Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dërguar në Senat një valë të re nominimesh për poste të larta diplomatike dhe federale, mes tyre edhe ambasadorët e rinj amerikanë për disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Sipas listës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Michael Young nga Utah është nominuar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Serbi. Për Bosnjë dhe Hercegovinën është propozuar Ronald Johnson nga Massachusetts, ndërsa Peter McCoy nga Karolina e Jugut është zgjedhja e Trump për postin e ambasadorit në Mal të Zi.

Lista përfshin edhe nominime për ambasadorë në vende të tjera si Brazili, Egjipti, Kolumbia, Kenia, Ekuadori, Lituania, Indonezia, Bullgaria, Paraguaji, Azerbajxhani dhe Kamboxhia, si dhe emërime në Departamentin e Shtetit, Departamentin e Shëndetësisë dhe institucione të tjera federale.

Të gjitha kandidaturat e dërguara nga Presidenti amerikan do t’i nënshtrohen procesit të shqyrtimit dhe konfirmimit në Senatin e SHBA-së, sipas procedurave kushtetuese.

Ndërkohë, Shqipëria vijon të presë konfirmimin e ambasadorit të ri amerikan. Më 4 qershor, Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan pritet të votojë nëse kandidatura e gjeneralit në pension Eric Wendt do të kalojë për votim në Senatin e plotë, hapi i fundit përpara emërimit zyrtar në Tiranë.

Shqipëria nuk ka një ambasador të konfirmuar amerikan që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023