Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga takimi i fundvitit me anëtarë dhe aktivistë të Partisë Socialiste, ku atmosfera festive u shoqërua me urime, dolli dhe mesazhe mirënjohjeje.
Në pamjet e shpërndara, Rama shfaqet i buzëqeshur, duke trokitur gotat dhe përqafuar të pranishmit, ndërsa mes figurave që bien në sy ishte edhe drejtuesja politike e PS-së në Tiranë, Ogerta Manastirliu.
Gjatë aktivitetit, Manastirliu uroi një vit të ri sa më të mbarë dhe të shëndetshëm, duke vwnw theksin tek shpresa dhe energjia e mirë për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
“Sot është një moment për të celebruar, për të uruar njëri tjetrin: një vit sa më të mbarë , sa më të shëndetshëm dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë për një vit plot me shpresë, me energji, me besim se e nesërmja dhe Viti i Ri do të jetë shumë i mirë” tha Manastirliu.
Nga ana e tij, Rama ngriti disa dolli, duke e nisur me një urim për familjet e të pranishmëve, për vajzat dhe gratë pjesëmarrëse, si edhe për mbështetësit e Partisë Socialiste që, sipas tij, nuk janë domosdoshmërisht “në vijën e parë”, por kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në Partinë Socialiste.
“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tua. Të dytin do ta bëj për të gjitha vajzat dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë dua ta ngre për të gjithë ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, por për ata që janë në vijën e dytë e të tretë që janë kryetarë të partisë, organizatave...” tha Rama në këtë aktivitet.
Në vijim, Rama shprehu mirënjohjen për çdo anëtar dhe aktivist të Partisë Socialiste, duke i cilësuar ata si pjesë e një “familje të madhe”, dhe përcolli urime për shëndet e mbarësi për familjet e tyre, duke theksuar besimin e tij në forcën dhe vazhdimësinë e PS-së.
"Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël te secilës dhe secilit prej jush", shkroi Rama në Facebook.
Komente












