Dokumenti Ekskluziv/Pse regjimi
i ndaloi veshjet tradicionale

Dokumenti Ekskluziv/Pse regjimi<br />i ndaloi veshjet tradicionale
TIRANE- Në shtator të 1967, një fenomen pak grotesk në dukje po ndodhte në Shqipëri, sidomos në veri të vendit. Një varg letrash nga populli i ishin adresuar Komitetit Qendror dhe Enver Hoxhës, ku populli ankohej se drejtuesit e Partisë iu impononin njerëve, sidomos fshatarëve, të ndryshonin veshjet kombëtare tradicionale me veshje te reja të dyqaneve. Arsyeja ishte që ata të visheshin më lehtë që të ishin edhe më produktivë në punët e përditshme në bujqësi e blegtori. Ndërsa populli as që pranonte të hiqte dorë nga veshjet që kishte mbajtur prej shekujsh.

Ky konflikt i çuditshëm krijoi një shqetësim të ri. Udhëheqësit komunistë kishin orientuar vërtet njerëzit e partisë për një aksion në ndërrimin e veshjes, por theksi ishte vënë në veshjet e huaja, apo me ndikime fetare, ndërsa veshjet kombëtare do të përdoreshin për raste festash e gëzimesh dhe se ato duheshin ruajtur si një pasuri e madhe  e traditës vendase. Ky orientim i udhëheqjes, me shumë gjasë ishte marrë si një përgjithsim. Dhe ndalimi ishte artikuluar për të gjithë veshjet me apo pa ndikim fetar apo të huaj.  Revolta shpirtërore e masës ishte rritur deri atje, sa në fund të shtatorit 1967, Komiteti Qendror harton një letër dhe ua dërgon gjithë Komiteteve të Partisë së rretheve, me anë të së cilës vihen në dijeni mbi letrat që kanë ardhur në KQ nga populli, sidomos nga fshatarë të cilët ankohen për organe të Partisë, e të pushtetit dhe për kuadro të ndryshme, që kanë ndërhyrë për veshjet e tyre duke përdorur madje metoda të papranueshme.

Drejtuesit e komiteteve të rretheve porositen që të kenë kujdes në ketë drejtim, sepse nuk është kërkuar sipas tyre të hiqet dorë nga veshjet tradicionale me karakter kombëtar, por ato veshje që janë sjellë nga të huajt, klasat shfrytëzuese dhe feja, siç janë çitjanet ose dimitet, shallvaret, ferexhetë, perçet etj..
Letra orientuese e Komitetit Qendror, e firmosur në fund nga Hysni Kapo, bën thirrje që të kihet kujdes me këtë çështje, e të mos i krijohen shqetësime të kota popullit. Dokumenti botohet për herë të parë në “Shqiptarja.com” dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
 
Dokumenti i plotë
 
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
Nr. 795 Prot.                             
 
Tiranë, më 23.9.1967
Sekret
 
GJITHË KOMITETEVE TË PARTISË TË RRETHEVE
 
Komitetit Qendror i kanë ardhur letra nga populli, sidomos nga fshatarë, të cilët ankohen për organe të partisë e të pushtetit dhe për kuadro të ndryshme që, me metoda jo të drejta, u imponohen njerëzve të ndryshojnë veshjet kombëtare tradicionale dhe t’i zëvendësojnë këto me të tjera të reja, si ato që përdoren në qytete, të cilat i shesin të gatshme organet e tregtisë.
Komiteti Qendror asnjëherë nuk ka orientuar që populli të heqë dorë nga veshjet tradicionale me karakter kombëtar. Këto veshje që janë të shumëllojshme në të gjithë Shqipërinë, përbëjnë një thesar të paçmuar që ne trashëgojmë nga e kaluara. Ne krenohemi me plot të drejtë që populli ynë, gjatë shekujve e gjer në ditët e sotme, i ka mbajtur të pastra veshjet e tij të bukura kombëtare, që bëjnë pjesë në zakonet e mira dhe në folklorin tonë.

Ky trashëgim i pasur dëshmon për qëndrueshmërinë dhe forcën e paepur të popullit shqiptar, i cili, me gjithë peshën e rëndë të pushtimeve të egra të njëpasnjëshme, në luftëra heroike të pandërprera kundër tyre, asnjëherë s’është përkulur, por ka çarë rrugën me shpatë në dorë, me një shpirt të lartë luftarak, duke ruajtur të paprekura karakteristikat e tij të veçanta, midis të cilave edhe veshjet kombëtare që e kanë dalluar kurdoherë nga pushtuesit. Për këto arsye partia na porosit të ruajmë me kujdes si një pasuri shumë të vlefshme çdo traditë kombëtare.
Komiteti Qendror ka porositur të zhduken vetëm ato lloj veshje që nuk janë tonat, që na i kanë sjellë të huajt, klasat shfrytëzuese dhe feja të lidhura me to, siç janë çitjanet ose dimitet, shallvaret, ferexhetë, perçet etj. Në këtë drejtim është bërë dhe duhet të vazhdohet të bëhet një punë akoma më e mirë bindëse, derisa të tilla veshje të zhduken krejtësisht nga jeta e popullit tonë. Kurse për veshjet tradicionale kombëtare asnjëherë nuk është folur dhe nuk mund të bëhet fjalë për t’i zhdukur. Prandaj nuk duhen prekur ndjenjat e popullit, nuk u duhet folur me përbuzje njerëzve që i përdorin veshjet thjesht kombëtare e të bukura të trashëguara nga të parët, bile me rast të vihet në dukje vlera e madhe që kanë ato, që të tregohet kujdes nga të gjithë ata që i kanë për ruajtjen e tyre.

Në qoftë se partia ka ngritur problemin dhe këshillon që populli, sipas krahinës dhe terrenit, të vishet me rroba më lehta, të lira dhe më pak të kushtueshme e të përshtatshme në punë dhe në jetën e përditshme, gjë që është e drejtë dhe në këtë drejtim shembullin si kurdoherë duhet ta japin anëtarët e Partisë, me këtë nuk duhet kuptuar që t’u vihet fshesa veshmbathjeve kombëtare dhe të merren masa administrative burokratike për ndalimin e tyre, duke fyer e për ndalimin e tyre, duke fyer e përbuzur ata që vazhdojnë t’i mbajnë, siç është treguar në disa raste.
Një komunist nga lokaliteti i Fanit i ka drejtuar një letër shokut Enver, me të cilën shpreh shqetësimin e tij dhe të fshatarëve lidhur me këtë problem dhe kërkon që jashtë punës dhe në familje, sidomos gratë, të lejohen që të shfrytëzojnë veshjet e tyre që, sipas zakonit kur ishin vajza para se të martoheshin, i bënin me shumicë dhe tani po i mbeten pa i përdorur ato që u kanë tepruar, se nuk ua lenë t’i veshin. Ky shqetësim, është i kuptueshëm, e lind për arsye se as ai vetë, as populli nuk janë të qartë mbi këtë problem, se duket që nuk i kanë sqaruar ashtu si porosit partia.

     Edhe një grua fshatare nga Gojani i Epër i rrethit të Pukës, në letrën që i drejton shokut Enver, e informon atë gjithashtu se kryetari i lokalitetit i ka njoftuar të ndërrojnë veshjen, sepse kush nuk i ndërron, ai nuk qenka me partinë.
     Komiteti Qendror ju porosit të ndalohen kategorikisht veprime të tilla të dëmshme administrative burokratike, kjo çështje të merret seriozisht dhe të sqarohet e veprohet me kujdes, siç ka porositur kurdoherë partia dhe si ka folur shoku Enver gjatë vizitës që bëri para disa ditësh në rrethin e Shkodrës, duke i treguar popullit si mendon partia për këtë problem.

     Lidhur me ndërrimin e veshjes, në festën e Reçit në Shkodër, shoku Enver ka këshilluar edhe një herë që të mos hiqen të gjitha llojet e veshjeve në vendin tonë, por vetëm ato që kanë shenjën e pushtuesve, të kishës e të xhamisë, pra ato që kanë prejardhje të huaj dhe fetare, ndërsa veshjet karakteristike popullore që janë të bukura, të ruhen. Por çdo ditë dhe sidomos gjatë punës, që të mos prishen shpejt, punëtori ose fshatari nuk i mban dot vazhdimisht disa nga këto veshje, se kushtojnë shtrenjtë dhe çdo gjë që është e shtrenjtë, rëndon ekonomikisht familjen. Kjo nuk do të thotë t’i zhdukim këto veshje, por t’i vëmë mënjanë, t’i ruajmë në dollap dhe mbajtësit e tyre t’i përdorin ato në raste gëzimesh e festash kombëtare, popullore, familjare, si veshje karakteristike, kurse në jetën e përditshme, gjatë punës, është e këshillueshme, por jo të detyrohet njeri, që të mbahen sipas stinës rroba të thjeshta, të lira dhe të lehta, kurse në zonat e thella malore, me dimër të gjatë e të ashpër, nuk duhen këshilluar veshje të papërshtatshme e të holla që dëmtojnë shëndetin e njerëzve, që është pasuria më e çmuar e partisë.

Prandaj duhet parë edhe ana higjienike shëndetësore e këtij problemi.
     Natyrisht, kjo punë duhet bërë me kujdes, kurdoherë në rrugën e bindjes dhe në asnjë mënyrë të mos përdoren metoda shtrëngimi burokratike e administrative që i prekin njerëzit, i shqetëson shpirtërisht ata, veprime këto që dëmtojnë lidhjet e partisë me masat.
     Përmbajtja e kësaj letre të shërbejë si orientim për tërë partinë që të mos i shkaktohen probleme e shqetësime të kota popullit dhe t’u jepet fund hapave të pamenduara e të gabuara të ndërmarra në këtë drejtim në mënyrë të papërgjegjshme nga kushdo qoftë.
 
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
Hysni kapo
 
Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit