Një 19-vjeçar është vënë në  pranga të policisë së Vlorës, pasi dyshohet si autor i katër zjarrvënieve në zonën e Selenicës.

I.M, 19-vjeç është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në afërsi të rrugës Peshkëpi-Drashovicë, paso ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore me shkurre, si dhe një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit F. H. 

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 rasteve të tjera të zjarrvënieve, në fshatrat Kotë, Gërnec dhe Mërtiraj, në bashkinë Selenicë, konkretisht:

Më datë 29.07.2021, në fshatin Gërnec, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme kullote;

Më datë 01.08.2021, në afërsi të fshatit Kotë, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur dhe disa koshere me bletë në pronësi të shtetasit A. M.; 

 Më datë 08.08.2021, në fshatin Mërtiraj, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit N. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

 Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin.