Aktivistja demokrate Evi Kokalari e ka cilësuar të padrejtë ‘gjyqin’ që ju bë Robert Ndrenikës nga analistët dhe militantët e Sali Berishës, pasi aktori mori pjesë në një seancë gjyqësore në Gjykatën Administrative (ku po shqyrtohej padia e Veliajt ndaj Ols Dados) në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari shprehet se të njëjtët analistë dhe militantë ‘ngrenë në qiell’ Sali Berishën, i cili sipas saj ka zaptuar gjithë opozitën. Kjo mbështetje për Berishën, sipas Kokalarit vjen pasi kryedemokrati u ka dhënë nga një vend në parti dhe si deputetë në Parlament.
Ajo tha gjithashtu se shumica e protestuesve për shembjen e teatrit ishin lojtarë të paguar nga Sali Berisha. Sipas Kokalarit, teatri ishte i vjetër dhe kishte nevojë për rinovim apo rindërtim.
Postimi i plotë:
Gjyqi që po i bëni Robert Ndrenikës është i padrejtë. Ka një urrejtje kaq të madhe mes shqiptarëve, sa ka hyrë tashmë edhe midis artistëve në këtë moment.
Shumica e protestuesve të teatrit ishin lojtarë të paguar të kampit tjetër politik. Pak ishin ata që kishin lidhje emocionale me teatrin dhe donin ta ruanin.
Pa diskutim që teatri ishte super i vjetër dhe kishte nevojë për rindërtim ose rinovim. Duhej, ndoshta, që ai teatër të ishte një ndërtesë historike e Tiranës së vjetër? Personalisht mendoj se po; jo thjesht sepse ka shërbyer si një nga të paktat vende ku gjenim argëtim, por sepse aty është mbajtur gjyqi komunist kundër Musine Kokalarit dhe shumë intelektualëve të tjerë që u desh të ballafaqoheshin me llumin e vet quajtur intelektual të vendit. (Asnjë me pak intelekt, që kuptonte çfarë ishte komunizmi, nuk do të ishte bërë pjesë e atij makabriteti).
Por sot, demokracia duhet pikërisht për të ruajtur të drejtat e Robert Ndrenikës dhe të gjithë të tjerëve për të bërë atë që ndiejnë dhe atë që besojnë, edhe pse mund të mos jemi dakord me veprimet e tij.
Ti bësh gjyq publik një artisti që ka qenë gjithnjë në majat e artit dhe kinematografisë shqiptare, flet qartë sa poshtë ka rënë niveli i atyre që bëjnë analistët nëpër emisionet e darkës.
Hajde pra, të marrim mend nga ata 'analistë' që suksesin më të madh e kanë pasur në Big Brother VIP (megjithëse edhe aty dështuan), e o burra, të sulmojmë figurën e Robert Ndrenikës se, për Zotin, dëm shumë na bëri duke puthur në ballë Erion Veliajn.
Ndërkohë, Enver Berishën që ka zaptuar të gjithë opozitën, pikërisht këta klounë e ngrenë në qiell sepse u dhanë një copë vend për t’u futur si deputetë, kur s’kishin asnjë kontribut në atë parti.
Dhe e gjithë kjo lojë klounësh prezantohet si koshere në TV shqiptare.
Çfarë tragjedie jetojnë shqiptarët!
Komente







