TIRANE - Drejtoria e Doganave në bashkëpunim me Croën Agents dhe SICPA gjatë muajit mars do të nisë një fushatë kontrolli për të gjithë pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të pijeve alkoolike në të gjithë Shqipërinë, me qëllim evidentimin e pikave që tregotojnë pije energjike të paligjshme dhe të falsifikuara.

Sipas Drejtorisë së Doganave, pikat e shitjeve të pijeve alkoolike në Shqipëri janë të rrezikuar nga furnitorë mashtrues, të cilët tregtojnë këto produkte, dhe në këtë kuadër  do të ndërmerret aksioni për kontrollin në të gjitha pikat e vogla, të mesme dhe të mëdha të shitjes në të gjithë vendin.

Po ashtu Administrata e Doganave, thekson se “shitësit e papërgjegjshëm të pijeve alkoolike, të cilët shmangin pagesën e detyrimeve të akcizës, kanë një avantazh konkurrues të dukshëm sepse ata mund ti shesin pijet alkoolike me një çmim më të lirë, ose mund të operojnë me marzh më të lartë fitimi.”

Në këtë kontekst, fushata “Anti-Mashtrim” që do të ndërmerret nga ana e Doganës Shqiptare për produktet e alkoolit është përgjigje ndaj konstatimeve në terren për produkte alkooli të pafiskalizuara në zinxhirin e shitjes me pakicë në shkallë kombëtare.

Sipas Drejtorisë së Doganave strategjia “Anti-Mashtrim” është ndërtuar rreth katër angazhimeve kryesore që janë:
1. Për të mbrojtur të ardhurat
2. Për të punuar në partneritet me tregtarët të cilët vetë janë të angazhuar për të operuar në përputhje me ligjin
3. Për të identifikuar dhe ndëshkuar çdo tregtar që përpiqet të mashtrojë dhe me neglizhencën e tij lejon tregtimin/mbajtjen dhe shitjen e produkteve alkoolike të pafiskalizuara
4. Të mbrojnë konsumatorët nga përdorimi i pijeve alkoolike potencialisht të dëmshme.

Fushata që do të ndërmerret është e ndarë në dy faza, ku faza e parë do të jetë sensibilizimi dhe informimi. Qëllimi kryesor është të informohen tregtarët e shitjeve me pakicë (supermarkete, zinxhirë shpërndarje etj.)

Faza e dytë e kësaj fushate do të jetë faza operative, e cila do të fillojë jo më pak se 3 javë pas aktivitetit sensibilizues për shtyp, duke i dhënë tregtarëve me pakicë dhe publikut një periudhë të arsyeshme kohore për të asimiluar mesazhin kryesor të fushatës.

Nga ana e saj Drejtoria e Doganave ka paralajmëruar se në rast të konstatimit të pijeve alkoolike të falsifikuara dhe të dëmshme për shëndetin, do të merren masa që kanë të bëjnë me parandalimin si dhe me ndërprerjen e veprimtarisë së paligjshme. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)