Gjithsesi, Shqipëria dhe Epiri qenë viset ku fluksi i konvertimit nga krishtërimi në islamizëm ishte më i madh .Nuk më duket e drejtë të flitet, siç bëhet zakonisht, për “renegatë”: ndryshimi i besimit bëhej shpesh për oportunizëm, për konformizëm, nga frika – jo rrallë ishte i shtirë –, por ndonjëherë ishte edhe i sinqertë, në mos për tjetër, për perspektivën më të madhe që ofronin vendet myslimane për të rinjtë e shtresave të varfra, gjë që shumëkush e shihte si një provë se feja myslimane frymëzohej vërtet nga parimet e drejtësisë8 .
Në rastin e familjeve më të fuqishme, oportunizmi ishte padyshim faktori përcaktues. Që bëhej fjalë për llogari politike, shpesh herë edhe për një veprim të shtirë, këtë e vërteton vetë lehtësia me të cilën pranohej brenda familjeve një vendim kaq i vështirë e tragjik për jetën e gjithsecilit: për rrjedhojë, rezultonin prindër të krishterë që kishin fëmijë myslimanë (e anasjelltas), vëllezër të ndarë në fe të ndryshme, vajza të krishtera me prindër të krishterë që martoheshin me myslimanë (kurrë nuk ndodhte e kundërta). Interesant është edhe rasti i “të penduarve”, ku ai i Skënderbeut është më i njohuri, por jo i vetmi.
Fjala është për të rinj që kishin përqafuar fenë islame dhe që riktheheshin në fenë e të parëve. Në veprën e tij Commentari, Piu II Pikolomini kujton një zotëri shqiptar, zotërimet e të cilit i kishin kaluar Skënderbeut, që nga i krishterë u bë mysliman për t’iu rikthyer më vonë fesë së të parëve, “megjithëse pak nderim kishte si për njërën ashtu edhe për tjetrën, dhe asnjërës nuk i qëndroi besnik” . Në raste të tjera ky ndryshim mund të përcaktohej edhe nga një krizë e brendshme.
PUSHTIMI I PARË: SI RANË PRINCIPATA SHQIPTARE NËN PERANDORINË TURKE
Në fazën e parë të pushtimit turk, krerët ballkanikë kishin rënë në kushtet e vasalit; në një fazë të mëvonshme, zotërimet e tyre u përfshinë plotësisht në territorin e perandorisë, por mjaft prej tyre kishin mundur t’i ruajnë ato tërësisht ose pjesërisht në cilësinë e timarit.
Do të ishte e tepërt të sqaronim se ky lloj zotërimi ishte, për nga natyra, i mangët dhe nën shantazhin e vazhdueshëm të sovranit të ri, i cili në momentin e duhur dinte ta ushtronte pushtetin e tij për t’i vënë njërën kundër tjetrës familjet shqiptare.
Qenë të shumtë të krishterët që morën timare (midis tyre edhe disa peshkopë): por një mundësi e tillë erdhi duke u zvogëluar, dhe në fund iu la vetëm atyre që nuk kishin marrë pjesë në luftën e tejzgjatur të drejtuar nga Skënderbeu.
Ndër ata që me kalimin në fenë islame siguruan edhe një ngjitje në karrierë, ishin edhe familjet Skurra e Kurtiqi. Të parët ishin të njohur e të fuqishëm qysh nga shek. XIII. Një pinjoll i kësaj familjeje, i çuar qysh fëmijë në oborrin e Adrianopojës, në betejën e Varnës (1444) u bë bejlerbeg i Rumelisë dhe më vonë u bë një nga protagonistët e betejës së Kosovës (1448), që përfundoi me triumfin e Muratit II mbi Jan Huniadin.
Anëtarë të tjerë të familjes (tashmë të njohur si Uzgur-oglu) morën poste të rëndësishme në perandorinë osmane: gjë që nuk na ndalon të gjejmë një Skurrë midis luftëtarëve të fundit të Shqipërisë së krishterë, si dhe të ndeshim të tjerë në emigracion (një Skurrë ishte në vitin 1860 anëtar i njërës prej qeverive të përkohshme të Garibaldit).
Sa u përket Kurtiqëve, që kishin një zotërim në Shqipërinë e mesme, ata u treguan besnikë ndaj sovranit të ri dhe kaluan në fenë islame: për rrjedhojë, mundën të rrisin së tepërmi pushtetin e tyre. Nëse Pavllo Kurtiqi (që ende mbante një emër të krishterë) zotëronte 26 fshatra, djali i tij i islamizuar, Isa beu kishte 107 të tilla.
(Shënim: Ky shkrim i Paolo Petta-s është marrë nga libri “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”. Gjithë libri hedh dritë mbi historinë e luftës që ka bërë aristokracia shqiptare në shekuj ndaj pushtimit turk. Kjo aristokraci e detyruar nga pushtimi osman ka emigruar në vendet fqinje, duke ruajtur kulturën dhe gjuhën shqipe. Titujt dhe mestitujt janë redaksionalë-Dhu.Ha.)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)