Ish-presidenti amerikan Barack Obama inauguroi të enjten qendrën e tij presidenciale në Çikago, në një ceremoni ku morën pjesë të gjithë ish-presidentët e gjallë të Shteteve të Bashkuara, por jo presidenti aktual Donald Trump.
Edhe pse emri i Trump nuk u përmend drejtpërdrejt gjatë fjalimeve, si Obama ashtu edhe bashkëshortja e tij Michelle Obama përcollën mesazhe dhe hodhën kunja që u interpretuan si kritika ndaj politikave dhe stilit të presidentit aktual.
“Njerëzit nuk po kërkojnë zemërim dhe përçarje të vazhdueshme. Ata po kërkojnë drejtësi, arsye dhe respekt të ndërsjellë”, tha Obama para mijëra të pranishmëve që kishin udhëtuar nga pjesë të ndryshme të SHBA-së dhe vende të tjera për ceremoninë.
Ish-presidenti amerikan bëri gjithashtu thirrje për mbrojtjen e demokracisë në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së vendit. Ai paralajmëroi qytetarët të mos bien pre e cinizmit dhe përçarjes dhe i nxiti të mos heqin dorë nga e drejta për të votuar.
“Nëse neglizhojmë votën, i hapim derën më të pamëshirshmëve, më të pakujdesshmëve ose më të frikësuarve mes nesh, atyre që besojnë se disa njerëz vlejnë më shumë se të tjerët”, tha Obama.
Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi edhe rivalët republikanë me të cilët u përball në zgjedhjet presidenciale të viteve 2008 dhe 2012, John McCain dhe Mitt Romney.
“Ne besojmë te transferimi paqësor i pushtetit pasi qytetarët kanë folur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai.
Edhe Michelle Obama bëri krahasime të tërthorta mes bashkëshortit të saj dhe Trump.
“Ti ishe i palëkundur në çdo hap. Gjithmonë i përqendruar. Gjithmonë i qetë. Gjithmonë duke parë afatgjatën”, tha ajo.
Në një tjetër moment që u interpretua si thumb ndaj Trump, ajo kujtoi Çmimin Nobel për Paqen që Obama mori në vitin 2009. Trump ka folur shpesh publikisht për dëshirën për të fituar një çmim të tillë.
Trump nuk ishte i ftuar në ceremoni, megjithëse përfaqësues të Obamës thanë se ai është i mirëpritur ta vizitojë qendrën. Presidenti aktual ka kritikuar vazhdimisht Obamën dhe projektin e tij. Në një rast ai publikoi edhe një imazh ku krahasonte kullën kryesore të kompleksit me një kosh mbeturinash.
Qendra presidenciale e Obamës, e ndërtuar me një kosto prej 850 milionë dollarësh, do të hapet për publikun të premten. Kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej 78 hektarësh në jug të Çikagos, zonë ku Obama nisi karrierën e tij si organizator komuniteti, profesor i së drejtës kushtetuese dhe senator lokal.
Sipas vlerësimeve, qendra pritet të tërheqë rreth 800 mijë vizitorë në vit dhe të gjenerojë rreth 220 milionë dollarë aktivitet ekonomik çdo vit për qytetin.
Brenda saj ndodhen një bibliotekë publike, një palestër basketbolli sipas standardeve të NBA-së, ambiente për aktivitete kulturore, studio regjistrimi, klasa mësimore, hapësira të gjelbra dhe zona argëtimi për fëmijë.
Ceremonia e inaugurimit mblodhi një numër të madh artistësh dhe figurash të njohura amerikane, mes tyre Bruce Springsteen, Christina Aguilera, John Legend, Stevie Wonder, Bono, Tom Hanks, Steven Spielberg dhe Oprah Winfrey.
Për shumë vëzhgues, ceremonia ishte më shumë se hapja e një qendre presidenciale. Ajo u kthye në një demonstrim të trashëgimisë politike të Obamës dhe një kundërpërgjigje e tërthortë ndaj epokës politike të Donald Trump.
Komente





