Një banor i fshatit Leshnicë në Pogradec është vënë nën hetim pasi dyshohet se shkaktoi zjarrin që përfshiu dje kodrat e zonës.
Sipas policisë, personi me inicialet P. L. dyshohet se kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë djegur një sipërfaqe toke në zonën pyjore të fshatit në njësinë administrative Çërravë.
Zjarri shpërtheu rreth mesditës së të martës në kodrat e Leshnicës. Në vend ndërhynë zjarrfikësit e Pogradecit, punonjës të njësisë administrative dhe banorë të zonës për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Pas verifikimeve, policia referoi materialet në Prokurori dhe nisi hetimin penal ndaj banorit të dyshuar.
Njoftimi i plotë i policisë
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin P. L., banues në fshatin Leshnicë, pasi dyshohet se si pasojë e zjarrit që ka ndezur për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke"
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











