TIRANË, 25 Nëntor/ATSH/- Dogana Shqiptare për të 2-in vit radhazi merr pjesë në Panairin "Klik Ekspo Group" që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në datat 22-26 nëntor. Si një institucion partner i biznesit çdo ditë ekspertë, specialistë dhe doganierë japin informacion për bizneset e interesuara në lidhje me proçedurat doganore. Gjithashtu gjatë panairit janë prezantuar dhe do të vazhdojnë të prezantohen edhe projekte të reja të Doganës Shqiptare.
Në dy ditët e para të këtij panairi kanë qenë të shumta bizneset dhe qytetarët të cilët kanë kërkuar informacion pranë stendës së Doganës Shqiptare. Dita e parë ka qenë e fokusuar në prezantimin e projekteve të sistemeve informatike me të cilin dogana operon, ku ekspertë dhe specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme të Sektorit Help Desk dhe Sektorit të Zhvillimit kanë shpjeguar sesi funksionon sistemi IT dhe sesi zhvillohen projektet e reja për të përmirësuar komunikimin elektronik.
Ndërkohë që në ditën e dytë Dogana Shqiptare është përfaqësuar nga specialistë të Drejtorisë për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale, të cilët kanë dhënë informacion në lidhje me ndalimin e mallrave të fallsifikuar dhe dëmet që ato sjellin jo vetëm për biznesin por edhe për mjedisin.
Ndërkohë që dita e sotme në panair do të përqendrohet në Sektorin e Proçedurave me shpjegimin e projektit më të ri të Doganës Shqiptare që janë Proçedurat e Thjeshtuara. Pilotimi i Proçedurës së Thjeshtuar do të bëhet në 3 dhjetor 2014 me disa biznese të përzgjedhura, ndërkohë që në shkurt 2015 do të bëhet edhe aplikimi i gjerë i tyre.
Nesër është dita e fundit e panairit "Klik Ekspo Group", ndërsa në stendën e Doganës do të jenë ekspertë dhe specialistë nga Drejtoria e Akcizave, të cilët do të japin informacion në lidhje me aplikimin e akcizës për mallrat, mënyrën sesi mblidhet akciza, dhe gjithashtu mënyrën sesi zbulohen rastet e mallrave kontrabandë pa akcizë, si ato që prodhohen brenda vendit ashtu edhe ato të importit.
Dogana Shqiptare e shfrytëzon këtë mundësi në panairin "Klik Ekspo Group" për të qenë më afër biznesit dhe qytetarëve, për të dhënë informacionin e duhur për ata që dëshirojnë të bëjnë biznes. /a.gjonaj//m.m/