Donald Trump dhe "Lufta e Tretë Botërore"?

Përzgjedhja e Presidentit në SHBA nuk ka qenë dhe nuk është asnjëherë rastësi, domethënë nuk varet e tëra nga kandidati, sado magjira t’u premtojë ai zgjedhësve.

Por ajo nuk vjen as nga objektiviteti i thellë i votuesit, sepse shumica e tyre nuk arrijnë të çmojnë realisht premtimet e kandidatit dhe të materializojnë qartësisht kuptimin e tyre, përmes dhunës pa mbarim të medieve që të shurdhon veshët dhe të verbon sytë deri sa hidhet fleta e votimit.

Kandidati që arrin të zgjidhet president në SHBA është vetë një aktor i talentuar për të paraqitur skenarin e një programi politik, një i pajisur me aftësi për të rrezatuar besueshmëri në shumicën e popullsisë.

Presidentin e SHBA e zgjedh SHBA, e zgjedh programi i përgatitur nga maja e superstrukturës së pushtetit. Trump është një i zgjedhur i kësaj maje - një i provuar se është në gjendje për të udhëhequr realizimin e këtij programi. Këtu nuk është fjala sa më i zoti ishte Trump ndaj Clinton, por cili është programi i presidentit aktual të SHBA?

Nuk ka dyshim, se programi-Trump ka drejtime më akute për vendin ndaj programit të konsumuar 16-vjeçar Clinton-Obama, prandaj ai u zgjodh president.
 
Me programin Trump kemi hyrë në periudhën imperiale amerikane?
Të paktën u shfaqen plasaritje mbi paqen europiane të nisur prej vitit 1945 – histori mëse 70-vjeçare. Paqe e nisur përmes dy fronteve kundërshtare, mes dy kampeve ushtarake botërore, NATO-s në Perëndim dhe Traktatit të Varshavës në Lindje - paqe e Luftës së Ftohtë.

Dikur më pas u hoq muri ndarës midis tyre (Berlin 1989). Kremlini e dorëzoi sistemin politik sovjetik dhe vendet e ish-Bllokut Lindor iu bashkuan Europës Perëndimore. NATO nën udhëheqjen e SHBA i gëlltiti ish-vendet dikur armike të Traktatit të Varshavës.

Ky bashkim e zmadhoi tavolinën e familjes evropiane dhe i shtoi trokitjet e gotave të paqes që po përjetojmë. Por matanë gardhit të shtëpisë tashmë të zmadhuar europiane, ShBA dhe NATO “zbuluan” një botë tjetër kundërshtare - vendet e Lindjes së Afërt dhe të Mesme që shqetësonin Izraelin.

Ngjashmëri me imazhin e mbarimit të periudhës Republikane të Perandorisë Romake në kohën e perandorit August (31 para Kr.- 14 mbas Kr.), atëherë kur po gëzohej paqja me përfundimin e Luftës Civile në Europën romake, pas betejës së Cezarit (Perëndimit) dhe Pompeut (Lindjes) në Iliri (46 para Kr.). Perandoria Romake filloi atëherë me perandorin August  epokën Imperiale.

Fillon edhe Perandoria Amerikane epokën imperiale me presidentin Trump?
Jemi dëshmitarë se pas rënies së Murit të Berlinit (1989) shumë luftëra dhe konflikte kanë ndodhur në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, në epiqendër të së cilave verbon konflikti i përgjakshëm dhe pa mbarim izraelito-palestinez.

Rreth e rrotull kësaj vatre zjarri të mbushur me krime të pashembullta, janë zhvilluar luftëra në Kuvajt, Irak, Libi, Liban, Siri, Kurdistan, përpos në Afganistan etj., për të cilat nuk po duket dobia e tyre.

Tani e ka radhën Irani? Do ndodhë atje si në Irak apo Afganistan, apo është shpikur ndonjë model tjetër „ndëshkimi“? Një tjetër i paudhë si Koreja e Veriut po tregohet si vagabond që kërcënon botën me “fishekzjarre”!?

Fatmirësisht SHBA me NATO-n nuk janë sot pa konkurrentë në Lindjen e Mesme. Rusia është një fuqi e madhe ushtarake dhe kundërshtare e tyre. Kohët e reja i kanë përshpejtuar ndryshimet e mëdha. Lufta e Dytë Botërore mbaroi me koalicionin Rusi-USA-Angli, të cilat sollën paqen në Europë.

Për ta zgjeruar dhe për ta bërë më të qëndrueshme këtë paqe, Rusia pranoi më 1989 të hiqte dorë nga hegjemonizmi i saj mbi republikat periferike të Bashkimit Sovjetik, madje të dorëzonte edhe vendet e ish-Bllokut lindor, që ato t’i bashkoheshin Europës Perëndimore. Natyrisht Rusia mori edhe ajo ca premtime nga partnerët perëndimorë të asaj kohe për sigurinë e saj strategjike. Por duket se ato u harruan rrugës. Sot SHBA, Anglia dhe Europa kërkojnë të instalojnë deri bazat e tyre ushtarake në Ukrainë dhe në vendet-oborre sovjetike të dikurshme si Lituania e më shumë!?

Ndërsa luftërat si ajo në Siri po shkrepin në hundë të Rusisë. Këto nuk janë vetëm provokime me barut, por edhe akte mosmirënjohjeje diplomatike ndaj Rusisë, ndaj vullnetit të saj në heqjen e murit të Berlinit dhe kontributit të saj për paqen më të freskët botërore.

Duken shenjat e një prepotence imperiale perëndimore që kanë zgjuar (me të drejtë për mendimin tim) instinktivisht nga gjumi ariun rus. Në këtë mes reagimi ushtarak rus në Siri nuk më duket aspak aventurizëm, siç etikojnë mediet perëndimore. Imazhi im historik më kujton, se pikërisht në kulmin e euforisë së Romës Imperiale, Izraelin e fshinë nga faqja e dheut të vet për shumë-shumë kohë.
 
Plani amerikan 1990-2016 për rregullimin e Lindjes së Afërme, të Mesme dhe të Largët ka ngecur si karroca në lumë.
Në fillimet e tij ai premtonte, se përmes luftës do të çlironte nga diktaturat vendet e këtij rajoni me qëllim që t’i demokratizonte ato. Por mjerisht sot i shohim të rrënuara dhe të djegura, përpos ekzodeve të popullsive të tyre, që të kujtojnë dramat e vetë judëve në kohën e Romës (Vespasian/Titus).

Programit iluminist SHBA-NATO për „paqen dhe zhvillimin e këtyre vendeve“ (zbulime ideore izraelite) nuk po i duken rezultatet e premtuara, madje as gjurmët. Rrotat e karrocës se luftës amerikane janë zhytur në llucë. Ka irritim në botën mbarë, jo pak edhe brenda vetë NATO-s. Zhvillohet vetëm luftë, paqja nuk duket në horizont. (Një padi për shprishje të pandreqshme të paqes nuk di ku t’a hedhësh, ndoshta vetëm në Gjykatën e Zotit në qiell!).

Sidoqoftë karrocën e luftës i duhet vetë Amerikës ta nxjerrë nga lumi. Vetëm ndihma e Britanisë nuk mjafton. Shumë nga vendet evropiane të NATO-s nuk i shohin të dobishme këto luftëra, sepse po shpaguhen me  konsekuencat e saj – njerëzí e panumërt në ikje, falanga popullsie në panik drejt Europës, të kriposura me elementë  prej agjenturave më të zeza terroriste, natyrisht të paguar dhe të komanduar këta të fundit nga vendet që kanë para të tepërta, nga ato që janë në gjendje të paguajnë njëkohësisht ushtrinë e vet moderne, terroristë për turbullira, si dhe propagandën për të bërë fajtor tjetrin. ISIS bie tashmë erë të jetë një agjenturë izraelite.

Pyetja është – vërtet ShBA i udhëheq këto luftëra në Libi, Irak, Siri, etj. për të sjellë demokraci? Vështirë të besohet se të tilla luftëra me vrasje popullsie të pafajshme, me shkatërrime qytetesh e trashëgimi historike qytetërimesh, me eksode të verbëta varfërie dhe fëmijë të përhumbur kanë sjellë demokraci. Si mund të vendoset një sistem demokratik aty ku sundon mesjeta feudale dhe diktatura është legjitimitet historik për të dalë nga prapambetja?

Ajo nuk vjen me bombardime e varfëri dhe aq më pak me terrorizëm. Më shumë duket se ShBA kërkon t’i heqë qafe diktatorët e këtyre shteteve të pavarura që janë pengesë për hegjemoninë e saj. Ndoshta Izraeli do të krijojë një SHBA në miniaturë në Lindjen e Afërme dhe të Mesme? Këto luftëra nuk po shqetësojnë vetëm vendet e NATOs por edhe Rusinë, pa harruar Kinën.

Prandaj ka kohë që mirëpritet një program-kthesë ndaj kursit të deritanishëm të Pentagonit, të cilin duhet ta paraqesë një president i posaçëm në vitrinë të re. Trump vjen i hekurosur dhe i krehur nga maja e pushtetit për këtë kthesë. Programi-Trump duhet të jetë ajo më imediatja - mbarimi i luftës  në Lindjen e Mesme. Shpresohet që kjo të kërkohet me pazare mbi shinat e paqes, domethënë jo duke u konfrontuar ushtarakisht me Rusinë.

Pjesët europiane të ushtrisë së NATO-s nuk besohet se do të jenë të gatshme të mësyjnë muret rrethuese të sigurisë strategjike të Rusisë, ku hyjnë edhe vendet kufitare të saj si Siria, Irani dhe ndonjë tjetër. Mesazh të qartë për këtë dha kancelarja Merkel në urimin për zgjedhjen e presidentit Trump. Perëndimi e ka një ofertë më të mënçur - të bëjnë Rusinë partner në garancinë e paqes së botës, në vend të përplasjes ushtarake me atë.

Trajtimi i Rusisë nga Perëndimi si partner strategjik , do të shtonte brenda një dhjetëvjeçari dyfish volumin dhe hapësirën e paqes në botë. Përndryshe, në se dueti SHBA-Britani do të avancojë kundër kufijve të sigurisë ruse, Lufta e Tretë do të trokasë jo vetëm në Lindjen e Mesme dhe në Azi, por si gjithnjë edhe në Ballkan. Ka mundësi që Rusia të dalë më e fituar për sigurinë e saj se sa mendohet sot.

ShBA përshembull nuk do të humbiste vetëm Turqinë. Atëherë ne shqiptarët e Ballkanit sigurisht nuk do ishim vetëm me amerikanët, por edhe me rusët. Ndoshta kjo do të sillte momentin kur qeveritë e Shqipërisë do të bindeshin për lidhjen e dëshiruar strategjike ushtarake dypalëshe me Gjermaninë.
 
Si dirigjent botëror ShBA ka përherë të drejtën e Luftës ndërkombëtare (imperiale).
Presidenti dhe qeveria amerikane e ka siguruar përherë të drejtën për të hapur luftë duke bindur për këtë shumicën e popullit të vet. Lufta e Dytë Botërore u mbështet mbi moral të lartë dhe krenari popullore amerikane për shpëtimin e popujve nga fashizmi e nazizmi. Një vepër e paçmuar në kohët më moderne ishte ndërhyrja e saj për shpëtimin e popullit të Kosovës, ndaj shfarosjes dhe zhdukjes etnike të tij.

Por Lufta në Vietnam nuk ishte e tillë dhe populli amerikan i zhgënjyer, më së fundi e ndaloi atë. Në kohët moderne populli amerikan është bërë edhe më i vëmendshëm ndaj “argumenteve” për luftë që paraqet qeveria e tij. Luftën në Afganistan presidenti e filloi më 2001 nën “tmerrin e Organizatës terroriste Al-Qaida”, që sot duket e mërzitshme edhe po t’a dëgjosh si përrallë.

E drejta që kërkoi presidenti amerikan për t’i rënë Irakut për shkak “të armëve kimike të shfarosjes në masë” që akuzohej se Sadam Hyseini posedonte, nuk bindi njeri.

Por pjesa teatrale që ndodhi më 11 Shtator 2001” me ”goditjen terroriste në Kullat Binjake të NewYork-ut” ishte shekspiriane për të besuar mbi ekzistencën e terroristëve dhe për të karrikuar  bateritë popullore për hakmarrje, që presidenti të merrte të drejtën për të filluar luftën kundër Afganistanit (2011), po ashtu mësymjen mbi Irakun (2003), Libinë (2011), Sirinë (2011 dhe bombardimet aty me trupat huaja prej 2014)  etj.

Madje strategjia e Bush-it junior pat zbuluar me kohë “Boshtin e së Keqes” duke bërë me një retorikë qesharake fajtorë të paqes Irakun, Iranin dhe Korenë e Veriut. Do ta sulmojë Trump Iranin, me pretekstin se  ky i fundit punon për armën bërthamore?

Shembulli i mësymjes ruse në Siri, mund ta bëjë Iranin të mos përulet. Ajo mund ta ketë më të thjeshtë se sa e pati Turqia, së cilës iu desh një “puç” për të eliminuar NATO-istët në superstrukturë, që të afrohej me fqinjin e madh. Trump mund ta ketë në tavolinë edhe  planin Bush për Korenë e Veriut, por kjo duket pilaf më i ftohtë për pasojat, pasi ashklat bien në prapanicat e dy elefantëve të botës pranë saj, Rusisë dhe Kinës.

Nuk besohet se vendet evropiane të NATO-s do ta mbështesin makinën ushtarake të SHBA-së në këto sipërmarrje kundra Rusisë. Imazhi më tregon se SHBAja e Trumpit po përjeton fillimet e Epokës Imperiale Romake (shek.1 mbas Kr.), apo fundin e sundimit të Sulejmanit në Perandorinë Osmane (1540-1560), pas të cilave vijuan reformat vizionare për stabilizimin shekullor të nivelit ekonomik që secila perandori kishte arritur deri atëherë.
 
A do të këtë luftë?
Trump ka njoftuar se do të ngrejë mure-kufi me Meksikën. Nuk besoj se këtu është fjala vetëm për të ndaluar trafikantët, terroristët dhe kriminelët që mund të dalin dhe të hynë në SHBA. Muret-kufi ngrihen zakonisht për të ndaluar dyndjet, eksodet që vijnë nga jashtë. Bie si erë lufte diku në kontinentin amerikan. Por këtu jemi në oborrin e ShBA dhe nuk vijnë rreziqe me dimensione botërore.

Rrezik të këtij lloji përbën Lufta në Lindjen e Mesme e më tej në Azi. Me kë do ta bëjë këtë Luftë ShBA? Trump fitoi duke i thënë popullit amerikan se nuk ka ndërmend të respektojë marrëveshjet klimatike të arritura nga presidentët e mëparshëm, duke dhënë kështu indirekt një paralajmërim se në të ardhmen mund të përdoren edhe armët bërthamore. Asnjë president i Amerikës nuk ka fituar me deklarata të tilla.

Edhe ai që njëherë përdori bombën bërthamore  nuk i mori leje popullit. Është e sigurt se me  republikanët e Trump-it industria e Luftës në SHBA do të ndezë të katër motorrët. Por megjithatë USA nuk është e vetme në „pole position“ për potencialin bërthamor botëror. As edhe në hegjemoninë e kozmosit, pavarësisht nga përralla e “shëtitjes së astronautëve amerikanë në Hënë” para gjysmë shekulli.

Për luftën në Lindjen e Mesme dhe të Largët nuk besoj se ShBA do të sigurojë pjesëmarrjen e ushtrive evropiane. Europa e Bashkuar ka mundësitë të krijojë vetë një ushtri prej 27 shtetesh, e cila të mund të veprojë e pavarur nga ShBA dhe Britania e Madhe, kur është fjala për të mbrojtur sigurinë e kufijtë të saj. Problemi i saj nuk është i vogël - të ndalojë dyndjet njerëzore nga rajonet e luftërave dhe ato të provokuara nga vendet e varfra afrikane.

Europa nuk ka ndërmend të konfrontohet ushtarakisht me Rusinë fqinje, për hir të interesave globale që po përgatitin ShBA, Britania dhe Izraeli, apo më tej. Prandaj ajo i ka të gjitha shanset të vazhdojë të qëndrojë ashtu e bashkuar, sado të rrudhet nga dezertime të tjera. Brexit me zgjedhjen e një Dame në krye ishte hap i paramenduar që bëri Britania ndaj detyrimeve të ngushta tradicionale strategjike.

Amerika gjithashtu nxori në vitrinë Trump-in, të shtyrë nga lluca makinën e saj të luftës me mjete të reja. Rrokada me liderë të rinj pritet të ketë edhe në vendet me peshë vendimmarrëse në teatrin e Luftës dhe të Paqes në Lindjen e Mesme dhe Aziatike. Udhëheqësit e rinj kanë të drejtë formalisht të heqin vijën zero ndaj bëmave dhe përgjegjësive të së kaluarës, të ndërrojnë kurset dhe të bëhen të besueshëm në programet e reja. Dikujt mund t’i jetë caktuar roli i portatorit të paqes, por dikujt midis tyre edhe provokatorit për  krime botërore.
 
Mund të thuhet se shumica e shqiptarëve në Ballkan nuk donin që Trump të zgjidhej president.
Ata e panë atë me mosbesim për shkak të besimit që kishin formuar me të drejtë në linjën Clinton (1994/2000)-Bush junior (2000/2008)-Obama (2008/2016). Por nuk munguan ata që hija radikale e Trump-it i detyroi të kthenin kokën mbrapa. Mbas Luftës Dytë, Shqipëria u rreshtua nën Traktatin e Bllokut të Lindjes me Rusinë në krye, kundërshtare të ShBAsë.

Në vitet 60‘ Shqipëria e braktisi Traktatin e Varshavës duke u „spastruar“ radikalisht nga përkrahësit dhe simpatizantët politikë të saj. Më tej Shqipëria si asnjëherë më parë u distancua kategorikisht nga paktet politiko-ushtarake si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit. Bëri një mblesëri ekonomiko-politike jetëshkurtër me Kinën, sa për t’i thënë Lindjes dhe Perëndimit se ishte e zënë me peshqeshe ushtarake aziatike.

Përgjatë viteve 80‘ refuzoi për hir të mosshkeljes së kushtetutës „propozimin për fejesë“ që i bëri Bavaria e Gjermanisë, duke qenë single – e divorcuar prej Traktatit  të dikurshëm të Varshavës dhe e çliruar nga dashuria me interes më Kinën maoiste. Me fillimin e viteve 90‘ Shqipëria iu dorëzua kryekëput Shteteve të Bashkuara, të cilat i kishte shpallur afro gjysmë shekulli armiq ideologjik dhe politik. Vendi u mor në dorë nga agjenturat e Sorosit. Me një vepër të pashembullt historike, SHBA i dha pavarësinë Kosovës dhe e futi Shqipërinë në NATO.

Shqipëria e vogël dhe e copëtuar në pesë shtete u rreshtua tashmë në Bllokun ushtarak perëndimor kundërshtare të Rusisë. Pra në 70 vjet Shqipëria është ulur në tavolinat ushtarake të tri fuqive më të mëdha të botës të Pasluftës, Bashkimit Sovjetik (Rusisë), Kinës dhe ShBA. Natyrisht këtu është fjala për pozitën  e saj gjeografike përherë tërheqëse në tavolinat e strategjive botërore. Via Egnatia ka qenë përjetë lakmia e të gjithë perandorive, qëkurse mbi trasenë e kësaj autostrade antike botërore ndeshej Cezari dhe Pompeu për të transportuar qytetërimin romak në Lindje.

Lumenj gjaku janë derdhur aty prej ndeshjeve për sundimin e kryqit latin dhe atij bizantin, apo në luftërat e Perandorisë osmane për të çuar minaren në Romë, etj. Aktualisht SHBA i duhet Via Egnatia për t’i mbyllur Rusisë një nga daljet në Mesdhe, për të mos lejuar afrimin e anijeve të saj në limanet shqiptare të Adriatikut dhe Jonit, ndërsa vetë shqiptarët i duhen për ushtarë - a propos mish njeriu për top! Ky ka qenë zanati i përjetshëm i shqiptarëve nëpër perandorira, me përjashtimin gjatë dekadave të PPSH-së, kur i gjithë populli ishte ushtar në mbrojtje të kufijve të vet.  

Por nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk e duan Trump-in tani që u zgjodh president, sepse ata duan ShBA. Ata përshembull nuk besojnë se presidenti i porsazgjedhur i Amerikës do t’i largojë soroistët e rekrutuar në administratën shtetërore, qeveritare dhe parlamentare në Shqipëri.

Ata nuk besojnë se soroistët në Shqipëri do të përçmohen dhe aq më pak do të demaskohen me dokumente. Sepse këtu u mbush një çerek shekulli që nuk është eliminuar asnjë besnik i PPSH-së, madje nuk janë hapur as dosjet e Sigurimit të Shtetit të kohës së Diktaturës. Amerika shfrytëzon të gjitha veglat dhe pajisjet që blen për të realizuar politikën dhe hegjemoninë e saj.

Agjentët dhe besnikët e blerë me para amerikane, përfshirë edhe soroistët në këtë çerek shekulli  në Shqipëri, janë produkt „made in USA“, pavarësisht se kush amerikan i ka blerë, i bardhë, i zi, blu apo i kuqërremtë. Ata nuk shohin arsye pse soroistët shqiptarë të mos jenë të shfrytëzueshëm edhe për trumpistët. Sipas tyre, një soroist me dosje të kualifikuar nga vetë amerikanët kushton më e lirë se sa të përgatitësh një agjent trumpist.

Sidomos në Shqipëri ku edhe pas një çerek shekulli, sigurimsat me dosje të pa hapura të socializmit, punojnë për ndërtimin e amerikanizmit. Prandaj edhe në se një pjesë e shqiptarëve u shprehën kundër Trumpit  kandidat, tani si president do ndjehet shpejt krenar për devotshmërinë konsekuente besnikërie të shqiptarëve në shërbim të administratës së ShBAsë.

Madje do bindet edhe më, prej rritjes së dëshiruar të numrit të  rekrutëve shqiptarë në ushtrinë e SHBAsë (NATO-s), pa llogaritur dashurinë për ndërtimin e ndonjë baze moderne amerikane në trojet e tyre.  
 
Shqipëria dhe shqiptarët e Trump-it:
a) ShBA-ja nuk është vetëm partneri më i çmuar strategjik për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët e Ballkanit, por edhe aleati politik dhe shpirtëror historik  i tyre.

Vepra e pashembullt e ShBAsë në krye të NATO-s dhe Anglisë në fund të shek. 20 duke i mundësuar Kosovës pavarësinë si Republikë ka qenë vepra më e madhe që një vend i huaj i ka dhuruar kombit shqiptar në histori. Megjithatë shqiptarët të ndarë në pesë shtete vijojnë të përbëjnë konfliktin më të madh ndëretnik në Ballkan. Trump do ta ruajë pa dyshim këtë strategji tradicionale, në çfarëdo formacioni ushtarak që ShBA të ndodhet.   
 
b) Rreziku më i madh i ka ardhur dhe i vjen Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan nga fqinjët. Bashkëjetesën e shqiptarëve dhe qytetërimin e tyre mund ta sigurojë vetëm integrimi i Ballkanit në Europën e Bashkuar, e cila do të qëndrojë e bashkuar rreth Gjermanisë dhe Francës edhe pas daljes së Britanisë dhe ndonjë vendi tjetër të mundshëm prej saj. Është fati ynë që Europa ka treguar interesimin e saj për përfshirjen e shqiptarëve në strategjinë dhe familjen evropiane, qëkurse Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912. Integrimi në Europë mbetet garancia më e madhe për ekzistencën kombëtare dhe prosperitetin e tyre.   
 
c) Historia ka treguar se rreziku dhe pavarësia, shqiptarëve në Ballkan nuk i vjen  vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Lindja. Dy kokat që dalin nga një trup shqiponje në flamurin shqiptar e shprehin qartë këtë. Partneriteti strategjik me Turqinë moderne është një vlerë tashmë e provuar (konsoliduar) mbrojtëse nga Lindja. Por rreziku i Lindjes nuk mbyllet në Turqi.

Në se vizioni Trump do ta përplasë ShBA një mëngjes me Rusinë dhe ushtritë ruse do të zbresin në Ballkan në “mbrojtje” të miqve të tyre tradicionalë  (Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë e ndonjë tjetër) - çfarë do të bëjë Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët? Natyrisht vetë nuk do munden të mbrohen, e shumta mund të bëjmë atë që Turqia bëri befas me Rusinë para disa muajsh.

Ose do kërkojnë ndihmë nga ShBA dhe Europa (NATO) që të bëjmë qëndresë, domethënë do t’i bëjmë trojet tona shesh lufte. Këtë të fundit e duan të gjithë fqinjët tanë të pajisur me ushtri (pa përjashtim). Koka e shqiponjës që shikon në krahun e djathtë na tregon se dera e miqve të shtëpisë tonë duhet lënë aktualisht hapur edhe për rusët. Në të kundërt, Kosova do të ishte shumë më e rrezikuar se sa Krimeja.

Kur gjendesh i spërdredhur si fugë nga kërcënimi i luftës prej lojës së fuqive të mëdha dhe je katandisur frymor fare i dobët mes luanëve, strategjia kombëtare për mbijetesën e shqiptarisë u përshtatet kërkesave që të imponon situata.

Prandaj politika dhe planet ushtarake të Shqipërisë kanë ndryshuar shpesh dhe në mënyrë drastike. Në varësi të kushteve të  Luftës së Ftohtë, Shqipëria ka qenë dikur partner strategjik me Rusinë sovjetike (1944-1960). Rusia nuk e ka sulmuar ndonjëherë Shqipërinë siç ka bërë përshembull Italia fashiste. Pse të mos jetë Rusia përsëri e tillë po ta dojë interesi ynë kombëtar? Nuk është e thënë të jemi proamerikanë dhe antirusë.

Me rastin e zgjedhjes së presidentit të ri të SHBA-së duket e domosdoshme të bëhet aktualizimi i strategjisë tonë kombëtare politike, diplomatike dhe ushtarake. Ka pyetje konkrete - si do të mbroheshim në rastin e një mësymjeje nga fqinjët apo kushdoqoftë tjetër.

Të presim ushtarët italianë, ata kanadezë, apo amerikanë? Njëherë që baballarët tanë deshën të mbronin Shqipërinë nga fqinjët e pabesë italianë më 7 Prill 1939, qeveria e Shqipërisë nuk u dha armë. Po sikur NATO për pak kohë të shprishet dhe aleati ynë SHBA të jetë i zënë në momentin e kërkuar me punë të tjera, si do ta mbrojmë vendin?

d) Duke mos i prekur vlerat e arritura strategjike të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan, më duket se ka ardhur koha e theksimit të partneritetit të ngushtë strategjik me Gjermaninë. Interesi dhe vlerësimi historik i gjermanëve për fatin dhe kulturën historike të shqiptarëve në Ballkan ka shekuj që është shfaqur me kontributin e tyre në shkencën albanologjike.

Kujtojmë këtu statusin strategjik, të cilën ushtritë gjermane i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve në luftën e Dytë Botërore. Plani i tyre ishte të kalonin tranzit në trojet e tyre, jo për pushtim të vendit siç ndodhte me vendet e tjera ballkanike.

Gjermania dhe Franca kanë nxjerrë mësime për t’u marrë vesh edhe me Rusinë e sotme, pasi të dyja e kanë thyer rëndë kokën përpara mureve të saj. Theksimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me Gjermaninë do të jetë vetëm një shprehje e mirëbesimit të veçantë midis dy anëtarëve të NATOs. Kjo nuk do bënte kërkënd të paqetë, sepse NATO udhëhiqet nga partneri më i madh strategjik i shqiptarëve në histori.    
 
Shënim: Opinionet e shprehura nga autori nuk janë domosdoshmërisht në përputhje me linjën editoriale të “Shqiptarja.com”



dy.b/shqiptarja.com
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen