Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë detaje zyrtare mbi negociatat për mesfushorin zviceran me origjinë shqiptare, Ardon Jashari, duke theksuar se klubi ka përforcuar ofertën e tij, por nuk do të vazhdojë më larg në merkato. Milani duket se ka ofruar një shumë prej 35 milionë eurosh për kartonin dhe 2-3 milionë euro në formë bonusesh.

Megjithatë, 'HLN Sport' në Belgjikë bën me dije se Club Brugge ka refuzuar sërish ofertën, duke dashur direkt shumën prej 40 milionë eurosh.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me Club Brugge, - deklaroi Tare për “Gazzetta dello Sport” - dhe u kemi paraqitur atyre një ofertë tjetër për Jasharin, të cilën e konsiderojmë të duhurën dhe në përputhje me vlerën e tij. Nuk kemi në plan të shkojmë përtej kësaj”, tha drejtori shqiptar i Milanit.

Tare konfirmoi se Ardon Jashari nuk u grumbullua për ndeshjen e parë të Club Brugge në kampionat kundër Genk, por kjo nuk e afroi atë me Milanin. Sipas medieve belge, krerët e klubit të Club Brugge refuzojnë t'u ushtrohet presion për këtë çështje.

Nga ana tjetër nëse kalimi nuk realizohet, Jashari nuk do dëshironte të luante më me belgët. Pritet të shihet sesi do veprojnë palët në një situatë që ka prodhuar vetëm ngërç.