Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike, e cila në 11 maj 2026 ka bërë padi për shfuqizimin e vendimit të Komisionit Rregullator të KQZ-së, sipas të cilit të burgosurit votojnë në zgjedhjet e bashkive aty ku ndodhen (pra burgu quhej vendbanim dhe një i burgosur nga Vlora mund të votonte nga burgu i Fierit, në të cilin ai vuante dënimin, për kryebashkiakun e vendit ku ndodhej burgu, pra për kryebashkiakun e Fierit).
Pra ky vendim i Rregullatorit, është pezulluar ditën e sotme nga Kolegji Zgjedhor. Po ashtu Kolegji ka vendosur që Gjykata Kushtetuese të shprehet edhe për nenin nr.18 të ligjit për gjendjen civile, miratuar në vitin 2024, sipas të cilit "personat që ndodhen në burgje apo spitale për një kohë të gjatë, si vendbanim për qëllime zgjedhore, është ai institucion".
Historiku:
Në vitin 2023 Kolegji Zgjedhor rrëzoi zgjedhjet e 14 majit në Rrogozhinë për shkak se aso kohe Edison Memolla i PS-së fitoi bashkinë me votat e burgut, ndërsa shumica e të dënuarve apo të paraburgosurve nuk ishin nga Rrogozhina.
Kolegji tha se vendqëndrimi, siç mund të cilësohet qenia në burg, nuk mund të konsiderohej vendbanim, i cili është kusht për të drejtën e votës në zgjedhjet vendore, edhe sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007. Kushtetuesja thoshte në atë kohë se për zgjedhjeve vendore kusht është vendbanimi, i cili konsiderohej vendi ku shtetasi për shkak të punës, shërbimit të përhershëm , ndodhjes së pasurisë dhe interesave të veta qëndron në të shumtën e kohës. Në këtë kuptim, burgu ishte vendqëndrim.
Por një ndryshim i ligjit “Për gjendjen Civile” në vitin 2024, e përcaktonte qartë ne nenin 18 të tij se për personat që ndodhen në burgje apo spitale për një kohë të gjatë vendbanim për qëllime zgjedhor është ai institucion.
KQZ në vitin 2026 nxori një projekt-vendim (në përputhje me nenin 18 të ligjit në fuqi) që burgu është vendbanim dhe të burgosurit mund të votonin nga aty në zgjedhjet lokale, për të zgjedhur kryetarin e bashkisë ku ndodhet institucioni, ku ata vuajnë dënimin.
Ky projektvendim nga KQZ u miratua nga Komisioni Rregullator i KQZ në 14 prill 2026. PD këtë vendim të Rregullatorit e ankimoi në Kolegjin Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor e ka pezulluar këtë vendim të KQZ-së dhe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të shprehet për nenin 18 të ligjit për gjendjen civile, që e quan burgun vendbanim.

Komente











