Prifti i moshuar që jeton në Shqipëri prej 1991-shit, me kalimin e viteve duket se në vend të plakjes lufton për energji dhe ide të reja për të afruar në mënyrën e tij njeriun me Zotin.
Don Mikele është nga Foggia e Italisë dhe shtysa më e madhe për të ardhur në Shqipëri ishin pikërisht ikjet e shqiptarëve në vitet e para paskomuniste.
“Në Itali takuam shumë shqiptarë që arratiseshin nga vendi. Ajo që na shqetësonte më shumë ishte e ardhmja e të rinjve. Prandaj vendosëm të vijmë në Shqipëri që të kujdeseshim për aspektin profesional dhe human”, tregon Don Mikele për Shqiptarja.com. Kështu Don Mikele u bë një nga themeluesit e Qendrës “Don Bosko”.
Në vitin 1993 me mbështetjen e minsitrit Ylli Vejsiu mori jetë projekti për ndërtimin e kësaj qendre sociale, arsimore dhe fetare që sot ofron kurse profesionale që janë të hapura për këdo. Sot Don Mikele është prift i kishës “Don Bosko” në Laprakë në zonën dhe komunitetin që ai vizitoi më së pari në Tiranën e vitit 1992.
Vendi dhe njerëzit kanë ndryshuar shumë prej asaj kohe. Periferitë e Laprakës në ato vite ishin të boshatisura, aty ku sot ngrihet kisha ishte një barake, ndërsa rrugët ishin aq të ngushta sa nuk mund të ndërroheshin dy makina.
“Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1991 me një grup vullnetarësh. Së pari në Shkodër ku e nisëm me zhvillimin e lojërave rinore me të rinjtë. Në vitin 1992 erdha në Tiranë. Aty ku sot është kisha kishte vetëm një barake.
Rruga ishte e ngushtë, vetëm një makinë mund të kalonte. Njerëzit ishin më ndryshe, komunizmi i kishte lodhur. Kam parë ndërtimin e shtëpive dhe rrugëve gjithashtu edhe të kishës.
Ne kërkuam ndërtimin e një qendre sociale dhe të kishës. Në vitin 1998 me kontributin shumë të madh të Don Orestit, edhe ai vinte nga Italia, u ndërtua kisha”, rrëfen Don Mikele.
Vendi ku sot është kisha në vitin 1992
Po çfarë e bën të veçantë këtë prift? Don Mikele është në komunikim të vazhdueshëm me banorët e zonës. Por këtë aktivitet ai nuk e kufizon brenda mureve të kishës, del jashtë saj, shkon në çdo shtëpi që është gati ta presë. Edhe te ata që nuk janë gati ta presin ka durimin që t’i dëgjojë, kurdo që do ta ndiejnë.
Të premten e kaluar me datë 7 prill Don Mikele vendosi që së bashku me besimtarët meshën ta zhvendosë jashtë kishës. Një meshë e pazakontë që kishte si qëllim që kishën ta çonte te ata katolikë që nuk shkonin te ajo.
Mesha jashtë kishës
Për herë të parë “Udha e kryqit”, simbolika e rrugës që bëri Jezusi para vdekjes u shtri në disa rrugë të lagjes, ndërsa në rastet e tjera ishte kufizuar vetëm rreth kishës.
Një grumbull njerëzish që me kryq në dorë shëtitën gjithë lagjen derisa u ndalën në një cep të saj për të zhvilluar meshën në mes të rrugës. Një ide që habiti jo pak komunitetin indiferent të “zhytur” në monotoninë e përditshme, që vështronte nga ballkonet në përfundim pati sukses dhe u përgëzua edhe nga besimtarët e feve të tjera.
“E nisëm me ‘Udhën e kryqit’, kujtuam udhën që bëri Jezusi para vdekjes dhe e përfunduam me meshë. Ishte hera e parë që këtë rrugë e zgjatëm, pasi zakonisht e bëjmë vetëm rreth kishës. Këtë e bëra për të mbledhur besimtarët që vijnë apo nuk vijnë kishë. Hera e parë që bëmë një meshë jashtë, jam shumë i kënaqur, erdhën shumë njerëz.
Kjo ishte që ata të njohin-njëri tjetrin, për të formuar një familje që nënkupton respekt për njëri-tjetrin. Njerëzit tani janë shumë afër njëri-tjetrit por shumë larg, nuk njihen, nuk përshëndeten. Dhe kjo më shumë ishte një mënyrë që përpos aspektit fetar, të afronte njerëzit edhe në aspektin human”, tregon për Shqiptarja.com Don Mikele.
Don Mikele, me harmoninë fetare që has në zonë konfirmon edhe një herë vetinë e rrallë të shqiptarëve që është nënvizuar edhe nga Papa Françesku.
“Marrëdhëniet fetare mes besimeve të ndryshme janë shumë të mira. Të gjithë kanë respekt për njëri-tjetrin Siç a thënë edhe Papa Françesku, “Shqipëria është model për bashkëjetesën fetare”, thotë ai.
Në kishën “Don Bosko” aktiviteti fetar është i pandarë nga ai social. Lojëra, kurse dhe aktivitete vullnetare në ndihmë të shtresës së varfër të zonës janë disa nga gjërat që fëmijët kanë mundësi të zgjedhin të bëjnë në orët e lira. Ashtu si në fillimet e viteve ’90 kur erdhi për të parën herë në Shqipëri shqetësimi më i madh i Don Mikele mbetet e ardhmja e të rinjve.
“Dëshira ime do të ishte që fëmijët të mendonin më shumë për të ardhmen e tyre, që do të thotë të mendojnë për edukimin. Studimet duhet të jenë në fokus, shpresa e të ardhmes është një profesion për të cilin investon gjithë kohës duke u arsimuar”, shprehet Don Mikele.
[gallery]21847[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com