë sezonit veror të ulë kohën e pritjes për mjetet private në më pak se 2 minuta, ndërsa për kroçerat në më pak se 20 minuta. Mes masave të marra janë modeli “One-Stop-Shop” me Policinë Kufitare, krijimi i kanaleve të gjelbra për udhëtarët pa mallra për deklarim, shtimi i korsive dhe riorganizimi i stafit në oraret me fluks të lartë.

Po ashtu, do të përdoren skanerë dhe kontrolle të orientuara sipas analizës së riskut për të shmangur vonesat e panevojshme, ndërsa prioritet do të kenë mallrat e freskëta dhe ndarja e trafikut tregtar nga lëvizja e mjeteve private.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe intensifikimi i kontrolleve për transportin e parave cash të padeklaruara dhe monitorimi i lëvizjeve të dyshimta gjatë sezonit veror, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese.