Teksas, ku Donald Trump në vitin 2024 kishte fituar me diferenca shumë të mëdha, kanë dalë dy sinjale të forta politike: protestat kundër ICE-s janë shtuar dhe një pjesë e elektoratit ka filluar t’i shohë demokratët si alternativë. Në një seri zgjedhjesh të posaçme për të plotësuar vende të lira — një në Senatin shtetëror dhe një tjetër në Dhomën federale të Përfaqësuesve — kandidatët liberalë dolën fitues.

Taylor Rehmet mposhti republikanen Leigh Wambsganss, të mbështetur nga Trump, në një distrikt ku ish-presidenti kishte fituar me 17 pikë diferencë në zgjedhjet presidenciale, duke siguruar kështu një vend në Senatin e Teksasit.

Ndërkohë, demokrati Christian Menefee fitoi ndaj rivales së tij nga i njëjti parti, Amanda Edwards, duke marrë vendin në Dhomën e Përfaqësuesve që kishte mbetur vakant për 13 muaj pas vdekjes së deputetit Sylvester Turner. Distrikti ishte tradicionalisht demokrat, por fitorja e Menefee e ngushtoi edhe më shumë shumicën tashmë minimale të republikanëve në Kongres, e cila tani është 218 me 214.

Fitorja u ndihmua nga një fushatë e fortë kundër ICE-s dhe Border Patrol-it, agjencitë federale të imigracionit që janë përballur me akuza për abuzime dhe për vrasjen e dy shtetasve amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, të cilët u qëlluan për vdekje nga agjentët në Minneapolis, Minesota. Edhe sondazhet tregojnë një rënie të mbështetjes për Trump: sipas Pew Research, 61 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar negativisht politikën e tij.

Ka edhe një tjetër tregues që nuk i shkon për shtat Trumpit: 52 për qind e amerikanëve mendojnë se ai nuk i ka më aftësitë mendore për të drejtuar vendin. Mes konservatorëve, përqindja e atyre që e konsiderojnë ende të aftë për të qeverisur ka rënë nga 75 në 66 për qind, ndërsa vetëm 42 për qind besojnë në moralitetin e tij. Mes demokratëve, vetëm 2 për qind e konsiderojnë moralisht të pranueshëm dhe vetëm 3 për qind mendojnë se është në gjendje të mirë fizike dhe mendore.

Në Shtetet e Bashkuara nuk po shfaqet thjesht një opozitë politike më e fortë, por një reagim qytetar që synon të vendosë kufij të qartë ndaj pushtetit. Qindra mijëra njerëz kanë marshuar për të protestuar kundër dhunës së ICE-s, pavarësisht temperaturave ekstreme. Në Nju Jork termometri shënonte –10 gradë, ndërsa në Minneapolis –17.

Trump vazhdon të deklarojë se vendi është në anën e tij dhe se «njerëzit e duan ICE-n». Ai thotë gjithashtu se nuk është i shqetësuar nga dokumentet e reja të lidhura me Jeffrey Epstein, ku disa dëshmitarë e akuzojnë për përdhunimin e vajzave 13-vjeçare dhe për organizimin e të ashtuquajturave “ankande seksuale”. «Miq me peshë më kanë thënë se këto dosje jo vetëm që më shfajësojnë, por tregojnë të kundërtën e asaj që shpresonte e majta radikale», ka deklaruar ai.

Në realitet, Trump është i zemëruar për rrjedhjen e informacionit. Dokumentet më komprometuese, të publikuara të premten, janë zhdukur sërish nga faqja e Departamentit të Drejtësisë. Presidenti ka kërcënuar edhe me padi ndaj gazetarit Michael Wolff, duke e akuzuar për bashkëpunim me Epstein për ta diskredituar, por një proces i tillë do ta detyronte Trumpin të dëshmonte në gjykatë, gjë që e bën padinë pak të mundshme. Këto kërcënime konsiderohen pjesë e strategjisë së tij për të frikësuar kritikët.

Ndërkohë, pavarësisht deklaratave për ulje tensionesh, qeveria u ka dhënë në heshtje agjentëve federalë kompetenca të gjera për të arrestuar persona të dyshuar si emigrantë të paligjshëm, edhe pa mandat. Mjafton që i dyshuari të konsiderohet se “tenton të largohet”, një përkufizim që mbetet i paqartë. Pa prova filmike, arrestimet mund të bëhen lehtësisht arbitrare. Në Minneapolis, një grua u ndalua nga tre agjentë të maskuar që i drejtuan armën, si të ishte terroriste. Ajo u lirua vetëm pas ndërhyrjes së shefit të një distrikti policor dhe falë faktit se ngjarja ishte filmuar.

Ndërkohë, Liam Ramos, djali pesëvjeçar i ndaluar bashkë me të atin në Minneapolis, është kthyer në shtëpi pas një vendimi gjykate. Në arsyetimin e tij, që herë-herë tingëllonte si një mësim edukimi qytetar, gjykatësi akuzoi qeverinë Trump se është «injorante ndaj një dokumenti themelor amerikan të quajtur Deklarata e Pavarësisë». Gjykatësi Fred Biery, i emëruar nga Bill Clinton në vitin 1994, citoi paralajmërimet e presidentit Thomas Jefferson kundër një «aspiranti mbret-autoritar», duke theksuar se «sot po dëgjojmë jehonat e asaj historie». Biery ushtron detyrën e tij në Teksasin konservator./ La Repubblica