Dokumenti ekskluziv/ Llazar 
Siliqi kundër Fadil Paçramit

Dokumenti ekskluziv/ Llazar <br />Siliqi kundër Fadil Paçramit
TIRANE- Më prill 1973, ndërsa kudo në rrethet letrare e artistike diskutohet e dënohet liberalizmi e modernizmi në art e çdo ditë lakohen emrat e Fadil Paçramit, Todi Lubonjës, Mihal Luarasit etj, një recensë plot kritika fshikulluese hartohet pikërisht në 12 prill nga poeti Llazar Siliqi. Ai analizoh dramën “Çështja e inxhinier Saimirit”, duke dënuar tendencat moderniste dhe frymën armiqësore të saj, e duke u shprehur hapur se inxhinier Saimiri është pikërisht alteregoja e Paçramit.

Nga fillimi deri në fund, kjo analizë e Siliqit, ku autorit të dramës nuk i kursehet asgjë, një tjetër sulm i adresohet Teodor Laços, të cilin Siliqi e akuzon se e mbron Paçramin  pa pasur argumente, madje aludon se kritikën e Laços, botuar në gazetën Drita, në mos e ka shkruar e ka diktuar vetë Paçrami. Dokumenti që sjellim sot për lexuesit e gazetës tonë, botohet për herë të parë. Ai ruhet në fondin 14 të AQSH, ndërsa dëshmon formën më klasike të sulmeve të organizuara ndaj personave që akuzoheshin e më vonë shpalleshin armiq të Partisë e të pushtetit popullor.    

 
 Dokumenti i plotë
 
Rreth dramës “çështja e inxhinier saimirit” Të fadil paçramit
 Drama nuk është botuar. Ajo u shfaq për herë të parë më 8 shtator 1971 në Teatrin e Durrësit “A. Moisiu”.
Kjo dramë, një vepër vërtet e dobët, skematike, racionale dhe e mërzitshme, nuk do të meritonte asnjë vëmendje të veçantë, në qoftë se në të nuk do të kishim (pikërisht edhe për shkak të racionalizmit të saj) shprehjen konkrete të disa pikëpamjeve të F. Paçramit, të cilat ai i përçonte me një këmbëngulje që kalonte deri në mani. Dhe është për të vërejtur se pikërisht këtë dramë gazeta “Drita” e ka reklamuar, lansuar e propaganduar me një zell të veçantë.

Në numrin 36 (5 shtator 1971) gazeta botoi një fragment të dramës, në numrin 37 (12 shtator) botoi reklamën e dramës, vënë në skenë nga Mihal Luarasi, me fotografinë e premierës, dhe në numrin 38 (19 shtator) botoi artikullin e Teodor Laços me titullin domethënës “Mprehtësia e problemeve” (pra ishin problemet, që kishin rëndësinë themelore në këtë dramë). Dhe pa kaluar muaji nga ky artikull i fundit, në “Drita” u botua kronika e diskutimit të organizuar në klubin “Studenti” të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku synohej që pikërisht këto probleme të gjenin jehonën dhe përkrahjen e dëshiruar.

Në “Drita”, edhe më vonë, në rubrikën e mendimeve të lexuesve apo në artikujt kritikë mbi dramaturgjinë, kjo dramë pa vlera ideoartistike u përmend për mirë me rast e pa rast, duke u bërë edhe shprehje e asaj njëanshmërie të gazetës “Drita”, për të cilën me të drejtë është kritikuar.
Artikulli kryesor, ai i Teodor Laços (i 19 shtatorit 1971), pa përmendur me hollësi lavdërimet e kota e të padenja, është, në radhë të parë, një kritikë preventive, një polemikë me kritikuesit e djeshëm të krijimtarisë dramaturgjike të F. Paçramit si edhe me kritikuesit e mundshëm të dramës “Çështja e inxhinier Saimirit”. Jo vetëm kaq. Në ndonjë pikë te T. Laço kemi të njëjtën terminologji të përdorur nga vetë F. Paçrami në “hyrjet” me të cilat ai i pajiste dramat, kur i botonte ndër vëllime, hyrje megalomane, imponuese e me insinuata kundër atyre që s’i kanë interpretuar e që s’do t’i interpretojnë dramat e tija ashtu si kërkonte ai, autori. Në librin “Edhe tri drama” (1970) F. Paçrami sulet, për shembull, kundër atyre që janë përpjekur, sipas tij, të gjejnë në veprën e tij emocione “të ëmbla” (po kush ia ka kërkuar ndonjëherë?).

Edhe në artikullin e T. Laços gjejmë të njëjtin pohim. “Natyrisht, - shkruan ai (duke polemizuar me ata kritikë, që “kanë kërkuar ndonjëherë prej tij që t’i japë më shumë vend ndjenjave” dhe “kanë vënë re tek ai një farë racionalizmi”), - po të jetë fjala për ndjenja të ëmbla dhe për shpërthime pasionesh intime (pyesim përsëri: kush ia ka kërkuar ndonjëherë?), as këtë herë autori s’ka për “të kënaqur” ata. “Artikulli të lë më shumë përshtypjen e një artikulli të diktuar, se sa të menduar vetë, edhe pse aty-këtu artikullshkruesi shihet se e ndjen veten ngushtë dhe detyrohet të bëjë ndonjë pohim me gjysmë goje se heroit kryesor të dramës, inxhinier Saimirit, autori mund t’i jepte “në disa situata më shumë forcë argumentimi dhe të mos përdorte aq shpesh vetëm mendimin që e gjithë kjo është shprehje e luftës midis së resë dhe së vjetrës”.

Por, që të dalë i qartë çdo shënim rreth dramës “Çështja e inxhinier Saimirit”, le të themi krejt shkurt ç’trajton kjo dramë:
Inxhinieri dhe pedagogu i Universitetit Saimiri, që sipas idesë së autorit është novator, përfaqësues autentik i së resë, luftërar kundër konservatorizmit, burrë dhe guximtar, ka bërë projektin e një ndërtimi industrial. Por një natë korpusi kryesor shembet. Për fat ai shembet natën, prandaj nuk shkakton viktima në njerëz. Grupi i ekspertëve (i kryesuar nga një inxhinier tjetër, dhe gjithashtu pedagog i Universitetit, Gramozi) e ngarkon Saimirin me përgjegjësi.

Në grup kundër është vetëm inxhinieria Holta, që e dashuron Saimirin dhe dashurohet prej tij. Gramozi, drejtori i ndërtimit Xhorxhi, prokurori (sepse Saimiri procedohet dhe në skenë zhvillohet gjyqi i tij) janë: intrigantë (Gramozi), burokratë (Xhorxhi) dhe të vetëkënaqur e konservatorë (prokurori). Ata, në dramë, padrejtësisht e akuzojnë Saimirin. Kurse Saimiri (edhe Holta), edhe pse s’ka akoma asnjë fakt për të provuar pafajësinë dhe drejtësinë e vet, vazhdon të pohojë me këmbëngulje se nuk ka faj. Këtë të drejtë, sipas dramës, Saimirit ia jep fakti se ai është novator, se ai lufton për të renë, kundër së vjetrës.

Drama përfundon (shënojmë këtu: me një deus ex machina, përmes altoparlantit, ndërsa në Universitet studentët janë ndarë në fillim më dysh dhe tani votojnë pro Saimirit dhe kundër Gramozit, duke u njoftuar spektatorët se fajin e paskësh pasur zbatimi dhe jo projekti i inxhinier Saimirit), drama përfundon, pra, me fitoren e kauzës së Saimirit, fitore, që arrihet jo përmes thellimit të personazheve e veprimit skenik, por me vullnetin e autorit.

Saimiri, me mendjemadhësinë, prepotencën, arrogancën a apriorizmin e tij, është një alter ego e autorit të dramës.

Autori, në dramë, është besnik i koncepteve të tij:
Së pari, mbi vënien në krye të çdo preokupimi të preokupimit për të luftuar kundër konservatorizmit (Holta pohon se “kjo është tema e ditës sot, dhe jo vetëm e Saimirit”).
Së dyti, mbi identifikimin e marshimit tonë përpara (që, ne e dimë, është një marshim drejt caqesh të qarta, të përcaktuara nga Partia jonë marksiste-leniniste) me udhëtimin drejt së panjohurës (Saimiri pohon se “çdo gjë e re ka edhe të papritura, nuk mund të njihen të gjitha, të parashikohen të gjitha”).

Së treti, Mbi identifikimin e eksperimentimit me novatorizmin siç e përmendëm edhe më lart, Saimiri ka domosdo të drejtë, vetëm sepse ka kërkuar, ka eksperimentuar, bile për “kërkimtarin”, për “novatorin”, sado zullume të bëjë, s’ka as gjyq që mund ta gjykojë, atë s’e dënon dot as mendimi i masës dhe as vetë gjykata popullore. Saimiri në mënyrë të prerë, i bindur qind për qind në pagabueshmërinë e vet, thotë se në projekt gabime nuk ka.

Kur prokurori i kujton Saimirit se ai, Saimiri, me gojën e tij ka pranuar se “si çdo gjë e re ka edhe kjo të panjohurën e  saj”, duke shtuar edhe se “do të ishte idiote nga ana ime të mos e njihja këtë”, inxhinier Saimiri ia përsërit me nervozizëm se “në projekt nuk ka gabime”. Dhe, kur prokurori e pyet se si duhet ta kuptojë këtë, Saimiri, me vetëbesim prej megalomani dhe me insultim fyes, i përgjigjet: “si shprehje e luftës në mes së resë dhe së vjetrës”).

     Së katërti, mbi kultin e ajkës, e novatorëve të shquar, të cilët bëjnë gjëra, që janë të paarritshme për ne, që janë mbi nivelin tonë mediokër (Holta, duke mbrojtur Saimirin, shpërthen; “a është e drejtë të akuzojmë shokun se ka përdorur disa metoda jo shkencore në llogaritjet që ka bërë, vetëm e vetëm se ato janë të panjohura për ne, për të vetmin shkak se janë të një niveli më të lartë shkencor, ku unë e ti nuk arrijmë akoma?”).

     Së pesti, mbi kultin dhe ekskluzivitetin e guximit, në fakt e një guximi megaloman e agresiv, e “guximit krijues” të novatorëve të shquar, që janë ata që kërkojnë gjithnjë diçka të re, në fakt që kërkojnë në radhë të parë formë (duke harruar se guximi dhe novatorizmi më i madh është pikërisht ngritja në këmbë dhe fitorja e popullit, të udhëhequr nga Partia, në luftën për çlirimin kombëtar e shoqëror, në luftën për ndërtimin e Shqipërisë socialiste), si; ta zëmë, ata reflektorët e vendosur në skenë të regjisorit M. Luarasi, që i manovrojnë vetë aktorët, gjë që shihet si një gjë e re dhe me vlerë në artikullin e përmendur të T.

Laços (dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” ai e quan pikërisht “një vepër për guximi, shqetësimet dhe dramat e ‘rrugëve të pashkelura’”, “një dramë për lindjen dhe rritjen e vështirë të së resë në frontin e saj të sulmit kundër së vjetrës”. Ne shtojmë këtu se në dramë forca sulmuese, goditëse është intelektuali novator, është rinia. Jo pa qëllim në dramë fajin e ka jo projekti i inxhinier Saimirit, por zbatimi. Jo më kot aksioni dramatik, në vend që të përqendrohej e thellohej në kantierin ku ka ndodhur shembja e korpusit kryesor, spostohet e kalon në Universitet, midis të rinjve, që do të vendosin ata, dhe jo kolektivi punëtor e vetë Saimiri edhe në gjyq e sulmon prokurorin, që në dramë është një figurë kryesisht negative.

Kritika e T. Laços ka vënë në dukje ftohtësinë, vetëkënaqësinë dhe ironinë e prokurorit, moskuptimin e së resë dhe prirjen e tij për të rënë lehtë nën presionin e intrigës dhe të thashethemeve, kritika bile quan shprehje të lartë të realizmit faktin që prokurori nuk bën as kthesë gjatë dramës, ai është, pra, një figurë për t’u stigmatizuar, “po të mendonim për një çast, - shkruan T. Laço, - që edhe në këtë dramë të bëhej një kthesë e Gramozit ose e prokurorit, ahere drama do humbiste shumë nga realizmi i saj dhe do të binte në vorbullat e skemës”. Saimiri e sulmon prokurorin, duke deklaruar se “akuza po kërkon argumente të padenja”, kurse Holta na paralajmëron se “mundet që edhe Saimirin ta dërgoni në gjyq ... por mos mendoni se arritët ndonjë fitore”.

Saimiri, kur merr fletëthirrjen për në gjyq, thotë i habitur: “Të them të drejtën këtë nuk e prisja, nuk ma merrte mendja se do të shkonte puna deri këtu”. Dhe më kot autori shqetësohet me shqetësimin e Saimirit, të cilin me zor kërkon të na e imponojë si një personazh shembullor pozitiv, si një luftëtar të së resë, që ka a priori të drejtë pikërisht sepse na qenka luftëtar i së resë: “është e tmerrshme, - ankohet Saimiri, - kur sheh se nuk të besojnë në ato që thua, në ato për të cilat lufton ... Ka edhe nga ata që më thurnin lavde para se të ndodhte ajo që ndodhi. Sot heshtin”.

     Së fundi, duke u mbështetur në dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” (“Sa i mirë!” Kështu e përkëdhel autori personazhin e vet, këtë alter ego të vetvetes!), duhet nënvizuar edhe teza e njohur e F. Paçramit mbi luftën e brezave, që duhet domosdo të tejkalojnë brezat e mëparshëm dhe, që ta bëjnë këtë gjë, duhet t’i luftojnë. Inxhinier Saimiri, pasi ka deklaruar në gjyq me mburrje se “nuk do të heq dorë, por do të vazhdoj në këtë rrugë”, e shpjegon këtë me arsyen se të tjerët, “edhe më të zotë”, “edhe më të rinj”, do t’i mbrojnë pikëpamjet e tij më mirë e më me sukses. Autorin e bren meraku ç’do të thonë brezat e ardhshëm për të. Holta, personazh binjak i Saimirit, ka hallin që “brezat e ardhshëm të na kritikojnë sa më pak”.

     Brezat që vijnë, në radhë të parë, për këtë ne jemi të sigurt, do të flasin me admirim për kohën tonë të lavdishme, që populli e ka quajtur “Koha e Partisë”. Brezat që vijnë do të flasin edhe për të metat e gabimet tona, porse ata do të venë re se vetë partia jonë heroike, marksist-leninisti i madh shoku Enver Hoxha, i kanë hetuar dhe luftuar këto të meta e gabime, se vetë ne, punëtorë, fshatarë dhe intelektualë revolucionarë, i kemi hetuar e luftuar, të armatosur me mësimet e Partisë, të shokut Enver, të bashkuar me një unitet të çeliktë, ku kanë thyer e do të thyejnë përherë hundët të gjithë armiqtë, të jashtëm dhe të brendshëm.

     Drama e F. Paçramit “Çështja e inxhinier Saimirit”, me pikëpamjet që përçon, është një vepër e dëmshme, që, në emër të “kërkimit të së resë”, në mënyrë që mos ta kthejmë realizmin socialist “në një këllëf të ngushtë”, u hap shteg pikërisht ndikimeve të huaja liberale, kundër të cilave, nën udhëheqjen e Partisë, janë ngritur sot në këmbë edhe shkrimtarët dhe artistët tanë.
 
LLAZAR SILIQI
Tiranë, 12 prill 1973.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore