Dokumenti/ Kuvendi 17 detyra për SPAK-un: Shënjestroni zyrtarët e lartë, këtë po presin shqiptarët dhe SHBA-BE! BKH-ja zyra edhe jashtë Tiranës 

Dokumenti/ Kuvendi 17 detyra për SPAK-un: Shënjestroni zyrtarët e lartë, këtë po presin shqiptarët dhe SHBA-BE! BKH-ja zyra edhe jashtë Tiranës 

Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, pas analizimit të veprimtarisë vjetore për vitin 21, ka hartuar një dokument me 17 detyra, të cilat duhet të zbatohen nga SPAK-u gjatë vitit 2022. Projektrezoluta e hartuar nga Komisioni i Ligjeve dhe që do të miratohet në Parlament, i kërkon SPAK-ut që të shikojë mundësinë e ngritjes së zyrave mbështetëse të Byrosë Kombëtare të Hetimit edhe jashtë Tiranës. 

Kuvendi kërkon nga SPAK që të rrisë hetimet kryesisht, pra pa një kallëzim penal konkret, si dhe të rrisë hetimet proaktive ndaj krimit dhe korrupsionit. Në dokument kërkohet që hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK-ut të fokusohen në hetimin e aferave korruptive të zyrtarëve të lartë, për goditjen e të cilëve ka pritshmëri të mëdha nga shqiptarët dhe  ndërkombëtarët. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon bllokimin e pasurive që burojnë nga krimi dhe korrupsioni, por duke garantuar të drejtat e njeriut në procedimet penale.

Nga SPAK kërkohet edhe një sistem treguesish për punën e çdo prokurori, në funksion të rezultateve më të mira në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga SPAK kërkohet edhe rritja e transparencës nga SPAK, për informimin e publikut dhe të grupeve të interesit. 

Mazhoranca ka vlerësuar punën e SPAK në goditjen e krimit të organizuar, por ka shprehur rezerva sa i takon luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, në raport me pritshmërisë. Përfaqësues të shumicës kanë kërkuar që SPAK, krahas hetimit të deputetëve dhe ish ministrave të saj, të hetojë edhe aferat e dyshes Berisha-Meta. 

17 detyrat e Kuvendit për SPAK-un 

1. Të konsiderojë thelbësore në veprimtarinë e SPAK, pavarësinë institucionale dhe funksionale të strukturës dhe veçanërisht, pavarësinë e prokurorëve në hetim dhe vendimmarrje si dhe përgjegjshmërinë e llogaridhënien e tyre në funksion të rezultateve më të mira në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke krijuar një sistem të qartë treguesish për punën e çdo prokurori e hetuesi si bazë edhe për vlerësimin e promovimin e tyre individual mbështetur në rezultatet konkrete të punës.

2. Të vlerësojë si prioritet forcimin e cilësisë së hetimeve përmes përdorimit me efikasitet të teknikave proaktive të hetimit, rritjes së numrit të çështjeve të hetimeve kryesisht dhe hetimeve proaktive, përdorimit më efikas dhe në kufijtë e ligjit të udhëzimeve të përgjithshme nga ana e drejtuesve të prokurorisë së posaçme, rritjen e shpejtësisë në hetime duke rritur numrin e cështjeve që përmbyllen në një vit dhe dërguar për gjykim si dhe marrjen e masave për aksesin e drejtpërdrejtë në të gjitha databazat shtetërore nga struktura e posaçme për të hetuar çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

3. Të forcojë mekanizmat e kërkesës dhe llogaridhënies së brendshme administrative, të prokurorëve dhe hetuesve të SPAK, për eficencën dhe efikasitetin e punës, pa cenuar pavarësinë e nevojshme për marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit nga prokurorët të funksionit të tyre ligjor duke rivlerësuar metodologjinë e hedhjes së shortit, plotësimin e detyrimit për ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve që janë objekt shqyrtimi i SPAK në përmbushje të rekomandimeve në Progres-Raportet e KE dhe Rezolutat e Kuvendit si dhe zbatimit të detyrimeve ligjore.

4. Të nxisë prokurorët dhe hetuesit e SPAK dhe sidomos drejtuesit e tyre për të pasur më shumë fokus, përgjegjshmëri dhe hetime kryesisht dhe proaktive në çështjet e korrupsionit në nivelin e zyrtarëve të lartë, me prioritet çështjet me interes të veçantë publik, pavarësisht kohës së kryerjes së tyre dhe personave të përfshirë në to, për të cilat mbetet ende e fortë pritshmëria dhe shpresa e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për respektimin e barazisë para ligjit nga institucionet e reja të drejtësisë, dhe veçanërisht ndaj SPAK.

5. Të vijojë forcimin e luftës kundër korrupsionit nëpërmjet ndjekjes penale, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat e lidhura me korrupsionin dhe të zbatohen standardet më të mira në drejtim të garantimit të të drejtave të njeriut në procedimet penale, të drejtës për proces të rregullt, parimit të barazisë së shtetasve përpara ligjit dhe parimit të proporcionalitetit, parimit të ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.

6. T’i kushtojë një vëmendje të shtuar zbatimit të kërkesave të ligjit në çështjet penale të cilat transferohen nga Prokuroria e Posaçme në Prokuroritë e rretheve gjyqësore për efekt të juridiksionit.

7. Të përmbyllë procesin e plotësimit të vendeve vakante në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe funksionalitetin e saj si dhe përmbylljen e të gjitha vakancave në strukturën e BKH-së për sa i përket rekrutimit të 60 hetuesve dhe të krijohet struktura e masave për ushtrimin e kontrollit efektiv nga ana e prokurorëve mbi punën e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

8. Të zbatojë në kohë, detyrimet që rrjedhin nga ligji për funksionimin efikas të sektorëve të dokumentacionit, studimeve, e sidomos atyre të ekspertizës dhe hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme si dhe shërbimeve të policisë gjyqësore pranë BKH-së si dhe për sa çmohet e nevojshme ngritjen e zyrave mbështetëse jashtë Tiranës.

9. Të vazhdojë puna për mirëfunksionimin e SPAK, për zbatimin e përcaktimeve të shkronjave dh), ë) dhe f) të pikës 2 të nenit 15 të Ligjit Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” si dhe për bashkëpunimin me ekspertët ndërkombëtarë të drejtësisë penale për ngritjen dhe zhvillimin e BKH.

10. Të vijojë koordinimin e veprimtarisë ndër-institucionale dhe efektivitetin për hetimet në ndjekjen penale të financimit të terrorizmit dhe në hetimet pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, në vijim të zbatimit të planit të veprimit të Grupit të Shqyrtimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar/Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (ICRG/FATF) si dhe të raportohet në Kuvendin e Shqipërisë çdo 6 muaj për përmbushjen e detyrimeve përkatëse.

11. Të miratojë një plan veprimi të mirëkoordinuar për forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet organizimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta trajnuese me institucione/agjenci ligjzbatuese, në bashkëpunim me misionet dhe projektet ndërkombëtare që asistojnë sistemin e prokurorisë.

12. Të vijojë zhvillimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe hetuesve e oficerëve të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta me fokus në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave me agjencitë e zbatimit të ligjit.

13. Të realizojë marrëveshjet teknike të bashkëpunimit me agjencitë ligj-zbatuese rajonale dhe ndërkombëtare në funksion të efektivitetit të hetimeve për veprat penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave, krimin e organizuar, si dhe luftën kundër terrorizmit.

14. Të publikojë udhëzimet e përgjithshme në faqen zyrtare të institucionit sipas përcaktimeve të nenit 46 pika 5 të Ligjit Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

15. Të marrë masa për rritjen e transparencës publike përmes një strategjie komunikimi aktive me publikun, informimit të qytetarëve, grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile.

16. Të raportojë në Kuvend në përputhje me përcaktimet e Vendimin të Kuvendit Nr. 134/2018 “Për miratimin e manualit të monitorimit vjetor dhe periodik” si dhe, për aq sa është e mundur, për evidentimin e problematikave dhe rekomandimet përkatëse për parandalimin e kriminalitetit dhe korrupsionit në shoqërinë shqiptare, në funksion të nevojës për të ndërtuar politika më të mira shtetërore në interes të së ardhmes së vendit.

17. Të vijojë përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Evropian referuar rekomandimeve të lëna në Progres Raportin e datës 19.10.2021, përfshi edhe marrjen e masave për krijimin e "track rekordit” solid për procedimet penale të korrupsionit në nivele të larta, kusht i vendosur edhe nga Komisioni Evropian.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miri: 16/07/2022 07:58

    Po ci duhen zyrar bkh dhe spakut jashte tr. Ore po spak nuk eshte prokurori rrethi se po i katandisni keto struktura si mos me keq

    Përgjigju
  • Noli: 15/07/2022 13:43

    SPAK është ngritur për te hetuar krimin e korrupsionin ne nivelet e larta. Ata merren me shperdorimin e detyres dhe hashashin. Kam dalë plotsisht nga detyra që jan krijuar.

    Përgjigju
  • E vertete: 15/07/2022 02:20

    Apo me bejne syte? Kuvendi i maxhorances rilindase qe cdo veprim e ben sipas oreksit tè krietarit, i jep "vike sjellje" SPAK te hetoje Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, deputetet, Kryeministrin dhe Ministrat dhe pastaj cpermban titullare institucinesh per korrupsion. Zyrtare me te larte se keta nuk ka dje qe vertet jane te perfshire direkt ne korrupsion te thelle!

    Përgjigju
  • Koqo: 14/07/2022 19:56

    60 hetues te BKHse a jane te mjaftueshem per gjith Shqiperine?

    Përgjigju
    • Jakobin: 15/07/2022 02:39

      Nuk duhen per tere Shqiperi por vetem per Kuvend dhe Qeveri. Ata jane "te lartet".

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë