Qeveria italiane po përshpejton një dekret sigurie pas përleshjeve të dhunshme në Torino, ku më shumë se 100 oficerë u plagosën dhe një polic u rrah me çekiç nga protestuesit e maskuar, një sulm që kryeministrja Giorgia Meloni e quajti "tentativë vrasjeje".
Sipas mediave të huaja, Oficeri, 29-vjeçari Alessandro Calista, i Njësisë Mobile të Policisë së Padovës, u rrethua nga demonstrues të maskuar dhe u godit vazhdimisht, përfshirë edhe me çekiç, përpara se një oficer tjetër të ndërhynte me një mburojë kundër trazirave për ta nxjerrë nga turma.
Ai pësoi lëndime të shumta dhe një dëmtim nga çekiçi, por doli nga spitali më vonë të dielën, sëbashku me një oficer tjetër që ishin shtruar në spitalin Molinette të Torinos.
Autoritetet arrestuan tre burra të moshës 22, 31 dhe 35 vjeç pas dhunës të së shtunës gjatë një demonstrate në mbështetje të qendrës sociale anarkiste të dëbuar Askatasuna.
22-vjeçari nga provinca e Grossetos u vendos në paraburgim, pasi u identifikua nga pamjet filmike si një nga ata që sulmuan Calistën.
Ai përballet me akuza për bashkëpunim në shkaktimin e lëndimeve personale ndaj një zyrtari publik gjatë një demonstrate për prishjen e rendit publik, së bashku me akuza për grabitje për marrjen e mburojës, pajisjeve dhe maskës së gazit të Calistës.
Disa ministra të qeverisë po kërkojnë akuza për tentativë vrasjeje në vend të sulmit gjatë demonstratave.
Po ashtu, më shumë se 20 individë po hetohen nga policia për akuza të ndryshme, duke përfshirë mbajtjen e armëve të papërshtatshme, rezistencën ndaj autoriteteve dhe maskimin e vetes, di dhe mbajtjen e objekteve të tilla si gurë, çelësa dhe thika, të cilat u janë sekuestruar disave prej tyre.
Qeveria propozon masa gjithëpërfshirëse
Kryeministrja Giorgia Meloni dënoi dhunën, duke e quajtur sulmin ndaj oficerit “tentativë vrasjeje” - gjuhë që ajo e përsëriti pasi vizitoi oficerët e plagosur në spitalin Molinette të dielën.
Ajo njoftoi se qeveria do të përshpejtojë një paketë sigurie që është tashmë në zhvillim e sipër, duke mbajtur një takim të hënën për të finalizuar masat që pritet të shkojnë në Këshillin e Ministrave më vonë gjatë javës.
Masat që po shqyrtohen përfshijnë ndalimin parandalues policor prej të paktën 12 orësh për shkelësit e përsëritur të dhunës, kufizime në shitjen e thikave për të miturit dhe mbrojtje të zgjeruara të vetëmbrojtjes që shtrihet përtej policisë, edhe tek qytetarët e tjerë.
"Kur e godet dikë me çekiç, e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë serioze. Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje", tha Meloni të dielën.
Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi do të informojë parlamentin të martën mbi dhunën, të cilën zyrtarët qeveritarë e quajtën "terrorizëm urban" dhe "tentativë vrasjeje".
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini bëri thirrje për miratim të menjëhershëm të paketës së sigurisë, duke e përshkruar atë si "antidotin më të mirë për të bllokuar menjëherë përpjekjen e së majtës ekstreme për të sjellë dhunën përsëri në rrugët e qyteteve italiane".
Udhëheqësit e opozitës dënuan dhunën ndërsa kritikuan qasjen e qeverisë. Udhëheqësja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, i quajti sulmet "të papranueshme", por vuri në pikëpyetje strategjinë më të gjerë të sigurisë së qeverisë.
Kritikët argumentojnë se përkufizimi i ngjarjeve nga qeveria si "terrorizëm urban" përfaqëson një taktikë të motivuar politikisht për të delegjitimizuar lëvizjet protestuese dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga çështjet sociale.
Qendra sociale Askatasuna kishte qenë funksionale për gati 30 vjet përpara se autoritetet ta dëbonin atë në dhjetor pas një sulmi në selinë e gazetës La Stampa.
Presidenti italian Sergio Mattarella i telefonoi Piantedosit të shtunën në mbrëmje për të shprehur solidaritet me oficerët e sulmuar dhe të gjitha forcat e sigurisë që u përballën me dhunë gjatë demonstratës.
Komente









