Dom Gazulli, famullitari Martir i Shkrelit, si u tradhëtua ndërsa u fshihej komunistëve

Dom Gazulli, famullitari Martir i Shkrelit, si u tradhëtua ndërsa u fshihej komunistëve

Pa i hyrë kronikave të Gazullëve, të cilat të çojnë deri aty nga fundi i shek. XIII, por as atyre të rezistencës së pareshtur antiosmane, e cila shtyhet deri në kohet tona, të tërheq vëmendjen personaliteti i Nikoll Gazullit, pikërisht për ngjashmërinë e habitshme që ka mes tij dhe humanistit të shek. XV, Gjon Gazulli. Kjo ngjashmëri vihet re në spektrin e interesave që shqetësuan jetët e të dyve.

Sikundër Gjon Gazulli (lindur 1399-1465), edhe Nikolli (1891-1946) plot pesë shekuj më pas, erdh në këtë botë në kapërcyell shekujsh dhe ngjarjesh dramatike për historinë e Shqipërisë. Që të dy do të kishin fatin e mirë të edukoheshin në voglì në një mjedis të orientuar nga humanizmi dhe patriotizmi e të shkolloheshin për më s‘shumti në Europë, por dhe fatin e keq që në të ngrysur të ditëve të përjetonin trishtimin e një atdheu që rrëshqiste si mos më keq drejt një antieuropianizmi të skajshëm. E ndërsa Gjoni vdiq atëherë kur emri i arbënit qe bërë simboli evropian i qëndresës ndaj antivlerave, Nikolli dha shpirt si ideator dhe luftëtar i po asaj qëndrese, në emër të atyre vlerave.

Nikoll Gazulli, në fakt qe shkolluar në Insbruk kur Austria ishte ende perandori dhe Shqipëria konsiderohej nga Franc Jozefi si krahina e humbur prej shekujsh e Konfederatës Ilirike. Futja e saj në suazën perandorake austriake konsiderohej nga plaku i fiksuar pas shqiptarëve si arritja e një objektivi që ish kërkuar që nga kohët e Karlit të Madh. Ndeshtrashat historike kishin çuar në kohë të ostrogotëve një simbiozë iliro-gote (Konfederata Herule e shek. V), ende të paeksploruar mirë e që në qëndresën e saj ndaj faktorit sllav, kish lënë gjurmët e veta në Arbëni me të ashtuquajturën Kulturë e Komanit. I gjithë ky iter jo vijimor historiko-gjeografik (Ilirikum - Konfederata Herule - Albania+Dalmatia Veneta - Konfederata Ilirike) në kuadrin e Perandorisë e humbiste thellësinë kohore dhe ndarjen politike ekzistuese. Në këtë kuptim, hapësira arbënore apo shqiptare merrte sërish përmasa mjaft të mëdha. Në njëfarë mënyre Gazulli ynë, ndonëse jo bashkëkombës, ndihej bashkështetas me b.fj. albanologun austriak Joklin, ose atë kroat Shuflaj. Dhe është kjo frymëmarrje popujsh që kanë marrë e kanë dhënë në shekuj, e cila pat krijuar klimën për studime komplekse e të thella. Natyrisht, në familjen e popujve të Perandorisë Austro-Hungare, sllavet, sikurse shqiptarët, nuk kishin asnjë primat dhe kjo i bënte shqiptarët katolikë të kishin raporte të mira me sllavët katolikë (kroatët). Nikoll Gazulli i ditur, konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Zogu i vrau të vëllanë, por nuk guxoi më tepër se kaq. Personaliteti i Gazullit dhe lidhjet e tij ndërkombëtare me albanologë e ballkanologë e bënin të sikletshme çdo mase ndëshkimore ndaj tij.

Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rriollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, n‘atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e At Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit "Visarët e Kombit". Kështu në v. 1941, libri "Fjalorth i Ri - fjalë të rralla të përdorura në veri të Shqipnisë" u bë një numër më vete (nr. XI) i këtij gjerdani ish. Ishte i pari fjalor krahinor që botohej dhe bashkë me atë të Pano Tasës (edhe ky i mbajtur larg nga shkenca e re zyrtare pas çlirimit) hidhte baza të shëndosha në kursin që duhej mbajtur për njësimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe. Ky njësim në fakt kish nisur që me v. 1916 nga e famshmja Komisi Letrare, e që deri në kohë të përgatitjes së Fjalorit, asistohej edhe nga austriakët R. Nachtigall dhe M. Lambertz. Skrupoloziteti i Gazullit me shaka vihej në lojë edhe nga eruditi Karl Gurakuqi, Inspektor i Lartë i Arsimit dhe promovues i Gazullit, i cili i hoqi Fjalorit disa fjalë të karakterit erotik të konsideruara si ofensive për kohën. Bëhej fjalë për një punë titanike, e cila nuk kishte të bënte vetëm me mbledhjen, por edhe me analizën e thellë deri në errësirë të shekujve të etimonit të fjalëve vërtet të rralla. Nga erudicioni i tij, Nikoll Gazulli, i dhënë veçanërisht pas folklorit dhe historisë arrin në përfundimin se Iliria ka një histori fetare paralele me atë të Italisë, me martirë, me ipeshkvi e me Etën të vet, dhe thotë se "ndë Shkodër t‘anë kemi një Rromë të dytë në Ballkan. Këtu fillimi i Krishtnimit nis me kohna apostolike e vazhdon me nji Seli Ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona".

Kjo dije po materializohej aty në heshtinë e luginës së Prronit Thatë në Shkrel, ku Gazulli po hartonte një tjetër vepër madhore: "Fjalorin Toponomastik", të shkruar nën pseudonimin "Gelasius".

Nuk mbërriti ta mbarojë

Mbetet një vepër madhore, ndonëse e shpërndarë ndër numra të ndryshëm të "Hyllit të Dritës", dhe konsiderohet nga kritika e shëndoshë si një punim monumental dhe si studim shkencor albanologjik ndër më të mirët e të gjitha kohëve.

Martiri i Shkrelit

Kishte mbërritë deri te germa "K" e "Fjalorit Toponomastik" kur në Malësinë e Madhe ndodhi ndërgjegjësimi i parë masiv në Shqipëri e në krejt Europën Lindore se çfarë donte me thanë ajo që po ngjiste në vend. Identifikimi qe fill pas luftës (fundi i 1944-ës) komunistët shqiptarë i bënë kauzës së tyre me kauzën e Jugosllavëve, shoqëruar ky me shtypjen marramendëse të të drejtave dhe lirive (për të cilat malësorët e veriut qenë veçanërisht të ndjeshëm) çoi atë "përzierje shpërthyese" që u quajt si Kryengritja e Postrribës ose Rezistenca e Malësisë së Madhe (1945). Nikoll Gazulli la librat dhe rrahu kumbonat e Kishës së Shën Kollit në Shkrel. Sot është e vështirë të kuptohet se si një klerik, u bashkua me kryengritjen dhe kundër "qezarit". Porse atij që njeh historinë e Shqipërisë Veriake, i bdaret çdo dyshim. Barijtë e gjindjes nuk kish si të mos ishin krah besimtarëve të tyre.

Ende sot në Shkrel ruajnë kujtime të bisedave energjike që Dom Nikolli bënte me njerëzit e tij. Atë e kujtojnë si tepër serioz, që ia dilte më i mësue fëmijëve të rrethinave katekizmën rreth zjarrit të ndezur aty para kishës-katedrale të Shkrelit. Ishte "burrë i pashëm fort" me sy qiellorë, blu dhe ëndërrimtarë. Kur kërkuan ta arrestonin në janar të 1946-ës nuk pranoi të burgosej; "Un nuk bij kurr i gjallë n‘dorë t‘ktyne!" - kështu u thosh shkrelianëve që vinin me marrë mend o me gjetë ngushëllim. Kishte dëgjuar për torturat që i bëheshin klerit në burgun e Shkodrës. E nuk pranoi as të rrinte në shtëpitë e malësorëve për "mos me i marrë në qafë". Represioni sa vinte e shtohej. Filologu i madh u fsheh për 3 javë në një zgavër në tokë pranë Dedajve që sot quhet Shpella e Priftit. Më pas u ngjit në Vrith ku qëndroi i fshehur në një shpellë të mirfilltë. Vrasja e Dom Nikollit është histori filmash. Velloja e misterit e mbulon atë vrasje për të cilën ende sot ka shumë rezerva. Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batar të gjata pushkësh. Kur u afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Një vrimë e vjetër plumbi i kish marrë jetën me kohë. Kush e kish bërë këtë? Dioqezani dom Nikoll Gazulli nuk kish si të vriste veten. Emrin e atij që e pati vrarë me një plumb në ballë dinë ta diftojnë malësorët e Shkrelit, si dhe At Zef Pllumi - memoria historike e atyre anëve.

Krahina kishte mbetur pa frymë. Një qerre e barti trupin e tij deri në fshatin e Stërkujës dhe aty ndaj rrugës, ballë kishës së Sterkujës e varrosën. Ata djem që çelën gropën, morën urdhër të mos linin asnjë shenjë, por ata duke e pasur famullitarin e tyre, të cilin gjithkush po e njehte për martir, e rrethuan varrin me gurë dhe i mbuluan ata me pak dhe. Shiu dhe koha do ta largonin atë dhe, menduan djemtë, e mandej kushdo kish mundësi ta kuptonte se aty ish një varr.

Enigma e varrit të Gazullit mbeti e tillë deri në vitin 1995, kur zoja Prendë, shërbyesja e dom Pjetër Grudës, famullitarit të ri të Shkrelit (pas 1949), pak para se të ndërronte jetë, u tregoi motrave të Nanë Terezës në Tiranë një sekret, të cilin kish kohë që e ndrynte në mendje. Kështu në një natë të ftohtë me stuhi në fillim të viteve ‘50, dom Pjetër Gruda në shoqëri të Gjomark Prelës, Kol Zefit dhe dy burrave të tjerë, lidhin besë më i marrë reliket e dom Nikollit dhe me i çu në kishë të Shkrelit. Ashtu ndodhi. Në "shi e kijamet" nën shkreptimën e rrufeve të Alpeve, Gazulli u rivarros me një përshpirtje të shpejtë në këmbë të altarit të Shna‘Ndojt brenda kishës së Shën Kollit. Dyshemeja asokohe ish me dërrasa dhe pas varrosjes, u mbyll përsëri pa lënë gjurmë. Sot trupi i albanologut fle ende në kishën e tij. Sekreti u nxor vetëm prej së amës s‘Dom Pjetrit, e cila e kish përgjuar gjaktrishtueshëm. E në merak të madh për të birin që kishte dalë atë natë të mnershme. E tronditur ajo ia kish treguar vetëm Prendës, së cilës, më vonë në mbarim të ditëve të veta i kish kërkuar të kujdesohej për të birin, dom Pjetrin, i cili tashmë qe burgosur. Dom Pjetër Gruda vdiq në burg në Sarandë. Frymën e fundit e dha në duart e At Zef Pllumit (sot Nderi i Kombit), por besën nuk e theu as në buzë të varrit. E vërteta e Nikoll Gazullit fatmirësisht u "tradhtua" nga Prenda, një grua e prunjtë e besnike, por që nuk ish e lidhur në besë. Leksikografi i madh sot ka zënë vendin e tij në histori. Librat e tij më së fundi po botohen. Edhe letrat, pasi ato janë dëshmi e pasionit të këtij njeriu të jashtëzakonshëm për vendin e tij, të këtij njeriu, kumti i të cilit na jep identitet dhe krenar si shqiptarë. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

 Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës

Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës