Dorëshkrimet e panjohura
të Jorgjia Filçe Trujës

Dorëshkrimet e panjohura<br />të Jorgjia Filçe Trujës
TIRANE- Jorgjia Filçe Truja (1907-1994), e para soliste e muzikës klasike në Shqipëri, vjen me një rrëfim autobiografik përmes dorëshkrimeve të lëna me dorën e saj. Ato sapo janë botuar në një libër pas vdekjes nga kompozitori dhe muzikologu Vaso Tole dhe e bija Takuina Truja Adami.

Dorëshkrimet e këtij libri marrin përveç portretizimit të jashtëzakonshëm që i bëhet kësaj gruaje të rrallë edhe një kontekst tjetër me vlera historike dhe studimore ne fushën e muzikologjisë. Askush si Jorgjia nuk i ka lënë të shkruar më shkrim ngjarjet më të mëdha kulturore të Korçës e të vendit të saj që nga vitet ‘20.

Bëhej fjalë për ato vite kur Korça gëlonte nga aktivitet, nga muzikantët, orkestrat, aktorët, dramaturgët dhe këngëtarët. Gjithashtu, ishte i vetmi vend në Shqipëri ku jetohej ndryshe; ku çeleshin shkolla, përgatiteshin artistë e profesionistë dhe prej andej shtegtonin me bursa studimi në kryeqytetet më të famshme të Europës. Korça ku kaloi rininë Jorgjia Filçe Truja kishte pamjen e një kryeqyteti të Shqipërisë, për sa i përket kulturës, emancipimit dhe luksit krahasuar me qytete e tjera të vendit.

Korça ishte shumë përpara Tiranës ku gratë mbuloheshin me ferexhe. Shënimet te Jorgjia Trujës të mahnitin me faktet që sjell nga jeta artistike e Korçës në vite ‘20. Rrëfimet e saj janë të thjeshta, të bëra në mënyrë sistematike, dhe ruajnë ende frymën dhe energjinë e artistes së madhe. Ruajnë magjinë e të ndjerit dhe të përjetuarit të gjërave ashtu siç kanë ndodhur hap pas hapi.
 
 E para soliste në Shqipëri
 “Me sa dimë asnjë këngëtare e viteve 1930, nuk ka marrë aq shumë epitete sa Jorgji Truja: si ky yll i parë i këngës shqipe; e para soliste në Shqipëri; këngëtarja e parë profesioniste, etj. Për këtë figurë emblematike të muzikës shqiptare (e cila renditet e para edhe në planin kronologjik të sopranove të rëndësishme të muzikës shqiptare të viteve 1930, si Tefta Tashko Koço dhe Marije Paluca Kraja, deri më sot janë shkruar mjaft artikuj e libra, të cilat e kanë ndriçuar deri diku portretin artistik dhe rëndësinë e saj për muzikën tonë. Në këto botime autorët citonin fragmentet nga kujtimet e saj, por deri tani Jorgjia nuk kishte folur vet, duke ardhur e plotë si në këtë botim përmes trashëgimisë së saj shkrimore”.

Kështu shkruajnë autorët e librit, në të cilin citohet se ky botim për të parën herë sjell për lexuesin e gjerë  rrëfimin autobiografik të artistes lirike shqiptare, të muzës së parë, sopranos Jorgjia Filçe Truja. Rrëfimin autobiografik të shkruar në vite e fundit të jetës, i cili përfshin fëmijërinë, vite e studimit, të punës, krijimin e familjes e deri në daljen në pension nxjerr në dritë për të parën herë kontributin e saj muzikologjik e pedagogjik, së bashku me platformat regjisoriale të operave që ka vënë në skenë pas viteve 1960, këto të pashkëputura nga vlerat artistike që sjell interpretimi i saj muzikor i bashkëmbyllur në CD dhe DVD-të e librit.

“Libri shndërrohet kështu as më pak dhe as më shumë në një dëshmi origjinale të historisë së Shqipërisë dhe të zhvillimit të muzikës shqiptare, sjell kjo edhe përmes dokumenteve të tilla si letra e viteve 1932-1934 ose fotografitë e shumta të cilat provojnë aktivitetin e saj shumë të rëndësishëm në fushën e artit dhe të emancipimit të gruas shqiptare” konstaton muzikologu Vaso Tole. Jorgjia Truja ka qenë jo vetëm muza e parë e muzikës klasike shqiptare, por ajo ka qenë një lider në jetën artistike deh emancipuese të vendit.

Dëshmitë e sjella jo posaçërisht për të këtë qëllim janë të jashtëzakonshme. Me historinë e kësaj gruaje që ishte në qendër të çdo aktiviteti artistik, drejtuese dhe organizatore e çdo lëvizjeje kulturore, këngëtare e talentuar, nënë dhe grua e jashtëzakonshme, përveçse e admirojmë dhe tronditemi. Tronditemi sepse artistja në mënyrë të nëndheshme ka përjetuar edhe drama të rënda në jetën e saj.
 
 Fëmijëria e dhimbshme e Jorgjia Filçes
 Ja si e rrëfen fëmijërinë në biografinë e saj gruaja që sfidoi edhe dramat më të dhimbshme familjare. “Unë jam lindur ekzakt më 1907, sipas një dokumenti që gjeta vonë, në gjuhën turke që quhej “groshellke”. Në një moshë akoma të vogël, babai më vdiq prej zemre duke lënë nënë me 5 fëmijë jetimë. Filloren e ndoqa në shkollën greke të Korçës, pasi në atë vit nuk ishte hapur shkolla shqipe. S’do ta harroj kurrë atë ditë, se kisha dalë në pushimin e parë në oborr të shkollës, kur më vjen një shoqet e mëhallës dhe më thotë: “Hajde moj se të vdiq yt atë”! Duke qarë e duke rendur u nisa drejt shtëpisë, rruga që më dukej gunga-gunga më krijonte përshtypjen se po rrija në vend.

Sa hyra në shtëpi pashë doktorin duke dalë dhe babanë tim të shtrirë me gjoksin hapur dhe sytë e mbyllur. Ata sy nuk i pashë më kurrë. Isha 7 vjeçe. Ishte fatkeqësi e madhe. Brenda vitit na vdiqën dhe dy vëllezërit e vegjël: Filipi 4 vjeç dhe Niku një vit e gjysmë. Nëna u sëmurë. Nuk ishte vetëm fatkeqësia, por s’na linte rehat as varfëria, nuk kishim kushtet materiale për jetesë normale. U vesha me të zeza, ashtu siç ishte zakoni edhe për të vegjlit në atë kohë. Mbetëm vërtetë jetimë, unë motra dhe Sotiri, vëllai 5-vjeçar”.

Dhe megjithëse ishte e vogël Jorgjia është në gjendje të sjellë çfarë ka ndodhur edhe në kujtesën historike kombëtare “Aty kam dëgjuar për herë të parë zërin e Spiridon Ilos”, shkruan ajo për personazhin që solli në Vlorë një nga flamujt e pavarësisë dhe mori pjesë në mbledhjen për shpalljen e saj si përfaqësues i Korçës, e cila në atë kohë ishte nën pushtimin grek. Përmes kujtimeve Jorgjia Filçe Truja sjell gjithë universin e jetës kulturore dhe ngjarjeve historike të viteve ‘20-‘30. Ajo e ngjizur me muzën e këngës mban mend vargje të rralla patriotike që këndoheshin në Korçë gjatë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë:
Se Pirrua vajti kontra Greqisë
Dhe Skënderbeu përmbi osmanlli
Urrah-urrah, urrah
O burra përmbi ta…”

Ky libër i lexuar tashmë si një histori e rilindjes së muzikës dhe kulturës shqiptare, pas pavarësisë së Shqipërisë, plotëson më së miri mozaikun e studimeve në fushën e muzikologjisë. Ndaj autorët që botuan këto dorëshkrime Vaso Tole dhe Takuina Adami duke e çmuar botimin e këtij libri si një dokument autentik theksojnë se: “Për këtë arsye çmuam që si përgatitës të botimit të nxirrnin në pah, përmes plotësimit dhe shënimeve, veçoritë dhe kompleksitetin e kësaj jete kulturore, e cila është zhvilluar në kohën kur muzika në Shqipëri nuk kishte zënë ende vendin që meritonte. Talenti i Jorgjia Trujës shkëlqeu pikërisht në kohën kur Shqipëria kishte nevojë për të”.    
 
 “Jorgjie Filçe Truja, muza e parë”
 (Rrëfim autobiografik shkruar në vitet e fundit të jetës) 
 
Shtëpia botuese “Albas”
 1. Kujtimet e vogëlisë (1907-1926)
2. Udhëtimi për studime në Itali, 1927
3. Vitet e studimit në konservatorin “Santa Cecilia” Itali 1927-1932
Njohja me bashkëshortin e ardhshëm
Veprimtari koncertore gjatë viteve 1928-1942
Aktiviteti artistik në gazeta e kohës 1927-1942
Përfundimi i studimeve dhe veprimtaria pedagogjike 1932-1966

 Nga shënimet e Jorgjie Trujës
 
Protagonistët që themeluan Teatrin Popullor
 Libri Jorgjia Filçe Truja ka mjaft të dhëna me rëndësi për të njohur historinë e krijimit të institucioneve të para shqiptare. E diplomuar në Romë dhe me dhunti të shkëlqyera edhe për punë dhe drejtim, Jorgjia Filçe Truja gjendej kudo. Një veprimtare e jashtëzakonshme në fushën e artit dhe jetës civile dhe politike Jorgjia Truja e ka jetuar të plotë historinë e vendit të saj. Në librin e kujtesës së saj është përfshirë që nga vitet ’20 e  gjithë historia e Shqipërisë e rrëfyer ndryshe. Copëzat e kujtimeve të shkrimeve flasin shumë duke e lexuar këtë libër, por ne po shkëpusim një pjesë që na zbulon si u hodhën themelet e Teatrit Popullor, sot teatri Kombëtar, që nga viti 1944 e këtej. Ja rrëfimi i Jorgjies: Në vitin ‘44-‘45, Komiteti i Kulturës dhe Arteve, nëpërmjet shokut Shefqet Musaraj (1914-1986), më lëshoi emërimin artiste pranë “Teatrit Popullor”.

Më 24 dhjetor të atij viti (’44) me Antonin dhashë dhe koncertin e parë, edhe me këngë partizane, dhe në muajin shkurt të 1945-s koncertin me orkestrën e Radio-Tiranës, nën drejtimin e dirigjentit italian Umberto Rampi. Në këtë kohë vendi vuante akoma nga plagët e luftës, por dëshira dhe entuziazmi ynë për ta rindërtuar atë ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë kësaj periudhë ne artistëve lirikë, T.Tashkon, M.Paluca, K. Antoniun, M.Cikon, D.Pelinkun e Koçon na mblodhën në Teatrin Popullor, punonim pa orar për përgatitjen e koncerteve që ishin të shumëllojshëm.

Sipas rastit ato duhet të ishin dy apo tri koncerte në ditë. Në teatër në radio, në qendra pune, spitale, në fshatra apo evenimente në Pallatin e Brigadave. Repertori i koncerteve përmbante këngë popullore, këngë partizane, këngë rindërtimi, të veprave klasike, në varësi të rastit dhe vendit ku zhvillohej.
Tetari Popullor u bë qendra e zhvillimit artistik, jo vetëm për Tiranën, por edhe për qytetet e tjera ku shkohej turme me solistë, kore dhe orkestra.
Fillimisht koncertet i bënin me orkestrën e Radio-Tiranës, nën drejtimin e dirigjentit italian Umberto Rampi.

E pajisur nga natyra, si dhe nga kondita ku u formova kam pasur një ndjeshmëri të veçantë për formimin e femrës shqiptare, prandaj krahas veprimtarisë artistike, kam marrë pjesë edhe në organizatën e  gruas, ku trajtohej problematika e kohës, që shtrohej në rang kombëtar e ndërkombëtar. Gjithashtu kam qenë anëtare e komitetit për mbrojtjen paqes në botë, si dhe në shumë organizata të tjera shoqërore.

Një etapë të re solli krijimi i filarmonisë shtetërore, më 1951, me drejtor piktorin Foto Stamo, në teatrin “Kosova”, sot Teatri Kombëtar. Në të u përmblodhën kori antifashist i formuar nga Kostandin Trako dhe me elementë të korit të kishës ortodokse. Orkestra e krijuar nga ish orkestrantët e Radio-Tiranës, si dhe grupi i baletit të të rinjve ish pionierë të pallatit të pionierëve, drejtuar nga Panajot Kanaçi. Kjo i dha mundësinë një veprimtarie artistike më të organizuar dhe me komplekse. Krahas koncerteve filluan të shfaqen kantata dhe oratorio të autorëve tanë, si “Borova martire” dhe “Labëria” e Kristo Konos apo “Dasma shqiptare”, një inskenim për kor, solist e orkestër i Kostadin Trakos, etj.

Por një eveniment të sukseshmë për shfaqjet e filarmonisë përbenin dhe baletet “Shatrivani i Bakshisarait” dhe “Esmeralda”. Koncerte vazhdonin. Më 1950 u propozova për deputet në Kuvendin Popullor dhe pas çdo takimi me zgjedhësit improvizoja edhe ndonjë koncert të vogël me këngë popullore, përveç atyre që ishin planifikuar. Me largimin e Jugosllavëve që më 1949 filluan të vijën shuam specialistë sovjetikë, midis të cilëve dhe artistë. Në filarmoninë tonë po diskutohej për të vënë një operë në skenë....”. Ky është një fragment nga kujtimet e Jorgjia Trujës, me ngjarje që ende nuk na e kanë larguar nga vitet ‘50. Kujtimet vazhdojnë si një dokumentar që hedh dritë në rrugën e zhvillimeve të artit kombëtar, derisa Jorgjia Filçe Truja mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1994. Jeta dhe vepra e kësaj artisteje të madhe është e vështirë të përfshihet në një apo dy faqe gazete.
 
Jorgjia Filçe Truja  
 U lind në qytetin e Korçës më 20 janar 1907. Studioi në Konservatorin "Santa Сеcilia" të Rоmës në vitet 1927-1932. Jorgjia ka dhënë koncerte në vitet 30-50, kа qenë një ndër pedagoget e Institutit femëror "Nana Mbretëreshë" në Tiranë, nismëtaret e hapjes së Liceut Artistik, Akademisë së Arteve, ku kreu detyrën e pedagoges së kanos dhe dirigjimit. Ajo përfaqëson një nga figurat më të spikatur a të këngëtareve lirikë në Shqipëri. Truja ka interpretuar në disa opera si dhe ka vene skenë si regjisore mjaft vepra.
 
Shkrimi u publikua sot (09.03.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat, Qeveria miraton ndryshimet në 'Urdhrin e Mjekut'

Regjistër elektronik publik për mjekët që punojnë në shtet dhe privat, Qeveria miraton ndryshimet në 'Urdhrin e Mjekut'