Dokumenti 1980/Hekuran Isai
Alisë: Si bëhen dasmat në Tiranë

Dokumenti 1980/Hekuran Isai<br />Alisë: Si bëhen dasmat në Tiranë
TIRANE - Ceremonia e dasmës për shumicën e njerëzve përbën një kulm në jetën e gjithsecilit, ashtu sikurse dhe dy stacione të tjera shumë të rëndësishme në jetën e njeriut, të cilat kërkojnë vëmendje e respekt të veçantë.

Në fakt, të këtij mendimi kanë qenë edhe shqiptarët e djeshëm, në një nga vitet më të vështira të ish-regjimit të vjetër, kur kurba e zhvillimit ekonomik tashmë kishte hyrë në një fazë të sigurtë rënie, pas prishjes me Kinën dhe po theksohej me forcë parimi i “mbështetjes në forcat tona”. Ishte viti 1980, kur “tufëzimi” kishte marrë udhë dhe vështirësitë ekonomike, sidomos mungesa e mishit dhe e artikujve bazë ushqimorë, kishin nisur të racionoheshin në mënyrë drastike.

Paradokset arritën deri aty sa edhe për dasmat, çdo porosi duhej bërë me leje paraprake (autorizim nga pushteti dmth. lagja) e finalja duhej të arrihej me shumë mund e sakrifica, si pasojë e një kombinacioni ku gjenin vend jo vetëm njohjet e angazhimi i gjithë familjes, por shpesh edhe i gjithë fisit, shoqërisë e fqinjëve.

Madje në fund fare, nga ky aktivitet duhej të dilje me një bilanc pozitiv financiar, në mënyrë që ta quaje një “ndërmarrje të suksesshme”, pasi kishe dalë “i nderuar” në sy të shokëve, miqve e kolektivit. Shumëkujt që ka jetuar në atë periudhë, duhet t’i kujtohen peripecitë për organizimn e një dasme, e cila sigurisht se në rrethe e fshatra vështirësohej edhe më shumë, për shkak të mungesave e privacioneve edhe më të mëdha.

Ata që jetonin në Tiranë kishin disi më shumë mundësi, por jo të gjithë mundeshin t’a organizonin këtë ceremoni të rëndësishme në jetën e njeriut, në një lokal, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre, ndoshta shumica, ishte e detyruar ta bënte në shtëpi, duke bërë shpesh që të hapeshin dyert e të gjithë komshinjve të katit e të ushtonte i gjithë pallati nga një përzierje tingujsh, avujsh, racash e aromash. Por kjo s’mbaronte me kaq.

Kështu veprohej për sigurimin jo vetëm të lokalit apo ambientit e ushqimit, por edhe të fustanit të nusërisë, zbukurimit ( dmth. kozmetikës), orkestrës etj, gjë e cila të hante jo vetëm kohën, por sillte një kokëçarje të madhe muaj e ndoshta vite të tëra, për të bërë më të mirën. Zakoni e donte që nusja të shoqërohej me taksi në derën e dhëndrit e taksia ishte në fakt një “mall luksi” shumë, shumë i kufizuar, i cili duhej të ishte privilegj i rrallë për të rinjtë shqiptarë që vendosnin të vinin kurorë.

Dasma nuk ishte vetëm një gëzim i përzierë çuditërisht me një stres të madh vetëm për ata që e organizonin, por duket se ka qenë njëkohësisht edhe një “shqetësim” për shokët e pushtetit, të cilët me kohë tashmë kishin vënë re shfaqjen e disa fenomeneve, të cilat me kohë i kishin “toleruar”.

Nga dasmat kishte, ashtusikurse dhe sot, një mori njerëzish që do të duhej të nxirrnin përfitimet e tyre, duke futur këtu domosdoshmërisht pjesëtarët e orkestrës, guzhinierin, punonjëset e kozmetikës, “manaxherët” e lokaleve, kamarierët etj. që funksiononin si një mekanizëm i vetëm, ku si vaj për ingranazhet e tij shërbenin sekserët apo njohjet, dhe sigurisht pikësëpari dhe paratë.
 
Kështu, në një relacion të datës 21.10.1980, përpiluar nga instruktorët e ekonomisë për Ministrinë e Brendshme, paraqitet në mënyrë të detajuar e gjithë problematika që shoqëronte këtë “ndërmarrje”, aq sa shqetësimi i tyre i përcillet me anë të ish-Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, Ramiz Alisë, për t’i vjelë një mendim se si duhej trajtuar kjo çështje në të ardhmen.

Diku në relacion thuhet: Orkestrat për dasma e raste të tjera gëzimi, kur këto organizohen në familje, por në disa raste edhe në lokale shtetërore, sigurohen në rrugë private nëpërmjet disa “sipërmarrësve” ose “përgjegjësave” që bëjnë edhe grafikët e kësaj pune. Ndërsa diku tjetër, shkruhet: Kur bëhen dasmat në shtëpi, ndërmarrjet tregtare japin me qira pajisje ( pjata, lugë, pirunj, gota etj), por meqenëse në disa data në Tiranë dasmat janë të shumta, krijohet radhë duke qëndruar me orë të tëra për marrjen e tyre. Shqetësimi i relatorëve, në fakt konstatonte në: “kufizimin e zgjerimit të aktiviteteve private, pa penguar shërbimin e populliut, sidomos në lokalet kryesore”.

Në përgjigjen që Alia i kthen ish-Ministrit të Brendshëm, gjithsesi shihet një tendencë për t’i toleruar këto “tradita”, duke hasur sipas tij, edhe në një kontradiktë në vlerësimin që i bëhej këtij fenomeni nga ekspertët e sektorit të tregtisë e ushqimit social të kohës. Në fakt, zhvendosja në kohë na bën jo vetëm të qeshim, por të shohim realisht ndryshimet që ka pësuar vetë shoqëria shqiptare edhe në këtë aspekt, ku organizimi i ceremonive të dasmave, tashmë është një veprimtari e cila ka ndryshuar rrënjësisht në praktikë e koncept. Më poshtë raporti i plotë:

                                                            * * *
dokument 1980
INFORMACION MBI DISA PROBLEME TË LINDURA RRETH DASMAVE


Në organizimin e dasmave, sidomos në Tiranë, gjatë muajve të verës, në këto 2-3 vjetët e fundit, vihen re disa shfaqje:

1. MBI PËRDORIMIN E LOKALEVE TË USHQIMIT SOCIAL PËR DASMA.


Një pjesë e mirë e dasmave bëhet në lokalet e ushqimit social ditët e shtuna dhe të diela, në disa raste kur ka shumë edhe të premteve, duke zënë për këtë qëllim edhe lokalet kryesore të qytetit si “Arbëria”, “Donika”, “Internacionali”, “Partizani”, “Drini” e të tjera. Kjo mënyrë veprimi ka zgjeruar shumë numrin e pjesëmarrësve në dasma që kur organizohen në shtëpi janë më të kufizuara. Puna ka arritur deri aty sa që porositë për lokale, bëhen qysh në fillim të vitit dhe, meqenëse shpeshherë nuk mjaftojnë, ka dhe ndërhyrje, hatëre, pagesa nën dorë etj.

2. MBI PUNËN E GUZHINIERËVE NË SHTËPI.


Një pjesë e qytetarëve që nuk marrin dot lokale ose që e organizojnë dasëm në shtëpi, përsëri në numër të madh pjesëmarrësish, marrin privatisht guzhinierë në shtëpi, të cilët e kanë bërë “rregull” që si shpërblim kërkojnë 100-150 lekë ose 2 lekë për çdo person të ftuar në dasëm. Kështu, afërsisht këtyre guzhinierëve, u bie që për 7-8 orë të marrin nga 100-200 lekë të reja.

3. MBI PJATAT DHE PAJISJET QË JEPEN ME QIRA.


Kur bëhen dasmat në shtëpi, ndërmarrjet tregtare japin me qira pajisje ( pjata, lugë, pirunj, gota etj), por meqenëse në disa data në Tiranë dasmat janë të shumta, krijohet radhë duke qëndruar me orë të tëra për marrjen e tyre. E njëjta gjë bëhet edhe për sigurimin e birrës, ndërsa rakia e mishi për dasmat, sigurohet me autorizim nga ndërmarrja tregtare ushqimore, mbi bazën e vërtetimit që merret nga organet e pushtetit në lagje.

4. MBI SIGURIMIN E TAKSIVE.

Si rregull, nuset merren me taksi. Duke qenë se numri i tyre është i kufizuar, për sigurimin e tyre qëndrohet në radhë sidomos në verë, me ditë e netë. Organet përkatëse, sidomos në Tiranë, për disa raste kanë mobilizuar edhe autovetura të ndërmarrjeve dhe institucioneve të ndryshme dhe i kanë vënë në shërbim të qytetarëve kundrejt pagesave. Por, megjithatë ka pasur mjaft shqetësime.

5. MBI SIGURIMIN E ORKESTRAVE


Orkestrat për dasma e raste të tjera gëzimi, kur këto organizohen në familje, por në disa raste edhe në lokale shtetërore, sigurohen në rrugë private nëpërmjet disa “sipërmarrësve” ose “përgjegjësave” që bëjnë edhe grafikët e kësaj pune. Këta muzikantë janë në marrëdhënie pune me shtetin, punonjës të institucioneve kulturore ose në ndërmarrje të ndryshme dhe një pjesë e veglave që përdorin janë të shtetit. Si “tarifë” për shpërblimin, si rregull, marrin rreth 100 lekë të reja për person ( 4-5 veta marrin 4-500 lekë) përveç bakshisheve që jepen gjatë dasmës.

6. MBI SIGURIMIN E FUSTANEVE TË NUSËRISË

Është bërë rregull që nusja të vishet me fustan të gjatë të bardhë nusërie dhe të stoliset me një numër të madh bizhuterie e ngjyrash të ndryshme. Në pjesën më të madhe, këto fustane e bizhuteri, kanë ardhur nga jashtë dhe disponohen nga disa persona që i japin me qira, duke marrë si “tarifë” rreth 200-300 lekë për një ditë. Zbukurimet e ngjyrosjet bëhen edhe në lokalet e shtetit, por në disa raste bëhen privatisht në shtëpi, kundrejt një shpërblimi nga punonjësist e kozmetikës.

7 . Në disa raste, para dasmave ka njerëz që llogaritin edhe se sa lekë do të fitojnë ( sa lekë do t’u jepen nga të ftuarit dhe sa lekë do të harxhojnë) dhe mbi këtë bazë përcaktojnë numrin e të ftuarve. Po bëhet rregull që mjaft shokëve të punës, të afërmve më të largët e të tjera, u bëhen ftesa duke u caktuar edhe orarin kur duhet të shkojnë për vizitë.  Të gjithë këta nuk shkojnë duar bosh.
                                                                        ** *
Për këto probleme, kemi tërhequr vëmendjen e organeve të tregtisë, të shërbimeve komunale e të transportit, që të tregojnë më shumë kujdes për organzimin sa më të mirë të shërbimeve që ka nevojë populli, për të kufizuar zgjerimin e aktiviteteve private, pa penguar shërbimin e populliut, sidomos në lokalet kryesore.

Por krahas kësaj, duke patur parasysh se këto janë probleme me karakter të mprehtë shoqëror, do të duhet që organizatat e partisë dhe levat e tyre, sidomos organizatat e masave, të bëjnë një punë më të madhe edukative për këto probleme, që këto ceremoni të rëndësishme në jetën e njeriut, të bëhen sa më të thjeshta, pa shqetësime e shpenzime të mëdha.

21.10.1980
Nga instruktorët e ekonomisë


(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit