Dokumentet e rralla 4-shekullore të
Zamputtit për Historinë e Shqipërisë

Dokumentet e rralla 4-shekullore të<br />Zamputtit për Historinë e Shqipërisë
Albanisches Institut në St. Gallen ka pranuar me shumë dëshirë që të botojë librin e Injac Zamputtit "Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)“. Ky libër do të promovohet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë më 12 nëntor. Injac Zamputti është shumë i respektuar në shumë qarqe shkencore, sidomos historike, por edhe etnografike, kulturore, letrare jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe më gjerë. Këtë respekt gëzon Zamputti për shkak të punës dhe veprimtarisë së tij të zellshme dhe serioze e cila e përcolli tërë jetën e tij.

Në kohën e regjimit komunist, ai punoi në kushte shumë të vështira, por serioziteti dhe përkushtimi ndaj shkencës, bëri që historiografia shqitpare të përparojë shumë përmes botimeve të tija, bile lirisht mund të thuhet se Zamputti ishte shtylla kryesore në Shqipëri që historiografia e mesjetës shqiptare, në kohën e diktaturës komuniste, të mos jetë vetëm ideologjike. Opusi i Zamputtit është i gjerë, kur shofim listën e publikimeve të tij. Duhet pasur parasysh se përgatitja e tij serioze akademike bëri që ai të „zhytet“ në botën e shkencës, duke filluar në vendlindjen e tij në Shkodër, për ta mbyllur në Itali. Në Shkodër, saktësisht në kolegjin Saverian, ku ishte formuar Zamputti në kohën e rinisë së tij, kishte mësimdhënës shumë të mirë; këtu po çek vetëm dy: Dom Ndre Mjedja dhe Giuseppe (Zef) Valentini.

Qysh në kohën 21 vjeçare Zamputti ligjëron letërsinë shqipe në Kolegjin Saverian në krah të Dom Ndre Mjedjes, kurse mësimet që mori nga Giuseppe Valentini ishin mbresëlënëse për tërë jetën e Zamputtit. Valentini ishte mësuesi i tij për leximin e dokumentacionit për historinë shqiptare. Me Valentinin nuk mundi të takohej më pas përfundimit të luftës së dytë botërore, sepse Valentini gjendej tashmë në Itali, kurse Zamputti në Shqipëri, por njëri (Valentini) në anën tjetër të Adriatikut vepronte më përkushtim për historinë shqiptare, e tjetri (Zamputti) në anën tjetër dhe me të njejtën frymë europiane - edhepse nuk e lejonin të shkonte nëpër arkiva të Europës. Injac Zamputti mbeti në Shqipëri dhe iu përkushtua tërësisht shkencës, konkretisht historisë shqiptare të mesjetës dhe me botimet e veta arriti që ato vepra të mbesin edhe sot kryevepra historiografike dhe burime kryesore historike të asaj periudhe.

Librin e Zamputtit „Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)“, që kishte lënë në dorëshkrim dhe që është vazhdim i serisë së vëllimeve me dokumente të botuara prej tij, po e botojmë me kënaqësi dhe lirisht mund të themi edhe me krenari. Ky libër është shumë i rëndësishëm për historinë shqiptare, pikërisht për vitet e lartëshënuara 1623-1653, sepse Zamputti lexon, transkripton dhe përkthen dokumente të rëndësishme, që janë ende të panjohura për studjuesit shqiptarë dhe që i pajis me shënime e lista vendesh e njerëzish. Për veprën dhe rëndësinë e saj nuk do të flasim këtu, pasi ketë gjë mund ta vlerësojë vetë lexuesi.

Për botimin e kësaj vepre, falenderojmë të birin e autorit, Jozef Zampu-ttin, i cili na ofroi këtë botim dhe i cili me zell të madh përgatiti për shtyp këtë vepër që babai i tij kishte lënë në dorëshkrim dhe nuk kishte arritur që ta botonte deri sa ishte gjallë. Po ashtu falenderoj shtëpinë botuese Faik Konica, që, me shumë dëshirë, pranoi të jetë bashkëbotuese e këtij libri. Kjo vepër ishte paraparë që të botohet qysh më parë, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Injacit, por, kjo nuk u realizua.

Pas bisedimeve edhe me Jozefin, e pamë të arsyeshme që, në fund të kësaj vepre, të botojmë jetëshkrimin e Injac Zamputtit (përgatitur nga vetë Jozefi) dhe po ashtu është shumë e rëndësishme për studjuesit boti-mi i bi-bliografisë së Injac Zamputtit, që kishte përgatitur vetë ai ditët e fundit të jetës së tij dhe që po e sjellim në fund të librit.

Ky vëllim “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)” ndjek ata të mëparshmit e kësaj serie, dm.th: dy pjesët e periudhës 1479-1506 (pjesa e parë 1479-1499, Tiranë 1967; pjesa e dytë 1499-1506, Tiranë 1979), dhe tre vëllimet që ndjekin: 1507-1592, 1593-1602, 1603-1621.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani