PRISHTINË, 22 Janar/ATSH/.- 100 mijë dollarë është vlera e një donacioni të Qeverisë amerikanë dhënë sot Doganave të Kosovës.
Sipas KosovaPress, ky donacion, që ka ardhur përmes programit EXBIS (kontrolli i eksportit dhe siguria kufitare), që ndërlidhet me rritjen e sigurisë, përmban pajisje të specializuara për monitorimin dhe incizimin e rasteve nga makinat patrulluese të njësive anti-kontrabandë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Lulzim Rafuna, deklaroi se falë këtyre donacioneve po ndalohen shumë raste.
"Falë donacioneve që janë dhënë nga qeveria e SHBA-së, deri tani janë zbuluar dhe parandaluar një mori rastesh. Këto pajisje do të rrisin fleksibilitetin dhe efikasitetin e punës në terren dhe si rezultat do të kenë rritjen e sigurisë në përgjithësi", tha Rafuna./m.m/












