“Po shkojmë shumë mirë në luftë. Po fitojmë bindshëm”, tha presidenti amerikan Donald Trump të martën në mëngjes në një telefonatë të shkurtër për gazetën italiane Corriere.

Kjo vjen një ditë pasi disa vende evropiane, përfshirë Italinë, refuzuan të dërgojnë anije për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, presidenti amerikan u shfaq shumë i sigurt. “Sinqerisht, askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë dhe nuk do të duhet shumë kohë”, shtoi ai.

Të hënën, Trump kishte shprehur zhgënjim sepse, sipas tij, pasi Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar për 40 vjet vendet e NATO-s, tani ato nuk tregohen të gatshme të përfshihen përkrah SHBA-së. Megjithatë, ai theksoi se SHBA “janë vendi më i fortë në botë” dhe “nuk kanë nevojë për askënd”.

Sot, në rrjetin e tij social Truth, Trump kritikoi aleatët e NATO-s: “Na kanë njoftuar se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak. Nuk më habit, sepse ne i mbrojmë ata, ndërsa ata nuk bëjnë asgjë për ne, sidomos kur kemi nevojë. Por ne nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre. NUK NA DUHET NDIHMA E ASKUJT”.

Gjatë ditës së sotme, Trump do të presë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Irlandës, Micheal Martin, me rastin e festës së Shën Patrikut. Ndërkohë, i dërguari i tij për Iranin, Steve Witkoff, do të paraqesë një raport mbi luftën para një grupi senatorësh të të dy partive në Kongres.

Trump i ishte përgjigjur një telefonate të Corriere della Sera edhe më 7 mars, pak para se të priste në Delaware trupat e gjashtë ushtarëve amerikanë që u vranë në një sulm iranian në Kuvajt. Në atë rast ai shprehu vlerësim të madh për kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe për gatishmërinë e saj për të ndihmuar në luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

“E dua Italinë dhe mendoj se ajo është një lidere e madhe”, tha Trump për Melonin. Ai shtoi se “Giorgia Meloni përpiqet gjithmonë të ndihmojë, është një lidere shumë e mirë dhe është mikja ime”, pa dhënë më shumë detaje./ Corriere della Sera