Këto zëra u fashitën pas vrasjes së Avniut prej një ish-besniku të Esat Pashës, që ishte shërbëtor i bindur i Zogut. Pas një viti Zogu i ktheu revanshin në mënyrë vdekjeprurëse Rustemit si kundërpërgjigje ndaj atentatit që Beqir Valteri i bëri më 24 shkurt 1923 në parlament i nxitur direkt nga Avniu.
Balto Stambolla, një nga njerëzit më të neveritshëm të kombit, në mbrëmjen e 2 marsit 1925 në Bari të Italisë, kur po dilte nga restoranti i hotel “Kuver”, vrau Luigj Gurakuqin. Ai ishte demokrati i vërtetë me pikëpamje moderniste perëndimore, lideri historik i katolicizmit shqiptar, shpirti dhe truri i opozitës shqiptare. Më 29 qershor 1925, u vra në shpellën e Dragobisë Bajram Curri, heroi veteran, luftëtari i pakompromis kundër gjithë uzurpatorëve të Shqipërisë. Në fund në kapërcyell të shekullit XIX dhe dy dekadat e para të shekullit XX, i vetmi shqiptar që kudo e thërrisnin ”baba”. Çatin Saraçi, ish- këshilltar i Zogut duke kujtuar këtë mynxyrë kombëtare shkruan: ”Gjeneral Sereqi dhe unë ishim të pranishëm kur Ceno Beu u ngjit duke iu marrë fryma dhe hyri në zyrën e Zogut. . . Ceno beu thirri: e hoqëm qafe. Ja tek e kam shkanullin” –(Çatin Saraçi ”Zogu, mbreti i shqiptarëve”, histori e jetuar fq . 97)
Zija Dibra, kundërshtar i kahershëm i Zogut, aktivist i shquar i lëvizjeve të viteve 1922, 1923 dhe 1924 u plagos për vdekje dhe më pas vdiq. Në maratonën e gjatë të eliminimit të gjithë opozitës, u plagos për vdekje në Brindisi të Italisë Shefqet Korça. Sipas gazetës “Maqedonia e re” te Selanikut, të datës 14 gusht 1933: “një tjetër vrasje që u bë në rrugën “Çiminski’’, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra përpara bakallhanes “Ivi”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28-vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar. Vrasja u krye në orën 2 pasdite me datë 13 gusht 1933.
Në rrugën “Çiminski” u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, të gjallë që e tradhtonte dhe toni i zërit… njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “Smith” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretin në kokë, si të shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes…” Ibrahim Çelo, tregtar frutash, që jetonte në Nice të Francës, qe martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë.
Ai deklaroi se shtiu kundër Prishtinës si tradhtar i vendit të tij, që i kish propozuar të bashkëpunonte kundër mbretit Zog. Zogu dëboi dhe detyroi të arratisen 200 oficerë nga radhët e ushtrisë shqiptare. Kështu ai eliminoi me grusht të pamëshirshëm përkrahësin e Fan Nolit, komunistin ish- kapitenin Riza Cerava, një nga drejtuesit e organizatës së fshehtë të kryengritjes së Fierit më 1935.
Në verë të vitit 1928, në Pipe të Jugosllavisë vritet Lush Prela prijësi historik i Shalës i viteve 1910-1926 së bashku me të dy djemtë e tij Markun dhe Dedën. Fletorja “bashkimit kombëtar”, organ i bashkimit shqiptar të Vjenës, më 3 shtator 1928 jep lajmin e përmortshëm duke thënë se qenë mbytur prej cubave të Ahmet Zogut.
(Në foto: Ahmet Zogu dhe Ceno bej Kryeziu)
Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)