Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, që ndodhi në Skenderaj. Përmes një reagimi publik, Gërvalla e cilësoi incidentin si “sulm kriminal e banditesk”, duke thënë se akte të tilla janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit.

“Ky akt, përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës, si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se këto janë “metoda primitive” të atyre që, sipas saj, shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit si provokim. Në fund, Gërvalla kërkoi reagim të menjëhershëm nga organet e rendit dhe drejtësisë.

“Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, përfundoi ajo.


Lajmi kryesor:

Zv/ministri i Financave në Kosovë akuzon kryetarin e komunës Skënderaj për dhunë, Mehani : Policia të mbrojë familjen time! Reagon Kurti: Sulm qyqar me mendësi banditeske!