Nga mallrat kryesore të akcizës rënie ka pësuar vetëm konsumi i cigareve, i cili në tetëmujorin e 2017 ishte 4% më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013.
Gjatë kësaj periudhe rënia më e madhe e konsumit të cigareve u vu re në vitin 2014 me rreth 20 për qind. Rënia vijoi edhe përgjatë vitit 2015 me rreth 4 për qind, ndërsa rritja e konsumit në këtë artikull u vu re vitin e kaluar me 17 për qind. Rritja e konsumit të cigareve në raport me 2016-en ka vijuar edhe këtë vit me mbi 5%.
Të dhënat e doganave në lidhje me konsumin e cigareve nuk janë shumë afër realitetit për shkak se vetë institucioni ka pranuar më parë se ka vështirësi për të tatuar me akcizë prodhimin vendas.
Sipas të dhënave nga doganat rritje të fortë ka pësuar konsumi i kafesë, i cili është rritur me 67 për qind në krahasim me vitin 2013. Kjo rritje lidhet me së shumti me politikën e qeverisë për përjashtimin e saj nga akciza, vetëm në rast se kemi të bëjmë me kafe të papjekur, që konsiderohet si lëndë e parë që më pas do të përpunohet industrialisht në vend. Madje për këtë produkt importet në dogana kanë qenë më të larta se konsumi.
Rritje të konsumit shënoi edhe birra. Këtë vit në 8 mujor konsumi ishte 29 për qind më i lartë se në vitin 2013. Teksa dy vitet e fundit pesha e importeve në konsum po rritet gjithnjë e më shumë.
d.c./shqiptarja.com











