Por parë nga disa këndvështrime të tjera, duket qartë se ai thjesht u mundua të merrte masa për t’i paraprirë një të nesërmje shumë të vështirë për fatet e kombit të vet. Kjo duket fare qartë në dokumentin, që shpesh është përmendur, por se asnjëherë nuk ka dalë i plotë në shqip e që përbën vërtetë një vlerë historike të pamohueshme në shumë aspekte. Ai na është përcjellë falë punës së një njohësi shumë të mirë të historisë e letërsisë shqipe, siç është Robert Elsie, i cili duke gërmuar në analet e Arkivës Federale gjermane ( Bundesarchiv / Rk.2924 D) e ka përcjellë atë në fakt vetëm në anglisht, duke i bashkangjitur dokumentin origjinal në gjermanisht, i cili më ngacmoi ta sjell për lexuesin e “Shqiptarja.com” si një risi plot vlera, duke na e pasuruar vizionin dhe gjetur edhe gjenezën e themelimit dhe përfshirjes së shqiptarëve ( në fakt vetëm të kosovarëve) në Divizionin SS “Skanderbeg”, gjë e cila në fakt për shumë kohë ka përbërë e përbën një material shumë kompromentues për qarqet antishqiptare rreth e qark fqinjvëve tanë e më gjerë. Por çfarë përmbante në fakt letra e Bedri Pejanit tashmë në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për ish-shefin e SS-ve, krahun e djathtë të Hitlerit, Hajnrih Himler ( Heinrich Himmler). Cilat ishin kërkesat e tij drejtuar gjermanëve më 29 mars 1944, në një vit kur tashmë fatet e luftës duket se kishin marrë udhë prej kohësh. Çfarë e shtynë atë të ndërmerrte një hap të tillë dhe si e arsyetonte ai këtë kërkesë?.
* * *
Prizren, 29 mars 1944 Kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Mbrojtjen e Kosovës
Shkëlqesia Juaj!
Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit më ka ngarkuar mua t’ju përcjell në vëmednjen Tuaj përmbajtjen e mëposhtme:
I
Mobilizimin e Kosovës dhe të viseve të çliruara shqiptare nën udhëheqjen gjermane.
Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë Shqiptare, duke pasur parasysh fazën aktuale që po shkakton acarim, në të cilën gjendet problemi shqiptar si pasojë e kërkesave që ofron situata aktuale e luftës, ka vendodur në përputhje të plotë me qeverinë dhe popullin, të organizojë militarizimin e Kosovës dhe të gjithë trevave të banuara me shqiptarë, të cilat u lidhën si pasojë e forcës së armëve të përdorura nga Ushtria Gjermane në vitin 1941, për të siguruar çlirimin përfundimtar të popullit shqiptar në krah të Rajhut Gjerman në betejat që po zhvillohen akoma.
Ky militarizim ka si qëllim, të verë në dispozicion një numër prej 120 000 – 150 000 vullnetarësh, e cila është e aftë, të ndërmarrë me sukses luftën ndaj partizanëve serbo-malazezë përgjatë gjithë kohës së zgjatjes së luftimeve me të gjitha kushtet, të cilat pas lufte do të mund të paraqiteshin të vështira e të rrezikshme për t’u mbrojtur.
II
Tri kushtet themelore për të arritur këtë militarizim, janë:
1. Armatosja me armë moderne dhe pajisja gjithashtu me mjete të tjera moderne shoqëruese.
2. Vënia në dispozicion e një numri oficerësh dhe nënoficerësh si organizatorë, instruktorë dhe komandantë për pjesët e veçanta të kësaj ushtrie.
3. Korrigjim të kufinjve aktualë shqiptarë me Malin e Zi dhe Serbinë, nisur nga arsye strategjike.
As shteti shqiptar dhe as populli shqiptar nuk janë në gjendje të venë në dispozicion mjete të cilat do të mund ta bënin të aftë Lidhjen Shqiptare, të përmbushte këto tri pika, pasi Shqipëria nuk posedon madje as industrinë më minimale të armatimit, dhe shteti shqiptar është shumë i varfër të sigurojë me forcat e veta armatim e veshmbathje.
Lidhja e Dytë e Prizrenit e di se duhet mbajtur parasysh që në prill të këtij viti të nisin përgatitjet për ngritjen e një divizioni SS me ushtarë shqiptarë, por për këtë mundet të mobilizohen vetëm një pjesë e vogël e 120 000 – 150 000 burrave të aftë për luftë nga Kosova. Përsa i përket çështjes së kufinjve me Serbinë dhe Malin e Zi, siç është rënë dakord në marrëveshjen mes Rajhut Gjerman dhe Italisë në vitin 1941, kjo paraqet një gjendje jo të favorshme për Kosovën, jo vetëm nisur nga këndvështrime strategjike, por parë edhe në kontekstin e të drejtës së popujve dhe atë historike.
Me vijën aktuale kufitare është shumë e vështirë që Kosova dhe Shqipëria të mbrohen kundër një sulmi serbo-malazez, si gjatë kësaj lufte, ashtu dhe pas saj.
Shkëlqesi!
Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, më ka ngarkuar t’Ju drejtohem Juve, pasi vetëm Ju Shkëlqesi jeni në gjendje të ndikoni bashkë me Lidhjen e Dytë Shqiptare, në ngritjen e kësaj ushtrie, e cila do të mund të mbrojë kufinjtë e Kosovës dhe të trevave të çliruara në çdo pikëpamje.
Me shpresë se nga Shkëlqesia Juaj do të mund të vjelim një rezultat të volitshëm si për Rajhun Gjerman, ashtu dhe për Shqipërinë, më lejoni Shkëlqesia Juaj, që unë të shpreh nderimin tim të veçantë për Ju.
Kryetari i Lidhjes II Shqiptare të Prizrenit për Mbrojtjen e Kosovës:
Bedri Pejani
* * *
Kryesia e Komitetit Qendrore të Lidhjes së Prizrenit për Mbrojtjen e KosovësPrizren, më 19 mars 1944
1. Lidhja e Parë Shqiptare e Prizrenit ishte aktive në vitet 1878-1881: Ajo kishte si synim, të luftonte kundër vendimeve e marrëveshjeve të San Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit. Ajo e mundi ushtrinë malazeze në Plavë – dhe si ushtria serbe, ashtu dhe ajo greke nuk guxuan më të ndërmerrnin një aksion të armatosur. Fuqitë e mëdha morën zotim përfundimtar të shkrinin Lidhjen e Parë Shqiptare, gjë e cila ndodhi në fakt në betejën triditore të Oroshevacit ( Ferizajt).
2. Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizrenit u themelua më 16.IX.1943, dhe ajo i mbetet besnike traditës së paraardhëses së saj.
Kryetari i Lidhjes II Shqiptare të Prizrenit:
Bedri Pejani
* * *
Kush ishte?
Bedri Pejani, një jetë për Kosovën!
Bedri Pejani (1885-1946) lindi në Pejë. Ndoqi kolegjin e famshëm “Robert College” në Stamboll ku studioi histori në Universitetin e Stambollit. Pejani ishte firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, në nëntor 1912. Ai ishte ndër përfaqësuesit e Komitetit të Mbrojtjes së Kosvës, që përfaqësoi interesat e saj edhe në Konferencën e Versajës në 1919. Më pas u bë anëtar i Parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923, nën siglën e Partisë Popullore. U arratis nga Shqipëria kur Ahmet Zogu erdhi në pushtet në vitin 1924 dhe iu bashkangjit lëvizjes kombëtare me pikëpamje majtiste, e njohur me emrin KONARE (“Komiteti Nacional Revolucionar”) deri në vitin 1927. Pejani formoi më vonë Komitetin për Çlirimin e Kosovës dhe u dënua me vdekje (në mungesë) nga qeveria zogiste. Në vitet 1941-1943, ai gjendet i internuar nga italianët, por lirohet pas kapitullimit të tyre dhe rikthehet në vendlindje. Nën asistencën e emisarit gjerman, Franz von Schëeiger, Bedri Pejani dhe Xhaferr Deva themelojnë “Lidhjen e Dytë të Prizrenit” që kishte si synim të mbronte trojet etnike shqiptare, në atë kohë të vëna në rrezik, duke u vënë hapur kësisoj në bashkëpunim me gjermanët e braktisur plotëisht idealet rinore, pasi kishte kuptuar se ato ishin devijuar nga udhëheqja komuniste shqiptare. Ndërkohë, ai kishte konflikte edhe me vetë kreun e trupave pushtuese gjermane, Neubacher, i cili kishte urdhëruar deri arrestimin e tij nga “Regjenca” në vitin 1944, por pa sukses. U kap nga komunistët shqiptarë në territor shqiptar në vitin 1945, dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave që e dënuan me vdekje. Fati i tij mbeti i pazbardhur derisa u mor vesh pas viteve ’90 se vdiq i helmuar në një spital të Prizrenit në korrik 1946.
• * *
Komunistëve shqiptarë
Bedri Pejani: Ratë në grackën e Titos!
"Ju keni bërë një krim fatal jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ratë në grackën e Titos. Ai me Miladinët, me Vukmanoviç Tempot, dhe veçanërisht me udhëheqjen e Partisë suaj që e drejtojnë serbët, i dhatë fund pavarësisë sonë. Në mos vënçin dorë aleatët e mëdhenmj, s'ka Shqipëri më, por një bijë të bindur të Federatës së Titos. Titoja ia mbushi mendjen Stalinit që të mos pranohej ideja e Dimitrovit për krijimin e një Federate Socialiste Ballkanike ku, aty ku flitej serbishtja, të ishte Republika Serbe, aty ku flitej shqipja, të quhej Republika Shqiptare, aty ku flitej bullgarishtja, Republika Bullgare e kështu me radhë për të gjithë popujt e Ballkanit, se Ballkani jetoi afro pesëqind vjet nën të njëjtin sundim otoman, me të njëjtat kanune e zakone. Popujt e Ballkanit nuk mund t'i ndash prerazi në kufij, se ata kanë lëvizur gjatë pesë shekujve duke e bërë Ballkanin një vend ku nuk mund të gjesh vetëm një popull brenda një kufiri. Por këtë ide nuk e pëlqeu mareshali Tito, madje edhe Stalini, se, po të bëhej Ballkani një federatë socialiste, do të kalonte shumë Bashkimin Sovjetik të prapambetur, kështu që Stalini nuk donte të ishte despot i një populli të prapambetur. Edhe politikanët anglo-amerikanë nuk e përkrahën këtë mendim të Dimitrovit. Ata gjatë Luftës së Dytë Botërore ngritën dy figura: në perëndim De Golin dhe në lindje Titon, i cili pretendonte të bëhej mareshal i Ballkanit, sipas dëshirës së Çurçillit, djali i të cilit qëndronte gjatë Luftës pranë Titos. Por ja që Titoja nuk u bë do mareshal i gjithë Ballkanit, por u bë i Shqipërisë. E vërteta është se Stalini i kishte thënë që ta inkuadronte edhe Shqipërinë si republikë të shtatë, por Titoja i zgjuar nuk e pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se... janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se po të bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e madhe, më e pasur, më e fortë, se do të bashkohej edhe Kosova në këtë Republikë të shtatë"/ "Tragjedinë e Kosovës e shkaktuam ne, se ishim servilë, frikacakë dhe shërbëtorë besnikë të Titos, i cili kishte këtu agjentët e tij të famshëm, Miladinin dhe Dushanin, të cilët krijuan një parti sipas planeve të tyre. Sot na vjen turp të themi se një popull me njerëz të zgjuar dhe patriotë i ra në gjunjë një Miladini, i cili e krijoi Partinë ashtu siç deshi vetë Titoja. U përpoqëm dhe krijuam Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryetar më caktuan mua. U bëra dhe prefekti i Pejës. Edhe i shkreti Emrush Myftari, luftëtar trim edhe në Spanjë, krijoi një çetë për të mbrojtur nga serbët dhe çetnikët popullin shqiptar. Madje ai erdhi në Shqipëri, me një thes plot me duar dhe koka të prera fëmijësh të vegjël shqiptarë, i solli në Tiranë dhe, në shtëpinë e Esat Dishnicës, thirri Enver Hoxhën dhe Nako Spirun, zbrazi thesin me koka e duar fëmijësh kosovarë dhe u tha: "Ja se ç'bëjnë druzhet tuaj që i mbanin në krahë!" Pastaj Emrushi doli në Tiranë, pa dy kryeçetnikë, i ndoqi dhe i vrau para Bankës Kombëtare".
Marrë nga: “Retë dhe gurët”, Petro Marko, fq. 444-446, "Omsca" Tiranë 2000.
Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.02.2013
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)