Famulltari i Dioqezës së Sapës Dom Kastriot Gjoka, uroi të gjithë shqiptarët me rastin e Krishtlindjes, duke uruar gëzim për të gjithë ata që e festojnë këtë festë.

Në një lidhje skype për emisionin 'Studio Live' në Report Tv, ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet njerëzve dhe me Zotin, pavarësisht dallimeve.

Sipas tij, Krishti nuk vjen për të hyrë në zgjedhjet tona, por për të përmirësuar jetën tonë dhe për të ndihmuar që njerëzit të kapërcejnë kufijtë dhe dallimet për të krijuar ura paqeje dhe besimi.

Gjoka theksoi se veprimet e Zotit në mesin tonë janë një mësim që edhe ne duhet të bëjmë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet tona me të tjerët.

‘Gëzuar të gjithë shqiptarëve, ata që e festojnë këtë festë të Krishtlindjes. Është kremtimi i lindjes së Krishtit, birit të zotit. Edhe pse ne jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, ne duhet që të flasim me njëri- tjetrin duhet që të kalojmë përtej caqeve dhe kufinjëve dhe të ndërtojmë ura lidhëse të paqes dhe besimit. E rëndësishme është që të kuptohet se Krishti vjen jo për të hyrë në zgjedhjet tona por për të përmirësuar jetën tonë, si një person që kërkon që ne njerëzit të kuptojmë se ajo që ka rëndësi është marrëdhënia e mirë me njëri tjetrin dhe me Zotin.

Kur Zoti që është kaq i madh dhe i pamatshëm bënë këtë lëvizje të tijën në mesin tonë, është një mësim edhe për ne që të bëjmë të njëjtën lëvizje me njëri- tjetrin për të përmirësuar më mirë marrëdhëniet me njëri-tjetrin’, tha ai.

Dom Kastriot Gjoka teksa foli mbi sfidat e ditëve të sotme, theksoi se bota po përballet me luftëra dhe trazira.

Ai tha se edhe në këto kohë të vështira, Krishtlindja mbetet një shembull i rëndësishëm se duhet të krijohen marrëdhenie paqe mes njerëzve.

 ‘Çdo kohë ka sfidat e veta por edhe kjo koha jonë ka shumë sfida dhe shumë vështirësi dhe shumë probleme si luftërat e ndryshme dhe si mund të festohet Krishtlindja në këtë kohë trazirash dhe luftrash dhe probleme të mëdha që njerëzit dhe kombet kanë me njëri tjetrin. Krishti jep shembullin e tij ai na tregon se krenaria s’na çon asgjëkundi. Përulësia e çon njeriun në marrëdhënie të paqshme me njëri tjetrin’, tha ai.