Dorëshkrimet që hedhin dritë
mbi jetën e Mitrush Kutelit

Dorëshkrimet që hedhin dritë<br />mbi jetën e Mitrush Kutelit
Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) ky personalitet i shquar në fushën e letërsisë, përkthimit, ekonomisë dhe në fushën e letrave shqipe në tërësi, është dekoruar dy ditë më parë më Medaljen Lermontovi i artë nga Ambasada Ruse në Tiranë për kontributin që ka dhënë për prurjen në gjuhën shqipe të shkrimtarëve rusë me famë botërore si Nikollaj Gogol, Ivan Turgenjev, Aleksandër Pushkin, Maksim Gorki, Konstantin Paustovski, etj.

Si përkthyes, jo vetëm i letërsisë ruse por edhe veprave të tjera të shkrimtarëve të shquar botërorë Mitrush Kuteli ka sjellë në gjuhën shqipe edhe autorë persianë, arabë, mongolë, polakë. Ka përkthyer prozë turke e kineze, si dhe shqipëroi përralla të popujve të ndryshëm, por edhe poetë të mëdhenj si Pol Elyarin dhe Pablo Nerudën e të tjerë. Ndërsa nga proza ruse falë Kutelit lexuesi shqiptar ka njohur veprat më të mira si “Tregimet e Petërburgut” dhe “Frymë të vdekura” të Gogolit, “Kujtime të një gjahtari” të Turgenievit, “Vajza e kapitenit” e Pushkinit, “Fabulat” e Krillovit.

Rusishtja në laboratorin e Kutelit është shndërruar në një mënyrë të shkëlqyer me shprehimitë figurative dhe letrare të gjuhës shqipe, dhe falë talentit të Kutelit si shkrimtar dhe përpikmërisë së tij gjuhësore, fjalive të shkurtra mungesore apo periudhave shumë të gjata e të qarta, Nikollaj Gogoli me “Frymë të vdekura” është një nga autorët më të familjarizuar për lexuesin shqiptar, duke hyrë në programet shkollore si një ndër autorët më të shquar të letërsisë botërore.

Kjo vepër falë përkthimit ndijesor që i ka bërë Kuteli shkrimtarit rus mbetet edhe sot e kësaj dite po aq universale dhe bashkëkohore. Dhe vepra mbetet si pasuri e kulturës kombëtare, siç kanë mbetur për të jetuar përjetësisht e gjithë krijimtaria e tij në letërsinë shqipe. Dhe të mendosh që përkthyesi, intelektuali i shquar shqiptar Dhimitër Pasko edhe pse në janar të 1945-ës luajti një rol të madh si Drejtor në Drejtorinë Qendrore pranë Bankës së Shtetit, u dënua dy vjet më vonë nga qeveria komuniste me akuza nga më asburdet. Diktatori Enver Hoxha në atë kohë nuk kishte as një të 100-ën e formimit kulturor dhe intelektual që kishte Kuteli. Hoxha nuk e mbaroi kurrë një universitet.
 

kuteli
kuteli

Si nisën përkthimet e rusishtes
 
Po cilat kanë qenë rrethanat dhe arsyet që Mitrush Kuteli ky njohës i shkëlqyer i rumanishtes, frëngjishtes dhe italishtes, të niste të mësonte edhe rusishten? Këtë pjesë të panjohur të biografisë së tij e zbulojmë tek disa shènime që Kuteli i ka bërë me dorën e tij në një metodë të vjetër të rusishtes: “Le russe” e Nina Potatovës që daton e botuar në Moskë në vitin 1947, dhe për habi, shumë shpejt nga koha e botimit bie në dorën e Kutelit kur ai ishte në burg. Koha e burgosjes së intelektualit nga diktatura ka qenë mesi i majit 1947 deri në prill 1949.

Shënimi me dorën e Kutelit në faqen e brendshme të kësaj metode të mësimit të rusishtes konfirmon saktë datën e mbërritjes në dorën e tij: 23 maj të ‘48-ës. Konkretisht në këtë shënim shkruhet “M.Kuteli, kampi i Vloçishtit, 23 maj 1948, e Dielë”. Kjo është një gjurmë e rëndësishme biografike, të cilën e mësojmë pasi e kemi pyetur të bijën, Atalanta Pasko të na tregojë në ç’rrethana Kuteli e mësoi gjuhën ruse. E bija e shkrimtarit nuk ka dëshirë të flasë shumë për babain e saj, por falë këmbëguljes sonë ajo na lë në dorë këto gjëra të ralla që hedhin dritë më shumë në jetën e shkrimtarit.

E kush nuk do ta mendonte se këto kanë edhe një vlerë të rrallë muzeale, që duhej të ekspozohej në ndonjë nga muzetë kombëtarë. Pra metoda e njohur e mësimit të rusishtes nga ata që njihnin frëngjishten, e Nina Potapovës siç e shohim edhe të skanuar kopertinën e saj në foton 1, pra kjo metodë ka parë  dritën e botimit në ‘47-ën dhe një vit pas botimit gjendet në Shqipëri, në kampin e Vloçishtit, pranë Maliqit, në Korçë. Po në këtë libër zbulojmë edhe dorëshkrimin e disa vargjeve të përkthyera nga Lermontovi:

Këngë djepi kazake
 
Fli moj foshnjë bukuroshe
Nani, urullaj
Hën’ e bardh’ vështron në qoshe
Djepin ku të mbaj
Kur do sgjohesh të them pralla ….
..........
Këto fakte tregojnë, kur, ku dhe pse e mësoi rusishten Kuteli. Ishte koha kur klasa politike e Shqipërisë bëhej gati të shkëputej nga Jugosllavia dhe po përgatitej për lidhjen historike me Rusinë. Kur diktatura vendosi të shfrytëzonte kapacitetin dhe aftësitë e intelektualëve që i kish burgosur vetë dhe i mbante në burgje e në kampe pune që ishin më fort kampe skëterre e vdekje, pikërisht atëhere në duart e Kutelit “ra” kjo metodë e rusishtes. Më pas, në vjeshtë 1948 Mitrush Kutelit ia ndërruan dënimin nga një i burgosur me punë të detyrueshme në një të burgosur që përkthente materiale nga rusishtja në një “zyrë përkthimi” të krijuar brenda burgut të Tiranës. Pra, nga arkiva e familjes, ne zbulojmë një detaj se kur ka nisur ta mësojë Kuteli rusishten.

Gjurmët janë lënë në faqen e parë të kësaj metode të rusishtes për francezët në vitin 1948, por duhet të dimë se Kuteli i njihte elementët e rusishtes dhe falë kontakteve të punës së tij si autor i 17 librave për probleme financiare të Ballkanit, gjatë kohës kur ishte Drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Por ky dokument tregon se “shkollën e rusishtes” si autodidakt e bëri gjatë qëndrimit në burg. Intelektuali i shquar shqiptar që mbante pseudonimin letrar Mitrush Kuteli dhe ishte pagëzuar me emrin Dhimitër Pasko u përndoq padrejësisht nga diktatura.

Pas shtatë muajsh në hetuesi ai u dërgua të thante kënetën e Maliqit ku jo një herë iu rrezikua jeta. Mund të ishte pushkatuar si shumë intelektualë të tjerë të shquar të kohës por fati deshi që Kuteli e disa të tjerë të mbeteshin gjallë dhe kështu kultura shqipe mori edhe disa dhurata për njëzet vite të tjera nga ky intelektual me mendje të ndriçuar me dije, këtij shkrimtari e përkthyesi të shquar.

 
Nikollai Gogol   - Frymë të vdekura

Fagment nga përkthimi prej ruishtes I Mitrush Kutelit

... Çiçikovi, siç pamë, kuturisi të mos tarnaniset shumë, prandaj mori në dorë filxhanin e çajit, i hodhi lëng frutash dhe ia filloi kështu:
- Paski fshat të mirë, nënoke. Sa frymë ka ky fshat?
- Sa frymë, babush? Pothuaj, tetëdhjetë, – tha zonja, – po koha s’na vete mbarë. Vjet kemi pasur një thatëtirë që zoti na ruajt, s’futëm asgjë në hambar.
- Mirëpo në të pamë fshatarët duken të shëndoshë, izbat i kanë të forta. Me leje t’ju pyes, si ju quajnë? S’e kisha mendjen aty... Sosa natën...
- Koroboçka.

- Ju falemnderit me përulje. Po emrin dhe atësinë?
- Nastasia Petrovna.

- Nastasia Petrovna? Sa emër i bukur është Nastasia Petrovna! Unë kam një teto, motrën e nënës, që i thonë gjith Nastasia Petrovna.
- Po juve si ju quajnë? – pyeti çifligarja. – Nëpunës jeni, ë?
- Jo, nënoke, – iu përgjigj Çiçikovi duke buzëqeshur, – jo, s’jemi nëpunës, ne udhëtojmë me punë vetjake.
- Ashtu? Pra ju blini e shisni? Sa keq më vjen, të them të drejtën, se ua shita mjaltin kaq lirë tregtarëve! Ndofta zotrote, babush, do të ma blije, po të mos e kisha shitur.
- Jo, mjaltë s’do kisha qejf të blija.

- Po ç’mall tjetër? A mos do kërp? Po edhe fjollë e kërp kësaj here kam shumë pak: vetëm gjysmë pudë.
- Jo, nënoke. Unë dua një mall tjetër. Pa më thoni, a ju kanë vdekur shumë fshatarë?
- Oh, babush tetëmbëdhjetë njerëz! – tha plaka duke psherëtirë. – Të gjithë burra të shëndoshë, të gjithë punëtorë të palodhur. Vërtet, pastaj lindën të tjerë, po ç’i do: këta janë kërthinj fare. Ndërkaq erdhi nëpunësi i financës e më kërkoi të paguaj taksat kokë për kokë. Njerëzit kanë vdekur, po unë duhet të paguaj si për të gjallët. Javën që shkoi m’u dogj farkëtari, një farkëtar që ia priste mendja për çdo gjë. I vinte ndoresh të bënte edhe kyçe.

- A mos ju ra zjarr këtu, nënoke?
- Zoti na ruajt! Po të kish rënë zjarr do të ish edhe më keq. Farkëtari u dogj vetë, babush. Iu ndezën zorrët nga brenda, e tepronte shumë me të pirët. Zuri t’i dalë flakë mavi nga goja gjersa u ndez i tëri, u përvëlua dhe pastaj u nxi, u bë qymyr. Hej, ç’farkëtar i zoti kish qenë! Tani unë s’mund të udhëtoj asgjëkund se s’ka kush të më mbathë kuajt.

- Të gjitha janë në dorë të zotit, nënoke! – psherëtiu Çiçikovi. – Ne s’mund të ngremë kokë kundër perëndisë... A m’i jepni mua këta, Nastasia Petrovna?
- Cilët t’ju jap, babush?
- Këta të gjithë, që kanë vdekur.

- Po si t’jua jap?
- Ja, ashtu, të m’i jepni. Ose, po të doni, m’i shisni. Do t’ju jap paratë në dorë.
- Po si mund të bëhet kjo punë? Të të them të drejtën unë s’marr vesh. A mos do t’i nxjerrësh nga varri?
Çiçikovi e pa se plaka s’kuptonte dhe se duhej t’ia shpjegonte se si qëndronte puna. Me pak fjalë i tregoi se dorëzimi apo blerja do të bëhej vetëm në kartë, me shkrim, dhe se frymët do të shkruheshin në këtë kartë si të gjallë.

- Po ç’të duhen ty këta? – e pyeti plaka dhe ia mbërtheu sytë.
- Kjo është punë për mua.
- Mirë, po këta janë të vdekur.

- Po kush ju thotë se janë të gjallë? Pikërisht nga kjo keni pasur ju humbje: sepse ata janë të vdekur. Ju paguani taksa për këta të vdekur, kurse unë dua t’ju shpëtoj nga andrallat dhe nga pengesat. Kuptoni? Jo vetëm se dua t’ju shpëtoj, po edhe do t’ju jap në dorë pesëmbëdhjetë rubla. A merrni vesh tani?
- Të them të drejtën, unë s’marr vesh asgjë, – tha plaka rëndë-rëndë. – S’kam shitur kurrë të vdekur...
mitrush kuteli




















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shkëlqejnë Rajka e Luiza Gega, mbahet Kupa e Republikës në atletikë! Presidenti Stërmasi: Fituesit shkojnë në Ballkaniadë

Shkëlqejnë Rajka e Luiza Gega, mbahet Kupa e Republikës në atletikë! Presidenti Stërmasi: Fituesit shkojnë në Ballkaniadë