Por në brendësi të saj, dosja e CIA-s, fsheh edhe shumë gjykime e vlerësime që parë nga optika e sotme, na bëjnë të mendojmë se shumëçka që ka mundur të dalë e qartë vetëm pas demokracisë në vendin tonë, prej CIA-s dihej e vlerësohej saktësisht në kohë e përmbajtje.
Nëse do të shihnim me kujdes, duke marrë në analizë periudhën e shkëputjes ndaj tutelës jugosllave dhe afrimin me BRSS, CIA gjykonte se: Largimi i intelektualëve gjatë periudhës së predominancës jugosllave në Shqipëri mbështet fort kontestimet e palës shqiptare se jugosllavët mbështesnin krahun proletar në PKSH gjatë kësaj periudhe, por dështimi i Hoxhës për të rifutur në lojë ndonjërin prej intelektualëve pas prishjes, duket se e refuzon pretendimin se Hoxha as nuk i mbështeti, e as nuk u simpatizua prej tyre.
Dhe në vitet direkt pas lufte, pasi jugosllavët vijuan të konsolidonin pozicionin e tyre në Shqipëri, nuk ka asnjë evidencë se qoftë Hoxha, si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, dhe as Xoxe si Ministër i Brendshëm, po i rezistonin dominimit jugosllav në ndonjë formë apo një tjetër.
Diku tjetër në dokument thuhet: Është shumë kurioze në dritën e akuzave të vazhdueshme shqiptare dhe kundërakuzave jugosllave ndaj tyre, të mësosh se ishte Koçi Xoxe, “titisti” shqiptar, i cili mori drejtimin në korrik dhe gusht në denoncimin e regjimit të Titos dhe lavdërimit të BRSS, kur Enver Hoxha në kohën që po flasim, ishte tejet pasiv.
Si kundërpeshë CIA theksonte në lidhje me rivalitetin Xoxe-Hoxha se: Në ndryshim nga Hoxha, Xoxe ishte aktiv përgjatë gjithë kësaj periudhe. Ishte ai që sigloi urdhërat për anulimin e marrëveshjeve me Jugosllavinë dhe komunikatën e partisë më 16 korrik, që refuzonte ftesën për të marrë pjesë në kongresin e LKJ që do të organizohej së shpejti.
Ishte gjithashtu Xoxe i cili mbajti fjalimin kryesor në Shoqatën Kulturore shqiptaro-sovjetike në korrik, në të cilin ai u zgjodh edhe President i saj, dhe që kryesoi në një ceremoni solemne të organizuar në Tiranë më 2 shtator, për vdekjen e Zhdanovit.
Hoxha ishte prezent gjatë vizitës së delegacionit ushtarak sovjetik në datat 9-14 korrik 1948. Përveç dekorimit të delegacionit dhe fjalës në Ditën e Ushtrisë më 10 korrik, ai nderoi delegacionin me një darkë më 12 korrik dhe i shoqëroi ata në kthim më datë 14.
Ai u shfaq sërish më 25 korrik për të përshëndetur një kongres grash dhe për të lajmëruar se një delegacion tregtar po nisej atë ditë drejt BRSS. Ai nuk u shfaq më vonë, në asnjë rast, deri në mesin e shtatorit 1948. CIA arrin në përfundimin se: Të gjitha këto indicie tregojnë se Xoxe po e forconte pozicionin e tij dhe me shumë gjasa, po përgatitej të merrte numrin një në parti e të zinte vendin e Hoxhës.
Po ashtu, në lidhje me arsyet e daljes jashtë sferës së kontrollit sovjetik të Jugosllavisë në fillim, e më pas të Shqipërisë, CIA shprehej se: Ato parti që operonin nën tutelën direkte të BRSS gjatë Luftës së Dytë dhe kishin ardhur në pushtet me ndihmën e Ushtrisë Sovjetike nga fundi i Luftës, në përgjithësi kishin qenë luajalë ndaj Moskës.
Ato, të cilët e morën pushtetin pa ndihmën direkte të saj dhe liderët të cilët kryesisht nuk kishin pasur kontakt direkt me Kremlinin gjatë gjithë Luftës, ( Jugosllavia dhe Shqipëria) u provuan se ishin jo besnikë ndaj saj.
Më tej, analiza theksonte se: Kur sistemi i kontrollit të Stalinit nuk mund të shtrihej dot aq larg sa të mund të vendosej në provë për herë të dytë pas asaj që pasoi konfliktin me Titon, zhvillimet e mëpastajme provuan se aseti bazë i Moskës në secilin prej satelitëve është besueshmëria e liderëve të tij.
Në çdo instancë të diferencave serioze mes Moskës dhe një sateliti ( përjashto Hungarinë ku edhe udhëheqësit e partisë e humbën kontrollin në ditët e fundit të revoltës), kanë qenë liderët satelitë që e kanë kontrolluar situatën.
Moska ishte e paaaftë, për shembull, të parandalonte rikthimin e Gomulkës në pushtet në vitin 1956, përballë dështimit të Sekretarit të Parë dhe një mazhorance të liderëve kryesorë polakë, që po mbështeteshin nga rangjet e larta dhe populli polak.
Ngjashmërisht, në Jugosllavi, në vitin 1948, dhe në Shqipëri në vitin 1960, anëtarët pro-sovjetikë ekzistonin brenda lidershipit të partisë, por ata ishin të paaftë për të larguar liderët kryesorë që kontrollonin partinë.
Një vlerësim tejet i rëndësishëm është edhe ai se si i shihte Perëndimi ( shprehur gjithsesi me syzet e CIA-s) pasojat e prishjes së ish-Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë në terma afatshkurtër e afatgjatë.
Kështu, në raportin “Top Secret” të CIA-s, ndër të tjera thuhej se: “Për Perëndimin, prishja mes BRSS dhe Shqipërisë, u dëshmua me avantazhe, të paktën në terma afatshkurtra, për të përkeqësuar konfliktin ruso-kinez dhe për të minuar edhe më shumë kontrollin e Moskës në lëvizjen komuniste ndërkombëtare.
Por domethënia e saj në terma afatgjatë, mbetet e paqartë”. Gjithsesi duhet mbajtur parasysh se kishte shumë pak kohë nga “braktisja” që BRSS i kishte bërë Shqipërisë për t’a lënë me ndërgjegje në krahët e Kinës, për të cilën CIA i referohet edhe shprehjes së famshme të Hrushovit, kur u pohonte kinezëve në katakombet e sallave të Kremlinit, ndërsa po përfundonte Mbledhja e 81 partive: Ne e humbëm Shqipërinë, por çfarë humbëm, dhe ju e fituat Shqipërinë, por çfarë fituat?!
Më parë CIA, në vazhdën e krahasimeve që bënte mes dy padronëve komunistë të Hoxhës, konstatonte se: Nëse investimet sovjetike në Shqipëri ishin të dobëta në pranverë të vitit 1948, jugosllavët shumë shpejt do të mësonin se të tyret kishin qenë të pamjaftueshme – dhe jo më të efektshme se sa ato të sovjetikëve, çka u provua në 1960.
Një pjesë e shkëputur nga këto vlerësime kanë të bëjnë edhe me ndryshimin në kohë që iu bë shkëputjes respektive që Tirana bëri nga Beogradi dikur, dhe Moskës në vitin 1960-’61, çka vë në dukje fuqinë fare të pabazë jugosllave në Shqipëri.
Kështu aty thuhej se: Përveç shtatë viteve të një bashkëpunimi shumë të ngushtë dhe një asistence ekonomike në shkallë të gjerë, kontrolli jugosllav në Shqipëri ishte aq i dobët, saqë vetëm një javë nga rezoluta e Kominformit, e qershorit 1948, kapacitetet operuese dhe asetet jugosllave në Shqipëri u çmobilizuan plotësisht.
( Vijon në numrin e ardhshëm)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)