Dokumenti sekret/ Diktatura
që ‘frikësohej’ nga barsoletat - PDF

Dokumenti sekret/ Diktatura<br />që ‘frikësohej’ nga barsoletat - PDF
TIRANE- A mund të rrezikohet një shtet diktatorial nga anekdotat dhe barsoletat?  Madje deri në atë masë sa të kthehet në paranojë...të hartohen letra me shënimin “Sekret” për Komitetin Qëndror të PPSH e me këtë çështje të merret më pas vetë Ramiz Alia, duke hartuar një urdhër e duke e shpërndarë në Komitetet e Partisë në gjithë rajonet e Shqipërisë e shumë struktura të tjera shtetërore.

Mund të duket ndërmarrje donkishoteske sot. Por për një regjim që e kishte bazën tek edukimi ideologjik, një çështje e tillë merrte rëndësi të veçantë. Ja ngjarja, që për disa lexues mund të jetë edhe thjeshtë argëtuese...

Me 6 prill 1973, nga Peshkopia, Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Sami Gega shkruan letrën e tij me shënimin sekret, ku informon Komitetin Qëndror të PPSH për  fenomenin e përhapjes së një varg barsoletash e anekdotash që  dëmtonin sipas tij “formimin e opinionit të shëndoshë revolucionar”.

Sipas tij “të tilla anekdota e barsoleta nën perden e humorit “qesh e ngjesh” drejtohen dhe kanë për objekt shumë aspekte të jetës sonë...si: për të inkurajuar ndasinë krahinore, për të metat në tregun tonë, për qarkullimin apo dërgimin e kuadrove si dublant, për kulturën, policinë etj...”.

Hartuesi i këtij dokumenti rendit një varg barsoletash e anekdotash, duke i sjellë si shembull e duke i shoqëruar me komentin e tij, ku nënvizon pasojat që mund të shoqërojë përhapja e tyre në popull.

Pas kësaj letre, me 30 prill 1973 nga Komiteti Qëndror i PPSH del një urdhëresë, me emrin e Ramiz Alisë për gjithë Komitetet e Partisë në rrethe mbi kritikën e anekdotave me përmbajtje të gabuar. Në këtë shkresë të dytë, thuhet se krahas anekdotave me përmbajtje të shëndoshë, në disa raste qarkullojnë dhe të atilla që kanë përmbajtje të gabuar ideologjike dhe politike dhe ndaj tyre tregohet “një mendjelehtësi e madhe e si rrjedhim mbahet një qëndrim tolerant i palejueshëm”. Sipas këtij urdhëri të komitetit qëndror këto anekdota e barsoleta duhet të ndalohen e të pengohet përhapja e tyre.  Se deri në ç’pikë shkon paranoja, këtë e tregon fraza e mëposhtme shkëputur nga ky urdhër: “...për krijimin dhe përhapjen e tyre janë të interesuar veçanërisht armiqtë tanë të cilët u fryjnë këtyre anekdotave në forma e mënyra të ndryshme”.
Për lexuesit tanë, po sjellim dy dokumentet e plota, letrën e sekretarit të Komitetit të Partisë Peshkopi dhe  urdhëresën që del nga Komiteti Qëndror për ndalimin e këtyre anekdotave me përmbajtje armiqësore.  Dokumentet ruhen në fondin 14 në AQSH.
 

  
Dokumenti 1

“Sekrete”
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT
D I B Ë R                                      
Nr. 218 Prot.                                       
 
Peshkopi, më 6.4.1973
 
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
(Shokut Gafurr çuçi)
T i r a n ë
 
Ka kohë që qarkullojnë anekdota e barsoleta, të cilat na duket se dëmtojnë formimin e opinionit të shëndoshë revolucionar. Në pamjen e parë ato të japin përshtypjen se bëhen për humor, për të kritikuar të metat. Sukseset tona në të gjitha fushat e jetës janë të mëdha e të pakrahasueshme. Të meta e dobësi ka, ndaj të cilave Partia ka luftuar e lufton, por ato mendojmë se nuk meritojnë një trajtim të tillë, duke u futur si anekdota për të kaluar kohën e lirë. Veçanërisht të tilla qarkullojnë në rrethet intelektuale e në masën e rinisë shkollore. S’përjashtohet mundësia e përdorimit të tyre nga elementë armiq, duke hedhur gurin e fshehur dorën.
     Të tilla anekdota e barsoleta nën perden e humorit “qesh e ngjesh” drejtohen dhe kanë për objekt shumë aspekte të jetës sonë.
    
Për të inkurajuar ndasinë krahinore:
     - “Hodha grepin në Bunë zura një krap, e hodha në Lanë, zura 10 labë”. Kjo do të thotë se na mbuluan labët.
     - “Dakord jemi me alfabetin, - tha një lab në Kongresin e Drejtshkrimit, - por veç germa “l” të dalë e para që të lexohet “l, a, b”. Edhe kjo anekdotë nxit e inkurajon urrejtjen ndaj labëve.
     - “U hodh për diskutim ndërrimi i emrit të parasë. Dikush tha emrin “napolon”, njëri “frang”, një tjetër “dollar”, por në fund njëri propozoi “kolonjar”. Gati u pranua kjo e fundit, mirëpo u ngrit kolonjari e tha: “S’jam dakord se kur të blesh një gomar do të duhet të thuash: gomari kushtoi 30 kolonjarë”. Këtë anekdotë tani e përdorin edhe në variantin sikur labi propozoi që vetëm të hiqet germa “k” e në vend të saj të vihet “b”, pra jo “lek” por “leb”.
     - “Shkodrani e korçari vunë bast kush të qëndrojë më shumë me derrin në boks. Hyri korçari, ndenji e ndenji, por pas 5 minutash doli derri nga boksi”. Pra korçari është lokalist, i pashoqërueshëm sa që edhe derri nuk pranoi të rrijë me të.
    
Për të metat në tregun tonë:
     - “Përpara në tabelën e dyqanit lexoje: “Kasap”, hyje brenda, gjeje mish, tani në tabelën e dyqanit lexon “mish”, hyn brenda, gjen “kasap”. Sipas kësaj anekdote del se më përpara kishte bollëk e tani jo. Ky është shtrembërim i realitetit.
     - “Një kavajas vdiq. Xhebraili i tha: Ti do të shkosh në xhehenem, por ke të drejtë të zgjedhësh xhehenemin socialist apo atë kapitalist. Kavajasi i vdekur u hodh e tha: Dua xhehenemin socialist. Mirë, - i tha xhebraili, - po pse e zgjedh këtë, ato që të dy xhehenem janë. Kavajasi u përgjigj: zgjodha xhehenemin socialist sepse s’ka dru të më djegë në zjarr”. Ja edhe kjo, duke abuzuar në ndonjë të metë tonën, predikon sistemin kapitalist.
    
Për qarkullimin apo dërgimin e kuadrove si dublant:
     - “Njëri e pyet monumentin e Skënderbeut në Tiranë: Pse mendoheni o Skënderbej? – Kam frikë se më qarkullojnë, mua më çojnë në Krujë e atë të Krujës e sjellin këtu!”.
     - Ç’është ky more? - i tha një shok, duke pyetur për njërin që kish ardhur dublant. - Është “goma rezervë”, - u përgjigj ai”.
Që të dyja këto i kundërvihen direktivës së Partisë.
 
Për kulturën:
- “Dy veta bisedonin përpara monumentit të Skënderbeut: ç’të duhet shkolla e kultura more i shkretë, a s’e shikon që Skënderbeu i ka kthyer kurrizin Universitetit dhe fytyrën maternitetit!”.
 
Për armën e policisë:
- “Një fshatar theu rregullin e qarkullimit në qytet, polici e kapi e i tha: “A ka gomar si ti fshati yt? - Jo, - i tha fshatari, - vetëm unë kam mbetur se të gjithë shkuan e u bënë policë”.
Këto anekdota e shumë të tjera qarkullojnë. Ato dalin sidomos në Shkodër, Tiranë, Durrës e qytete të tjera dhe ndaj tyre mbahet qëndrim indiferent, kurse interesi dhe dobia e zhvillimit të revolucionit tonë është që t’i luftojmë me ashpërsi, t’i shohim me syrin klasor dhe nga pozitat e vijës së partisë. Në këtë drejtim ne në rrethin tonë po bëjmë luftë kundër tyre.
 
Sekretari i Komitetit të Partisë të Rrethit
(Sami Gega)
 
 
 
 
Dokumenti 2
 
 
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
- Sektori i Edukimit -
Nr. 1432 Prot.                                 
Tiranë, më 30.4.1973
Lënda: Mbi kritikën e anekdotave me përmbajtje të gabuar.
Komitetit të partisë të rrethit
Në popull qarkullojnë anekdota të ndryshme të cilat, në formën e satirës dhe të humorit, fshikullojnë dobësitë në punë, të metat e karaktereve të njerëzve, fenomenet negative në shoqëri, demaskojnë imperializmin dhe revizionizmin, politikën e tyre armiqësore ndaj vendit tonë dhe popujve të tjerë etj.
Si të tilla, ato janë mjaft komunikuese, tërheqëse dhe të pranueshme nga njerëzit, përvetësohen dhe përhapen shpejt duke luajtur si rol edukues ashtu edhe argëtues. Karshi këtyre anekdotave ne mbajmë një qëndrim pozitiv, i përkrahim dhe i inkurajojmë.
Por, krahas anekdotave me përmbajtje të shëndoshë, në disa raste qarkullojnë dhe të atilla që kanë përmbajtje të gabuar ideologjike dhe politike. Nuk është çështja që të radhisim këtu listën e këtyre anekdotave, sepse ato dihen e njihen ku më shumë e ku më pak në të gjitha rrethet por, për të tërhequr vëmendjen në faktin se ka prej tyre që drejtohen kundër masave që merr Partia në fusha të ndryshme, kundër iniciativave e lëvizjeve revolucionare të punonjësve, ka të tjera që atakojnë organet e diktaturës, që denigrojnë popullin e disa krahinave të vendit etj., etj.
Ndaj këtyre anekdotave tregohet një mendjelehtësi e madhe e si rrjedhim mbahet një qëndrim tolerant i palejueshëm. Shumë anekdota janë krijuar për labin, për qarkullimin e kuadrit, për emancipimin e gruas, për policin etj., etj. Por a thellohen si duhet organizatat e partisë, komunistët, kuadrot dhe organizatat e masave se cila është domethënia e tyre, ç’qëllime ndjekin dhe ku synojnë? Anekdotat e këtij karakteri janë të dëmshme. Shumë prej tyre synojnë të nxisin ndarjen midis krahinave, pra të dobësojnë unitetin moralo-politik të popullit tonë, të ngjallin pakënaqësi lidhur me disa vështirësi të vendit tonë etj. Në vend që të mbahet një qëndrim kritik, këto anekdota përdoren në rrethe familjare e shoqërore, në mbrëmje të kolektivave punonjëse deri në shfaqje të estradave për të bërë humor, shaka e për argëtim.
Krijues dhe përhapës të këtyre anekdotave në shumë raste janë njerëzit tanë. Por nuk do harruar për asnjë rast se për krijimin dhe përhapjen e tyre janë të interesuar veçanërisht armiqtë tanë të cilët u fryjnë këtyre anekdotave në forma e mënyra të ndryshme.
Sigurisht nuk do qe e arsyeshme që kundër këtyre të ndërmerrej ndonjë fushatë e veçantë, por është krejt e domosdoshme që mbi këtë problem të tërhiqet menjëherë vëmendja e organizatave të partisë dhe të masave, të gjithë komunistëve. Lufta kundër anekdotave me përmbajtje të gabuar do të zhvillohet në kuadrin e gjithë luftës që bën partia kundër fenomeneve të huaja.
Kryesore është që të krijojmë një opinion të drejtë në masat e popullit për t’i parë e vlerësuar nga prizmi i politikës së partisë, nga përmbajtja e qëllimi që ndjekin ato. Ndaj anekdotave me përmbajtje të gabuar dhe armiqësore duhet zhvilluar kritikë, ato duhen demaskuar para masave. Në estradat e shtetit kategorikisht nuk duhet të lejohet përdorimi i anekdotave të këtilla.
Me porosi të sekretarit të kq të ppsh
RAMIZ ALIA

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore