Dom Nikë Ukgjini: Shpëtoni
tryezën 100-vjeçare të Mjedës

Dom Nikë Ukgjini: Shpëtoni<br />tryezën 100-vjeçare të Mjedës
TIRANE - Ky objekt i rrallë që shihet në fotografi është tryeza e punës së Ndre Mjedës, më shumë se një shekullore, e cila ka shpëtuar për mrekulli, edhe pse peripeci të shumta e dëmtime të rënda shënohen në historikun e saj. Në këtë tryezë u shkruan poezitë “Vaji i bylbylit,” “Shtegtari”, “Tringa”, “Shkodra”, “Lissus”, etj. E ndërtuar me një stil artistik të veçantë pasi ka kaluar nga dora në dorë, nga një vend në një vend tjetër, më në fund ajo po restaurohet.

Lajmin e bëri të ditur Dom Nikë Ukgjini, duke treguar se pas shumë peripecish, pas shumë debateve të më parshëm me ish-ministrin e Kulturës Aldo Bumçi e së fundmi me ardhejn e Ministrit Visar Zhiti, më në fund tryeza 100 vjeçare e Mjedës më 14 maj, 2013, u tërhoq nga Muzeu i Shkodrës, ku qëndroi për 23 vite me radhë e ku pësoi shumë dëmtime serioze për mungesë të restaurimit e kushteve të papërshtatshme të ruajtjes.

Tashmë objekti unikal ndodhet në Institutin e Restaurimeve në Tiranë ku specialistët po përpiqen ti rikthejnë shkëlqimin e dikurshëm. Dom Nikë Ukgjini ishte dje në Tiranë për të ndjekur ndërhyrjet restauruese në të dhe njëkohëishst për të bërë kërkesën zyrtare që ky objekt i rrallë të rikthehet në Kishën e Kuklit, pasi është pronë e kësaj kishe.

Për këtë objekt të veçantë muzeal, Dom Nika ka mbledhur shumë fakte duke ndërtuar historikun përkatës.

Ai i referohet kujtimeve të rrogtarit të Mjedës, Dodë Gjon Gazulli, ku dëshmohet se Mjeda gjatë viteve 1920-1937 kishte po këtë tryezë e cila ishte vazhdimisht “plot libra e letra”. Ai, i shtyrë nga kureshtja, shpesh herë vizitonte dhomën e punës se poetit. Edhe pse “rrallë fort më lejonte me ia fshi dhomën”, kujton ai.

Pas vdekjes se poetit, në 1 gusht 1937, objektet e ndryshme kishin mbetur pasuri e famullisë së Kuklit, të cilat sipas Kanunit kishtar duhej të administroheshin nga pasuesi i radhës. Në këtë rast famullia e Kuklit, për shkak të mungesës se klerikëve, administrohej nga famullitari i Barbullushit, përkatësisht nga Dom Karlo Prenndushi. Ndërsa, në vitin 1941 dhe në vazhdim tryeza e punës, është përdorur dhe ruajtur nga famullitari i ri i Kuklit Dom Zef Gila.

Sipas studiuesit te njohur të Mjedës Mentor Quku, poeti Shkodran, Sandër Gera (1926-1982), në kujtimet e tij duke folur për mësuesin e tij të dashur, Ndre Mjedën, me nostalgji të madhe flet për tryezën e poetit. “Kur kam qenë mësues në Barbullush, në vitin 1947, kam ndrrue tavolinën e Mjedës që e kishte kryetari i këshillit popullor të Kuklit, Martin Neli, me nji tjetër.” Madje, Gera flete se, nga tryeza e Mjedës, qe frymëzuar dhe shkroi sonetin e tij "Bisedë me Poetin". (Shkodra, viti 2, nr. 2, fq. 156, Shkodër 1962.).

Sipas poetit Gera, "Shtroja e tryezës së poetit asht kadifeje së gjelbërt, dalë ngjyre nga vjetërsia dhe e grisun ndër shumë vende."  Gera, duke e njohur vlerën e saj, tryezën punës, në vitin 1959 e çoi në Muzeun e Shkodrës. Këtë dëshmi e rrëfën dhe Vasil Llazari, drejtor i Muzeut Popullor Shkodër, ndërsa shkruar në Almanakun “Shkodra”, viti 1961.

Sipas dokumentacionit të Komitetit Ekzekutive të Rrethit të Shkodrës, dt. 12. 01, 1981; dt. 7.02. 1981, flitet për ekzistencën e Shtëpisë Muze në Kukël, i cili qe hapur më 1 gusht 1962, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Dom Ndre Mjedës, dhe qe pajisur me tryezën e poetit dhe me fotografi të ndryshme. U mblodhën njerëz nga fshati, erdhën edhe nga Barbullushi, nga lokaliteti i Bushatit.

Fjalën e rastit e mbajti inspektori Isa Alibali, ndërsa pas përurimit, këshilli popullor organizoi një pritje. Kujdesin për dhomën muze e pati këshilli popullor i fshatit, duke bashkëpunuar ngushtë me muzeun popullor të Shkodrës. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes se poetit, në vitin 1966, dhoma Muze u kthye në “Shtëpi Muze Ndre Mjeda”.

Shtëpia Muze e Mjedës u dëmtua rëndë nga tërmeti i 15 prillit 1979. Kështu që në janar dhe shkurt të vitit 1981, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Shkodrës, me propozimin e Seksionit të Arsimit e të Kulturës, vendosi për restaurimin e Shtëpisë Muze. Pas një pune të gjatë, përurimi u bë me 22 nëntor 1982, ku morën pjesë të gjithë autoritetet më të larta lokale. Edhe me këtë rast si dhe në përurimin e mëparshëm, në qendër të vëmendjes, qe tryeza e poetit, si objekti më autentik i Mjedës.

Por pas ndryshimeve që ndodhën në vitin 1990, objektet e Shtëpisë Muze, bashkë me to edhe tryeza e punës u kthyen për ruajtje në Muzeun Historik Shkodër, ku edhe qëndroi për 23 vite. Tashmë, siç thotë edhe dom Nikë ukgjini, shpresohet që kjo tryezë e poetit të madh të kthehet aty ku ak vendin, në Kishën e Kuklit.

KËRKESA

Aqipeshkvia: Ktheni tryezën e Mjedës është ruajtur në kushte të mjerueshme

Monsinjor Angelo Massafra në emër të Arqipeshkvisë Shkodër Pult dhe Dom Nikë Ukgjini në emër të famullisë së Kuklit i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare për kthimin e tavolinës së poetit ndre Mjeda Ministrit te Kulturës, Rinise dhe Sporteve Tiranë dhe Muzeut Historik të Shkodrës.

Në kërkesën që mban datën 16 maj 2013, shkruhet ndër të tjera se “tavolina në fjalë, është ruajtur në kushte të mjerueshme në depon e Muzeut Historik Shkodër për 23 vite më radhë duke mos u ekspozuar fare dhe duke mos e kryer asnjëherë funksionin unik të promovimit të vlerave të rralla të saj, për stilin artistik të ndërtimit dhe ndjesitë kulturore që do të përcillte tek vizitorët.

Muzeu Historik i Shkodrës nuk ka kryer funksionin e tij mbështetur në ligjin nr. 9048 datë 07/04/2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” i ndryshuar. Neni 13 “Personat fizike ose juridike që kanë në pronësi objekte të regjistruara më vlera të trashëgimisë kulturore, të luajtshme e të paluajtshme, janë të detyruar të krijojnë kushte mirëmbajtjeje për këto objekte”. Neni 16 pika 1. “Institucionet e specializuara shtetërore, në marrëveshje më pronarët dhe zotëruesit e objekteve të trashëgimisë kulturore, krijojnë kushte për ekspozimin e këtyre objekteve për publikun”.

Kërkesën për kthimin e tryezës në vendin e origjinës, Kisha e Kuklit, Arqipeshkvia Shkodrës e mbështetet dhe në Urdhrin nr 264 datë 25 /07 /2012 lëshuar nga ministri Aldo Bumçi i cili për tavolinën e Mjedës nder të tjera shprehet “për kompletimin e Monumentit të Kulturës, Kompleksit Ndre Mjeda Kishe-Çele të restaurohet pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës tavolina e punës së Ndre Mjedës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013

Redaksia Online
(b.m/sqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi