Rënia e numrit të nxënësve që përfundojnë shkollën po shndërrohet një sfidë për arsimin parauniversitar.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT në vitin shkollor 2024-2025 në institucionet publike dhe jopublike të vendit u diplomuan në total 82.640 nxënës dhe studentë me një rënie të lehtë nga viti paraardhës, por peshën kryesore të kësaj ecurie e mban tkurrja e numrit të diplomave në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.
Në analizën e përgjithshme, arsimi i lartë kryeson me 35,0% të totalit të të diplomuarve, i ndjekur nga arsimi 9-vjeçar me 33,5% dhe ai i mesëm i lartë me 31,4%, ndërsa arsimi pas të mesëm jo të lartë zë një përqindje thuajse të papërfillshme prej vetëm 0,1%.
Arsimi para-universitar, tkurrje me 1,5% e diplomave
Alarmi më i madh vjen nga sektori para-universitar, ku u diplomuan gjithsej 53.701 nxënës, shifër kjo që shënon një rënie prej 1,5% në krahasim me vitin e kaluar shkollor.
Kjo rënie u reflektua në të dyja nivelet bazë. Konkretisht, arsimi 9-vjeçar regjistroi 27.682 të diplomuar, me një rënie të lehtë prej 0,1% krahasuar me vitin 2023-2024. Në këtë nivel, vajzat përbënin 47,9% të nxënësve, ndërsa shumica dërrmuese prej 89,3% e përfunduan shkollën në institucione publike.
Ndërkohë, tkurrja është edhe më e theksuar në arsimin e mesëm të lartë, ku u diplomuan 25.925 nxënës, duke shënuar një rënie të ndjeshme prej 3,0% krahasuar me një vit më parë.
Vajzat dominuan lehtësisht këtë nivel me 51,3% të totalit, ndërsa vlen të theksohet se vetëm 12,3% e nxënësve zgjodhën arsimin profesional, ku pjesëmarrja e vajzave mbetet mjaft e ulët, në nivelin 15,7%. Edhe në shkollat e mesme, sektori publik mban peshën kryesore me 83,9% të diplomimeve.
Arsimi në lartë në trend pozitiv
Ndryshe nga situata në shkolla, arsimi universitar ka treguar një trend pozitiv. Gjatë vitit akademik 2024-2025, në universitetet e vendit u diplomuan 28.939 studentë, duke shënuar një rritje prej 2,6% krahasuar me vitin e kaluar.
Nga këta, më shumë se gjysma, apo 50,6%, u diplomuan në programet Bachelor, ndërsa 43,4% përfunduan studimet Master. Vajzat vazhdojnë të mbajnë udhëheqjen e padiskutueshme në universitet, duke përbërë 65,3% te të gjithë studentëve të diplomuar. Po ashtu, institucionet publike mbeten zgjedhja parësore, duke nxjerrë 66,6% te të diplomuarve.
Sa i përket fushave të studimit që preferojnë të rinjtë shqiptarë, tregu udhëhiqet nga profilet administrative dhe mjekësore. Rreth një e katërta e studentëve, ose 23,3%, zgjodhën fushën “Biznes, administrim dhe ligj”.
Ajo ndiqet shumë ngushtë nga fusha “Shëndet dhe mirëqenie” me 22,4% dhe në vend të tretë renditet “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 14,0% të të diplomuarve totalë./ Monitor
Komente










