Sistemi i ri biometrik në kufijtë e BE-së , i njohur si EES, po krijon radhë, vonesa dhe fluturime të humbura. Tani Brukseli ka vendosur ta shtyjë afatin për zbatimin e plotë deri në shtator 2026.
Lajmi u konfirmua të premten nga Komisioni Europian, mes shqetësimeve për kaos udhëtimesh gjatë sezonit veror.
Sistemi i ri i kontrollit kufitar, që përdor të dhëna biometrike, nisi të zbatohej në tetor 2025 dhe po shtrihet gradualisht në aeroporte dhe porte të BE-së. Por faza e parë ka sjellë probleme serioze, me vonesa të gjata për pasagjerët e avionëve, trageteve dhe tunelit që lidh Europën me Mbretërinë e Bashkuar
EES ishte planifikuar të bëhej plotësisht funksional në prill 2026, por afati tani është shtyrë për në shtator. Vendimi vjen pasi autoritetet raportuan se teknologjia e re ka rritur ndjeshëm kohën e përpunimit në pikat kufitare.
Në aeroportet ku sistemi është aktiv, udhëtarët nga Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera jashtë BE-së duhet të regjistrojnë shenjat e gishtërinjve dhe të dhëna të tjera biometrike në kioska të posaçme. Fillimisht, vetëm 10 për qind e mbërritjeve regjistroheshin në EES, por nga 9 janari kjo shifër u rrit në 35 për qind, duke zgjeruar zbatimin në dhjetëra aeroporte dhe porte të tjera.
Pasagjerët kanë raportuar radhë të gjata dhe konfuzion, ndërsa në disa raste vonesat kanë bërë që njerëzit të humbasin fluturimet.
Një raport i publikuar nga Airport Council International Europe në fund të vitit të kaluar tregoi se koha e përpunimit në kontrollet kufitare është rritur deri në 70 për qind, me pritje që në oraret e pikut kanë shkuar deri në tre orë.
Në dhjetor, Aeroporti i Lisbonës u detyrua të pezullonte zbatimin e EES për tre muaj, pas “mangësive serioze” në kontrollin kufitar. Sipas raportimeve, pritjet kishin arritur deri në shtatë orë.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Markus Lammert, tha se shtyrja synon të shmangë probleme gjatë verës. “Zbatimi i një sistemi kaq të madh është kompleks. Duke ofruar fleksibilitet për periudhën e verës, u japim shteteve anëtare mjetet për të shmangur kaosin në udhëtime,” u shpreh ai.
Shoqata e industrisë së udhëtimeve ABTA i ka kërkuar autoriteteve kufitare të përdorin masa emergjente për të ulur vonesat, përfshirë kufizimin ose pezullimin e përkohshëm të kontrolleve biometrike kur situata del jashtë kontrollit.
Sipas vendimit të ri, në muajt e ardhshëm shumë udhëtarë mund të vazhdojnë të marrin vulë manuale në pasaportë në vend të regjistrimit biometrik.
Komente








